Në qytetin e Bulqizës toka nuk është më e qëndrueshme si dikur.

“Toka ka lëvizur rreth 4 metra”, thotë is -kryetari i fshatit Vajkal Bashkim Çupi ndërsa tregon konkretisht çfarë ka ndodhur me banesën e tij.

Çarje të reja shfaqen herë pas here në rrugë, në oborret e shtëpive dhe pranë banesave, duke kthyer frikën në një realitet të përditshëm për banorët.

“Kanë ardhur inxhinierë e studentë nga Tirana ta shohin, por nuk na thanë asgjë se çfarë do të ndodhë më pas. Zero konkluzion!” vazhdon sqarimin Çupi, një ndër të paktët që ka mbetur në këtë zonë.

Dikur këtu banonin rreth 25 familje. Sot kanë mbetur vetëm gjashtë. Të tjerët, pasiguria i largoi. Një prej tyre është edhe Gentjan Stafa të cilin e gjejmë duke parë dëmtimet e shtuara nga toka që rrëshqet ngadalë por pa u ndalur.

“Këtu kam lindur e jam rritur. Kam tre vjet që jam larguar për sigurinë e fëmijëve. Shkova në qytet. Falenderoj bashkinë që po më ndihmon me pagesën e qirasë”, tregon Gentjani.

Si ai janë larguar edhe të tjerë, disa në Itali apo në vende të tjera, pa shpresë se shtëpitë e tyre do të bëhen të banueshme një ditë. Ata që vazhdojnë ende të qëndrojnë mes pasigurisë dhe pritjes për zgjidhje, përballen çdo ditë me një tokë që duket se po lëviz nën këmbët e tyre.

“Çfarë sigurie mund të kesh këtu kur lëviz toka gjysmë metër në 2-3 javë,” thotë ish-kryetari i fshatit Vajkal.

Bulqiza, e njohur për aktivitetin e saj minerar ndër vite, ka një strukturë të ndërlikuar nëntokësore.

“Ka dy shkaqe që çojnë tek lëvizjet e sipërfaqes së tokës në Bulqizë. Shkaku i parë është shfrytëzimi nëntokësor të trupit të kromit që ka një strukturë e cila shtrihet nga Dhoksi në drejtim të Qafës së Buallit. Dhe në minierë sistemi i shfrytëzimit është me hapësira të hapura”, shpjegon Prof. Dr. Gafur Muka.

Ai tregon se pasi merret minerali i kromit, krijon hapësira sa trashësia e trupit apo edhe më të mëdha se trashësia e trupit. Duke qenë se shkëmbinjtë e tavanit të çdo krahu të trupit minerar janë të karakterizuara nga një tektonikë e fuqishme në masa të tilla e cila lejon shkëputjen e topave të tavanit, ndodh që këto bien dhe për shkak të zgjerimit të volumit krijohet një jastëk mbështetës për sipërfaqjen më lart. Ky jastëk e frenon në shumë raste daljen e ndikimit në sipërfaqe.

Por në rastet kur struktura është afër sipërfaqes së tokës, trashësia e shkëmbinjve është 40-50 metra dhe trashësia e aluvioneve është tek 12 metra atëhere ç’ndodh?

“Në këto kushte, për shkak se struktura ka dy krahë, atje ku një krah ka rënie më të madhe dhe tjetri më të vogël, materiali thithet nga pjesa e trupit që ka rënien më të madhe dhe direkt materiali bie poshtë dhe nuk e krijon shpejt këtë jastëkun mbështetës në mënyrë që të dalë në sipërfaqe”, shpjegon studiuesi Muka sipas të cilit kjo ka ndodhur në minierën e Bulqizës që në fillim të viteve ’70.

“Ka qenë një një hinkë që është krijuar tek zona e parë që ishte vendosur edhe impianti dhe në një moment të caktuar rrëshqiti, u shemb përnjëherësh një pjesë e sipërfaqes së tokës dhe godina ku ishte impianti u nda në dy pjesë. Ishte fat i madh që punonjësit ndodhenin në krahun që nuk u shemb. Dhe që atëherë lindi domosdoshmëria e studimit të lëvizje së sipërfaqjes së tokës në Bulqizë “, vazhdon shpjegimin Prof. Dr Gafur Muka i cili pas një studimi të detajuar konludoi që ky është një fenomen që do të vazhdojë, duke e emërtuar “dalja e hinkave në vazhdim”. Dhe që atëherë kanë dalë shumë hinka deri para disa vitesh kanë qenë rreth 12 të tilla dhe sot mund të jenë bërë akoma më shumë”, nënvizon ai.

Sipas specialistëve, boshllëqet e krijuara nga shfrytëzimi i mineraleve, të kombinuara me prurjet e ujërave, mund të përshpejtojnë procesin e deformimit të sipërfaqes. Kur kemi ndërthurje të formacioneve të brishta gjeologjike me ndërhyrje njerëzore dhe me reshje intensive, rreziku rritet ndjeshëm.

“Për pjesën e gropës që është krijuar në luginën e Vajkalit shkaku është ikja e ujrave nga lugina. Po pse ikën ujrat? Aty nga fillimi i viteve ’70 është projektuar një punim nga Klosi deri tek pusi nr. 2 i Bulqizës. Punimi quhet: traverbanku i Bulqizës. Gjatë avancimit të këtij punimi në distancë rreth 5 km nga hyrja, u kontaktua një prishje e madhe tektonike e cila në mënyrë të menjëhershme solli rritjen e madhe të sasisë së ujit që erdhi nëpërmjet kësaj tektonike. Sasia u rrit nga 100-150 litra në sekondë deri në 300 litra në sekondë. Në këtë kohë për shkak të ikjes së ujit filloi “boshatisja” e shtresave që përbënin sipërfaqen e shtresave gjeologjike të Bulqizës, pra filloi një boshatisje dhe ngjeshje e tyre. Në momentin kur uji erdhi, veçanërisht në stinën e dimrit, ai e gjeti shtratin në mënyrë të tillë që të futej e të vendosej mbi këto shtresa dhe u krijua ulja e sipërfaqes së tokës. Në fillim në masë të vogël dhe më pas deri në 6,5 m kur e kam matur unë për herë të fundit, por edhe më shumë mund të jetë tani. Ky është edhe shkaku i vetëm që e ka shkaktuar këtë gjë. Para se të hapej traverbanku i Klosit nuk kishte lëvizje të sipërfaqes midis qytetit të ri e qytetit të vjetër të Bulqizës”, shpjegon studiuesi Muka.

Deformimet e nëntokës kanë cënuar edhe rrugën e Arbrit. Ndonëse është riasfaltuar disa herë, lëvizjet e pa ndërprera nxjerrin në pah rënien e saj deri në një metër.

“Dhe kjo tregon që fenomeni zhvillohet”, nënvizon z. Gafur Muka sipas të cilit edhe parku Retro që ka nisur të ndërtohet është në rrezik “nëse është ndërtuar poshtë ose në kufijtë e tektonikës.”

Gjithashtu një shtyllë tensioni e sistemit 110kV rrezikon shembjen. Ajo ndodhet në afërsi të rrugës së varrezave të qytetit të Bulqizës. Kjo shtyllë e tensionit të lartë lidh nënstacionin elektrik të Bulqizës me linjat e Peshkopisë. Në këtë zonë sipërfaqja e tokës është çarë dhe ka pësuar lëvizje rreth 1m, si pasojë edhe shtylla është deformuar.

Që gjithçka të rregullohet e të mos vazhdojë më tej rreshqitja e tokës, tre janë mënyrat e zgjidhjes sipas literaturës për këto raste, tregon studiuesi Muka.

“Punë e parë është të mbushet gropa e krijuar dhe mbi të të vendoset një shtresë produktive dhe të mbillen pemë, kryesisht pisha sepse ky është druri karakteristik i kësaj zone. E dyta është që të lihet kështu siç është dhe përqark të bëhet një zonë me kalldrëm dhe të mbillen dy rreshta pishash duke realizuar një unazë që unë e kam emërtuar “unaza e pishave”. E treta është që të gjitha objektet që ndërtohen brenda kësaj zone të marrin në konsideratë këto deformime që në fazën e ndërtimit, por kjo është një masë që është e vështirë të realizohet në kushtet e Bulqizës dhe nuk ka objekte shumë të rëndësishme sepse kjo zonë nuk është shumë e populluar. E rëndësishme është edhe pastrimi i kanalit kullues sepse në kohën e shirave krijohet përmbytje”, thotë ai.

Të gjitha këto kërkojnë monitorim të vazhdueshëm dhe studime të thelluara hidrogjeologjike, thekson më tej Prof. Dr. Gafur Muka, i cili ka mbrojtur dhe doktoraturën e tij me detajimin e këtij fenomeni që ka ndodhur edhe në Meksikë, Bangkok, Xhakarta, Venecia apo edhe në Gjermani.

Por përtej të gjitha këtyre konstatimeve, banorët kanë rreth 10 vjet që kërkojnë masa konkrete sepse toka vazhdon t’u rrëshqasë nën këmbë e bashkë me të edhe mundi i një jete të tërë.