Kur superfuqitë kërkonin
riafrimin me Shqipërinë

Kur superfuqitë kërkonin<br />riafrimin me Shqipërinë
TIRANE - Vetëm të të shkonte ndërmend të vendosje ( apo rivendosje në fakt) marrëdhënie diplomatike me ta, përbënte një temë tabu edhe për nivelet më të larta shtetërore apo diplomatike në vend, në një kohë kur “gabimet” të kushtonin edhe kokën. Madje, çmenduria shkonte deri atje sa edhe nëse shorti nëpër aktivitete të ndryshme sportive, të bënte të ndesheshe me një sportist apo ekip sovjetik, ose amerikan, bojkotimi i aktivitetit apo tërheqja nga gara, konsiderohej normale dhe mëse e sigurt për shqiptarët.

Nga ana tjetër, pakkush mund të mendojë edhe sot e kësaj dite se BRSS apo SHBA, do të mund të kishin shfaqur interes apo do të mund të “ulnin kokën” e të ndërmerrnin iniciativa për afrim apo normalizim marrëdhëniesh me Shqipërinë e Enver Hoxhës, për sa kohë që kjo e fundit sillej si “fëmija plangprishës” në shumë aspekte, duke vazhduar të shante, “demaskonte” e të akuzonte me tone të larta në çdo rast që i jepej, dy fuqitë më të mëdha të kohës.

Mirëpo, SHBA dhe BRSS, shpesh dhe në mënyrë (jo domosdoshmërisht) paralele, siç rezulton edhe nga materialet në vijim, po punonin për t´u afruar me Shqipërinë e Hoxhës, për të harruar “mëritë e vjetra” e rinisur një erë të re, sado që mund të dukej e vështirë. Sigurisht se nuk është rasti të diskutojmë këtu për interesat apo kalkulimet që “armiqtë ideologjikë” në të dyja krahët bënin për të ndërmarrë këtë hap.

Synimi është thjesht nxjerrja në pah e fakteve me vlera historike e arkivore, të cilat dëshmojnë, le të themi, për dëshirën e tyre për t´u pajtuar me Shqipërinë, edhe nëse ajo vijonte të ishte ashtu sikurse edhe më parë, po aq antagoniste e armiqësore në qëndrimet e saj ndaj tyre.

Gjithsesi, vihet re se në momentin që ata shihnin lëvizjen më të vogël në drejtimin e vlerësuar të volitshëm prej tyre, ata “hidheshin në sulm” për të përfituar sa më parë frutet e një ndërmarrje të tillë politiko-diplomatike, duke dërguar sinjalet përkatëse. Kjo, me fjalë të tjera, dëshmon edhe për interesim (sado që shkalla e tij mbetet shumë e diskutueshme) e jo për të kundërtën, nga ana e dy superfuqive ndaj Shqipërisë, siç mund të ketë pretenduar shumëkush, edhe sot e kësaj dite.

Sidoqoftë, fatkeqësisht, në çdo rast ofertat nuk rezultojnë të jenë marrë parasysh nga qeveria e kohës e të jenë studiuar me gjak të ftohtë nga diplomatët e saj, për të parë përfitimet e mundshme, të cilat do ishin, sigurisht, relevante, sidomos në çaste lëkundjesh të forta politike, që mund të çonin teorikisht edhe në vetë rrëzimin e regjimit të Hoxhës.

OFERTA TË SHPESHTA SOVJETIKE

Të paktën, nga ish-Bashkimi Sovjetik hasim në disa përpjekje përafruese apo oferta konkrete për të rivendosur marrëdhëniet me Shqipërinë, sigurisht pas spostimit të Hrushovit nga posti që mbante dhe ardhjes në pushtet të Brezhnjevit apo pasardhësve të tij. Kështu, në një numër të gazetës gjermane “Die Zeit” të vitit 1966, shprehimisht në lidhje më një nga këto oferta, shkruhet e zeza mbi të bardhë se: Kremlini i ka ofruar Shqipërisë, miku i vetëm i Pekinit në Europë, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, që u ndërprenë që nga viti 1961.

Në të njëjtën kohë, Partia Komuniste e Shqipërisë u ftua të marrë pjesë në Kongresin e 23-të të Partisë Komuniste ( bolshevike), në fund të marsit në Moskë.  Objektivi Sovjetik është i qartë: Shqipëria duhet të hiqet nga sfera e ndikimit të Pekinit. Për Moskën, shanset nuk janë të këqija. Gjendja ekonomike e vendit të vogël ballkanik është katastrofale. Plani i fundit pesëvjeçar nuk mundi dot të realizohet as me ndihmën e Kinës. (Shih: ZEITSPIEGEL, Gazeta “Zeit”, 18.02.1966 / Nr. 08  )

MOSKA NË 1976: SHQIPTARËT, POPULL “VËLLA”

Më tej në artikull shprehet shpresa se: Ka shumë shenja që të bëjnë të mendosh se Tirana është gati të përfundojë me Moskën dhe fqinjët e saj komuniste një akord paqeje. Ajo tashmë ka nënshkruar një marrëveshje tregtie me Rumaninë, ka nënshkruar marrëveshje kulturore me Hungarinë, Bullgarinë dhe Jugosllavinë, dhe ka këmbyer përsëri ambasadorët me Poloninë. ( Shih po aty).

Pothuajse 10 vjet më vonë, Kremlini zyrtar duket se i rikthehet sërish çështjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, duke tentuar ta joshë, siç dëshmon në vitin 1976, revista e mirënjohur gjermane “Der Spiegel”: Me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Shqipërisë, më 11 Janar 1976, Moska zyrtare i cilësoi shqiptarët sërish si "popull vëlla" pavarësisht se Shqipëria nën drejtimin e Sekretarit të Partisë së saj komuniste, Enver Hoxhës, i ka ndërprerë marrëdhëniet me BRSS qysh në vitin 1960, ka dalë ndërkohë edhe nga Traktati i Varshavës e tashmë qëndron plotësisht në krah të Kinës.

BRSS ka ofruar me këtë rast edhe "rivendosjen e miqësisë e të bashkëpunimit" – ndërkohë që Hoxha, përkundrazi, para pak kohësh ka deklaruar se ka ndërmend të bëjë publik (në vitin 1980) protokollin e plotë të takimeve të fundit që ka pasur me Kremlinin, para se marrëdhëniet të merrnin fund.

Ato tentojnë të sjellin një këndvështrim të rrallë mbi sjelljet e liderëve komunistë në përballje me njëri-tjetrin dhe të bëjnë më të qarta rrethanat, në të cilat Moska u detyrua të humbasë një aleat të bindur të saj – si dhe një bazë navale në Mesdhè. ( Shih:Chruschtschoë: Sie haben mich bespuckt; Revista “Spiegel” Nr. 7., 09.02.1976,  fq. 84-91)

OFERTAT AMERIKANE, TË HERSHME

Mirëpo asnjë nga këto përpjekje nuk rezultoi të kishte sukses. Por më parë, iniciativa më pozitive dukej se vinin për Tiranën komuniste nga një drejtim tjetër, dhe pikërisht nga SHBA. Qysh në vitin e largët 1957, sipas të njëjtit burim, na vjen një lajm në dukje sensacional edhe për vetë historianët, ku shkruhej se: Departamenti Amerikan i Shtetit dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Europën Lindore, në mënyrë që të mbështesë e motivojë më shumë lëvizjet komuniste me karakter nacionalist ndër shtetet satelite të Moskës.

Kufizimet për udhëtime drejt Bullgarisë sapo janë hequr, dhe shumë shpejt shtetasit amerikanë do të mund të udhëtojnë edhe drejt Shqipërisë. Departamenti i Shtetit po përgatitet në terma më afatgjatë, të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, të cilat u ndërprenë në vitin 1946. Ndërkohë, edhe në republikat sovjetike: Bjellorusi dhe Ukrainë, ky Departament ka ndërmend madje, të dërgojë përfaqësues diplomatikë.

Ajo që duket akoma më interesante në gjithë këtë histori, është fakti se në këtë kohë, Tirana ishte në kulmin e miqësisë me sovjetikët, e nuk kishte pse të ngjallte aq interes, paçka se përplasjet ideologjike me udhëheqjen e re sovjetike, nën rrogoz kishin filluar me kohë.

Duket se Departamenti Amerikan i Shtetit, kishte nuhatur me kohë se ç´bëhej dhe ndoshta ushqente shpresën e vakët se Tirana do të bindej për t´u afruar e rivendosur edhe një herë marrëdhëniet me Uashingtonin, në mënyrë që Enver Hoxha të mund të ruante pozitat e tij, tashmë si një komunist nacionalist (e jo më si një proletar internacionalist) ë guxon të kundërshtojë Moskën, çka i shkonte për shtat politikave që inkurajonte SHBA, siç kishte bërë dikur me Jugosllavinë.

Projekti, sipas asaj çka hasim në rreshtat e medias gjermane në fjalë, kishte gjasa të vihej në jetë pra, pas disa apo shumë vitesh, pasi aty thuhet se po punohej “në terma afatgjatë”. Sidoqoftë, kjo do të vinte pas një pune intensive e negociatash të vështira në këtë drejtim, të cilat duket se kanë vijuar vetëm në një kahje, atë amerikane, pra praktikisht nuk rezulton të jenë zhvilluar kurrë.

Me gjithë dështimet, raportime të rralla haseshin tek-tuk në mediat perëndimore edhe gjatë viteve `70, për bisedime të fshehta, shpresa për normalizim marrëdhëniesh apo oferta lindore e perëndimore për regjimin e Hoxhës. Vjena, Beogradi, apo dhe ndonjë vend tjetër, rezulton të kenë qenë mëse një herë vendtakime për bisedime “underground”, që nuk sollën asnjëherë rezultate.

FILLIMVITET ´80, LËVIZJE TË PAPARASHIKUARA

Ndërkohë, me fillimin e viteve ´80, lëvizje të befta e të paparashikuara tronditën papritur këtë realitet. Nisja e demonstratave në Kosovë dhe marrja fund e një të ashtuquajturi “muaj mjalti” mes Jugosllavisë e RPSSH-së, dhe në fund shpërthimi i valës më të ashpër të spastrimeve që historia e pasluftës në Shqipëri kishte njohur ndonjëherë në nivelet e saj më të larta shtetërore e qeverisëse, bënë që ofertat e ripërsëritura për rivendosje marrëdhëniesh me shtetet perëndimore e gjithashtu edhe me Moskën, të bëheshin nul e të hidheshin për të disatën herë në koshin e plehrave.


VITET ´70

Epokë ndryshimesh, jo vetëm kozmetike

Vitet ´70, në shumë aspekte nisën të flasin për një zgjerim të marrëdhënieve diplomatike dhe tregtisë me jashtë, dhe u duk sikur tashmë Shqipëria ndoshta po e ridimensiononte politikën e saj drejt hapjes së mëtejshme me Perëndimin, por edhe drejt ish-vendeve të Bllokut të Demokracive Popullore, dikur të trajtuar si vëllezër”.

Madje, në këtë kohë, në një kritikë të bërë po në këto media të mirënjohura gjermanoperëndimore, pas botimit të një libri me informacione rreth Shqipërisë, shkruhej se: autori duhej të thellohej më shumë, ndërsa shkruante se Shqipëria qenkësh e izoluar, duke i kujtuar autorit se ai qenkësh i paaktualizuar në informacione, ndërsa përmendeshin hapat e fundmit të Tiranës zyrtare për vendosje marrëdhëniesh me vende si Suedia apo Zvicra, apo edhe rishikimi me kahje pozitive i politikave me fqinjët. (Shih: Albanien im Ëandel; Gazeta  “Zeit”, 20.11.1970 / Nr. 47 )


PROPOZIMET MIQËSORE

Tirana, goditje Lindjes dhe Perëndimit

Kështu, në po të njëjtën gazetë, por tashmë pas disa viteve (në vitin  1983) thuhej se: S´ka shumë kohë që Shqipëria akuzoi shefin e ri të Kremlinit, Andropov, se “po përdor gjuhën e një diktatori fashist”. Propozimeve të Andropovit për afrim dhe rivendosje të marrëdhënieve diplomatike, shteti i vogël nacionalkomunist i Ballkanit u dha një goditje ironike.

Shqiptarët po ashtu, mësohet se do të refuzojnë edhe 36 milionë dollarët në vlerë ari, të cilat së fundmi ia kanë ofruar amerikanët, anglezët dhe francezët – me synim normalizimin e marrëdhënieve dhe si dëmshpërblim për thesarin shqiptar, i cili u zhvendos drejt Londrës, në përfundim të Luftës së Dytë. (Shih: Ein Held und viele Schurken; Gazeta “Zeit”, 14.01.1983/Nr.03)

Në vazhdën e kësaj logjike, gazeta në fjalë, më tej na ofron një artikull të gjatë, i cili lidhet me momentin e vrasjes së Mehmet Shehut, duke u munduar të analizojë shkaqet e të nxjerrë në pah detaje rreth saj, por që hasin më së shumti në terrin informativ të ofruar nga realiteti i asaj kohe në Shqipëri. Në krye, artikullshkruesi thekson faktin se Tirana zyrtare ka hedhur edhe një hap tjetër fatal që e çon atë të zhytet edhe më tej në izolim nga bota e jashtme.

TABLOJA SINOPTIKE

Ja si politika mund të deformojë historinë


Gjithashtu, në fund të artikullit, gazeta në fjalë sjell për lexuesit e vet, pjesë nga e ashtuquajtura “tablo sinoptike” rreth veprës agjenturore të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, marrë nga libri (asokohe i sapodalë në qarkullim) i diktatorit Hoxha “Titistët”, nga ku, siç shkruan gazeta gjermanoperëndimore (“Die Zeit”, 14.01.1983 Nr. 03) del se: duke i lexuar ato, përfton një ide më të qartë mbi metodat staliniste, me të cilat  bëhet politika edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, duke tentuar të deformojë edhe vetë historinë.

Meqenëse kjo përmbajtje (dmth tabloja sinoptike dhe pikëpamjet e Hoxhës rreth Shehut pas vrasjes apo vetëvrasjes së këtij të fundit) për shqiptarët tashmë janë të njohura me kohë,  unë nuk po i botoj ato, duke sjellë në vëmendje të lexuesit vetëm pasazhet nga artikulli që do të na interesonin: Vendi i vogël mesdhetar me pozitën e  tij të rëndësishme strategjike, duket se i ka shkëputur sërish të gjitha lidhjet që të çojnë në botën e jashtme.

Pika e kthesës për të marrë këtë vendim duket se ka qenë 17 dhjetori 1981. Në këtë ditë, kryeministri 68-vjeçar, Mehmet Shehu, ka kryer vetëvrasje. Shumë shpejt pas ndodhisë qarkullonin thashetheme që vinin nga Jugosllavia, se në Byronë politike shqiptare kishte pasur këmbime zjarri mes shefit të Partisë, Enver Hoxha dhe Shehut. Të vërtetën mbi vdekjen e Shehut e di vetëm udhëheqja shqiptare.

Por e sigurtë është se mënjanimi i këtij të fundit, nxori në skenë sërish një valë të re spastrimesh, e cila u shtri përgjatë gjithë vitit 1982, e që duket se vetëm tashmë po njeh fundin e saj, duke sjellë me vete zhvendosjet dhe nxjerrë në pah si asnjëherë tjetër, aferat vrastare dhe luftën më të ashpër për pushtet në historinë shqiptare të pasluftës.

Duelit mes Hoxhës dhe Shehut, të cilit në sfond dukej se i ishte ngjeshur përplasja për t´a orientuar Shqipërinë drejt Perëndimit (të cilën mendohet se e përfaqësonte Shehu), por që në të vërtetë u bë për të mënjanuar trashëgimtarin e drejtpërdrejtë të 74-vjeçarit Hoxha, thuajse i ra viktimë i gjithë kabineti qeveritar. Pas Shehut, u rrëzua nipi i tij, Feçor Shehu, në postin e Ministrit të Brendshëm. Atë e ndoqën më pas Ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu (kunati i Shehut) dhe Ministri i Jashtëm, Nesti Nase.

Edhe shefit të shtetit, Haxhi Lleshi, iu desh ta linte postin e tij që e mbante prej 30 vjetësh, në favor të “Princit” të ri të kurorës, që do të pasojë Hoxhën, Ramiz Alia. Po kështu, goditje morën edhe ministrat e tregtisë me jashtë, ekonomisë, ndërtimit, industrisë e minierave, industrisë së lehtë e asaj ushqimore.
Mbi fatin e vartësve të Shehut nuk ka asnjë informacion. Por historia e pasluftës së Shqipërisë, nuk të lë të mendosh gjatë se ata mund t´ia kenë hedhur me ndonjë pasojë të vogël. Në vitin 1948, Hoxha dhe Shehu së bashku rrëzuan përkrahësin e Titos, Koçi Xoxe dhe e ekzekutuan. Mbështetësit e Hrushovit, Liri Belishova dhe Koço Tashko, u rrëzuan në vitin 1961, dhe me shumë gjasa, janë ekzekutuar. (Tirana pretendon se ata jetojnë akoma dhe janë në pension).

Në vitin 1973, funksionarët e lartë të sektorit të Kulturës, Paçrami dhe Lubonja gjithashtu u rrëzuan, dhe ata u bënë asokohe viktima të një fushate tjetër distancimi nga normat perëndimore. Në vitin 1974, Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe ish-zyrtarë të lartë ushtarakë u ekzekutuan për shkak të pretendimit se po flirtonin e thurnin plane me kinezët, jugosllavët dhe rumunët.

Në fund të valës së fundmit të spastrimeve, shefi 74-vjeçar i partisë bëri publik edhe versionin e vet mbi fundin tragjik të Mehmet Shehut. Në librin e tij të sapodalë në treg në libraritë e Tiranës, me emrin “Titistët”, Hoxha “zbulon” se ish-shefi i kabinetit të shtetit të udhëhequr prej tij, paskësh qenë një agjent i hershëm i CIA-s dhe i shërbimit të fshehtë jugosllav, UDB.

Gazeta “DIE ZEIT”, me këtë rast po boton edhe pjesë të shkëputura të pikëpamjeve të Hoxhës, përsa i përket kësaj çështje, pasi duke i lexuar ato, përfton një ide më të qartë mbi metodat staliniste, me të cilën bëhet politika edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, duke tentuar të deformojë edhe vetë historinë.

Sa më i anshëm paraqitet përshkrimi i ngjarjeve dhe përfundimet që nxjerr vetë Hoxha, aq më qartë del në pah se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Hoxha përmend vetëm Partinë dhe popullin si shpëtimtarë. Me fjalë të tjera: Qeveria, Ministria e Brendshme dhe thuajse i tërë aparati shtetëror, paskëshin qenë kundra kursit të tij. Kjo të bën të kuptosh se çfarë lufte për pushtet e pret pasuesin e dizenjuar të Hoxhës, Ramiz Alia, kur diktatori aktual, tashmë 74-vjeçar, të lerë pushtetin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Pas ceremonisë së Ngritjes së Flamurit, Rama me Kurtin takojnë nipin e Ismail Qemalit, Nedin Vlora, tek sheshi i Flamurit

Pas ceremonisë së Ngritjes së Flamurit, Rama me Kurtin takojnë nipin e Ismail Qemalit, Nedin Vlora, tek sheshi i Flamurit