Një polic i burgut të Elbasanit, një i paraburgosur dhe familjarja e këtij të fundit, u arrestuan nga policia, pasi u zbuluan se të tre, bashkëpunonin për të futur lëndë narkotike në burg. Qëllimi dyshohet se ishte shitja e drogës brenda ambienteve të burgut.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve kreu një hetim disa mujor me metoda speciale. Përgjegjësinë e parë, burgjet e shohin tek punonjësi i policisë, Ndriçim Kroi, i cili u arrestua.

Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me një të paraburgosur, Gerald Stamolla për të futur drogën në burg e për të përfituar para nga shitja e saj. Edhe ndaj të paraburgosurit u vendos një masë e re arresti për këtë mekanizëm paligjshmërie.

Hetimet zbuluan se lënda narkotike futej në ambientet e Burgut në Elbasan, përmes një familjareje të të paraburgosurit. Esmeralda Komici, u arrestua me vendim të gjykatës së Elbasanit.

Gerald Mali me mbiemrin e ndryshuar Stamolla është arrestuar në gusht të vitit 2020, pas dëshmisë së një 16-vjeçareje se ishte shfrytëzuar prej tij dhe partneres së tij për prostitucion në disa hotele në Tiranë, dhe se për të mos u tërhequr kërcënohej se do i vrisnin nënën dhe vëllain.

Sipas dëshmisë, adoleshentja tha se edhe në momentin kur shkoi të bëjë denoncim në polici, çifti i tutorëve telefonuan nënën e saj duke e kërcënuar se “do të punonte ajo në vend të vajzës për të shlyer pagesën e hotelit”.

Njoftimi:

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB) ka finalizuar një operacion të rëndësishëm kundër veprimtarisë kriminale në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Elbasan, pas një hetimi të thelluar disa-mujor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Hetimi, i kryer përmes metodave speciale të hetimit, ka zbuluar një mekanizëm të mirëorganizuar bashkëpunimi për futjen e lëndëve narkotike brenda institucionit penitenciar, me qëllim përfitimin financiar.

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të datës 22 janar 2026, bazuar në vendimin nr. 784, datë 19 dhjetor 2025, autoritetet kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tre personave nën hetim. Të arrestuarit janë:

N.K., punonjës policie në IEVP Elbasan

E.K., familjare e një të paraburgosuri

G.S., i paraburgosur në IEVP Elbasan

Sipas të dhënave hetimore, personat e përfshirë dyshohet se kanë bashkëpunuar për të futur lëndë narkotike në ambientet e burgut, duke shfrytëzuar pozicionin dhe lidhjet e tyre, në shkelje të rëndë të ligjit dhe rregullave të sigurisë penitenciare.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:15
Shitje droge brenda burgut të Elbasanit, e shkuara e errët e të paraburgosurit! Bashkë me partneren mbajtën peng dhe shfrytëzuan për prostitucion një 16-vjeçare

1769170610_stuyioo.png

Ditën e sotme në paraburgimin e Elbasanit u zhvillua një operacion ku u zbulua një skemë e futjes së lëndëve narkotike brenda qelive dhe ku i përfshirë ishte edhe i paraburgosuri Gerald Stamolla.

Report TV ka mësuar se 31-vjeçari Stamolla ka qenë i arrestuar që në vitin 2021 pas dyshimeve se sëbashku me parneren e tij, shtetasen Evisa Mena, kanë mbajtur të mbyllur në banesë dhe kanë shfrytëzuar për prostitucion një 16-vjeçare.

Arrestimi i Stamollas dhe partneres së tij erdhën pas disa denoncimeve të bërë nga e ëma e të miturës në polici.

Po ashtu sipas burimeve të atëhershme të Policisë dhe dëshmive të vajzës së mitur, bëhet e ditur se 16-vjeçarja veçse ishte shfrytëzuar për prostitucion, edhe ishte dhunuar, kërcënuar (me marrjen peng të të vëllait 5-vjeç) dhe droguar nga çifti i sipërpërmendur.

E pyetur në prezencë të psikologëve adoleshentja tregoi atëherë se si ajo u shantazhua nga çifti që sipas saj i thoshte: “Kemi prova për ty që je duke pirë drogë dhe do të çojmë në polici”.

“Çdo ditë unë pija drogë se pinin dhe ata dhe nuk dija ç’bëja”, tha atëherë e mitura.

R.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Janar, 20:34

    15 vite nga ‘21 janari’, kush mendoni se urdhëroi për të qëlluar qytetarët?