Kur të zë dashuria

Kur të zë dashuria

Ç'është vallë dashuria? Përse njerëzit përherë diskutojnë për të, ndërsa poetët i këndojnë pothuaj në të gjitha vjershat e tyre? Ja çfarë çështjesh e shqetësonin Anastasion. Përse vetëm ai nuk e kishte provuar atë ndjenjë, të cilën të dashuruarit e quajnë dashuri?

A thua të jetë trillim, ose, ndoshta, ndonjë mashtrim i njohur, me anën e të cilit njerëzit shpirtvegjël përpiqen të shpëtojnë nga zbrazëtia e jetës, nga topitja e pashmangshme? Sepse, sipas mendimit të Anastasios, në botë nuk kishte gjë më boshe dhe topitëse, më e kotë dhe e pakuptimtë, sesa jeta e njeriut.

Dhe vërtet, i shkreti Anastasio bënte një jetë mjerane, pa dëshira dhe synime, dhe jo një herë ishte bërë gati, do t'i jepte fund jetës, sikur të mos e kishte përmbajtur ajo shpresë e mjegullt, e pashkëputur prej tij në të gjitha fatkeqësitë, shpresa për të njohur dashurinë. Në kërkim të dashurisë ai vazhdonte të bridhte nëpër botë, duke ëndërruar çastin, kur do ta haste atë një ditë të bukur në ndonjë kryqëzim rrugësh.

Pasurinë ai nuk e lakmonte, zotëronte një pasuri modeste, por të mjaftueshme, etjen ambicioze për ndere dhe lavdi ai nuk e njihte, pushtet dhe forcë nuk kërkonte. Atij i dukej se nuk ka në botë qëllim, të cilit ia vlente të bëje përpjekje për arritjen e tij, dhe brenga e tij e dëshpëruar nuk priste ndonjë lehtësim sado të vogël as nga shkenca, as nga arti, as nga shërbimi publik. Duke qenë në pritje për të provuar dashurinë, ai kishte lexuar Ekleziastin.

Ai studioi poezinë e lartë erotike, punime shkencore që zbërthenin marrëdhëniet burrë e grua, romane dashurie dhe zbriti, së fundi, deri tek shkrimet e varfra, të destinuara për atë, që ende nuk ishte bërë burrë, ose që në një farë mënyre nuk ishte më burrë: me një fjalë, ai zbriti gjer tek literatura pornografike. Por edhe këtu, ai, natyrisht, më pak se kudo ra në gjurmët e dashurisë.

Por kjo, nuk do të thotë aspak se Anastasio ishte njeri i papjekur, pervers ose i paaftë, i privuar nga mëkati trupor. Jo, ai dallohej nga burrat e tjerë vetëm ngaqë nuk e kishte njohur kurrë dashurinë. Atij as nuk i shkonte nëpërmend ta quante dashuri tundimin e çastit, të cilin trupi e harron menjëherë, sapo të zhduket figura ngacmuese. Të gjeje në këtë hyjnizimin kërcënues e ndëshkues, gëzimin e jetës, sovranin e shpirtrave, atij i dukej po aq sakrilegj, sa në qoftë se ndokujt do t'i shkrepej të hyjnizonte dëshirën për të ngrënë me shije. Hyjnizimi i tretjes së ushqimit është ofendim për shenjtërinë.

Jo, në këtë botë për Anastasion e shkretë nuk ekzistonte dashuri. Ai kishte lexuar dhe rilexuar legjendën për Tristanin dhe Izotën, rrekej në arsyetime për romanin e tmerrshëm të portugalasit Kamilo, Kastelo Branko "Gruaja fatale". "Vallë a do të ndodhë kështu edhe me mua? - mendonte ai. - A do të më tundojë vallë befas edhe mua ndonjë grua fatale?"

Dhe në kërkim të kësaj dashurie ai vazhdonte të bridhte nëpër botë. "Do të vijë dita, - mendonte ai, - kur edhe mua do të më lerë kjo hije e turbullt shprese për të gjetur dashurinë. Ç'do të bëhet me mua, kur të më vijë pleqëria, se përsa i përket rinisë dhe moshës së pjekur, unë ato nuk i kam njohur - kur t'i them vetes: unë ende nuk kam jetuar, ndërsa tashti s'ka më jetë për mua!"

Dhe ai u kredh në pesimizëm.

Ai nuk kishte dashuruar asnjëherë dhe, i dukej, se edhe nuk qe dashuruar prej ndokujt. Por ai mendonte se, të mos dashuroje, ishte shumë më keq, sesa të mos ishe i dashuruar prej ndokujt, në qoftë se dashuria është vërtet ashtu, siç e përshkruajnë poetët. Por nga ta dinte Anastasio, nëse i kishte ndezur apo jo zjarrin e dashurisë fshehurazi ndonjë zemre gruaje? A nuk ndizesh vallë me flakën e dashurisë edhe nga një statujë e mrekullueshme? Dhe ai, si statujë, ishte i mrekullueshëm. Sytë e zinj, që digjeshin nga një zjarr misterioz, dukej sikur të shikonin nga sfondi i errët i mërzisë, të mbushur plot me dëshira; goja pak e hapur dukej sikur vuante nga etja torturuese; e gjithë qenia e tij drithërohej nën pushtetin e fatalitetit.

Dhe ai bridhte nëpër botë, i dëshpëruar i largohej me nxitim çdo gjëje, kalimthi u hidhte ndonjë sy mrekullive të artit dhe të natyrës dhe thoshte me vete: "Ç'duhen tërë këto?"

Ishte një mbrëmje e qetë vjeshte. Drurët, me gjethet e zverdhura, kishin marrë ngjyrën e stinës, ndërsa gjethet që binin, rrëmbeheshin nga era e lehtë dhe qerthullonin mbi bar. Reja e vogël, që mbuloi diellin, u shpërbë dhe copa - copa u përhap në qiell. Anastasio nga dritarja e vagonit shikonte kodrinat që i fluturonin solemnisht para syve. Në stacionin e Alisedit, ku zakonisht pasagjerët merrnin diçka për të ngrënë, ai doli dhe u drejtua nga bufeja, e mbushur plot me valixhe.

Pa i kushtuar vëmendje asgjëje, ai u ul në tavolinë dhe po priste t'i sillnin supën. Por kur ngriti sytë dhe pa i hutuar vargun e gjatë të njerëzve që hanin, ai hasi në shikimin e një gruaje. Në atë çast ajo po fuste në gojën e saj të madhe, të freskët e të lagësht, një copë mollë. Ata ia ngjitën sytë njëri - tjetrit dhe u zverdhën. Dhe secili u zverdh edhe më shumë, kur pa zbehjen e tjetrit. Që të dy filluan të gulçojnë. Anastasio nisi të ndiejë në këputje trupore; mornica të ftohta e përshkuan trupin e tij.

Gruaja e vari kokën mbi duar sikur t'i kishte rënë të fikët. Anastasio, përveç saj, nuk i zinte syri njeri, të gjithë përreth i mbuloi mjegulla; ai u ngrit, i drithëruar i tëri, i afrohet asaj dhe i pëshpërit pothuaj në vesh, me buzë të thara dhe të etshme, duke u dridhur dhe gulçuar:

- Ç'keni kështu? Ju ndiheni keq?

- O, asgjë, asgjë!… Ashtu kot… Ju faleminderit…

- Më lejoni… - dhe me dorën që i dridhej kap dorën e saj për t'i matur pulsin.

Por në të njëjtin çast një rrëke zjarri vrullonte sa tek njëri, tek tjetri; faqet iu ndezën.

- Ju keni zjarrmi… - foli ai me një afsh, që mezi u dëgjua.

- Zjarrmia… është e jotja… - me një zë që sikur vinte nga një botë tjetër, përtej anës së vdekjes.

Anastasios iu desh të ulej; gjunjët po i këputeshin nën peshën e zemrës, që rrihte e alarmuar.

- Ju nuk mund të udhëtoni në këtë gjendje, - foli ai mekanikisht.

- Po, do të qëndroj këtu, - përgjigjet ajo.

- Ne do të qëndrojmë këtu, - përsëriti ai pas saj.

- Po, do të qëndrojmë… Dhe unë do të tregoj! Do t'i tregoj të gjitha! - tha ajo.

Ata i morën valixhet, zunë një pajton dhe shkuan në qytetin Alisada, pesëmbëdhjetë kilometra larg stacionit. Në pajton ata qëndruan përballë njëri - tjetrit, gjunjët e tyre prekeshin, shikimet treteshin dhe gruaja duke e mbajtur për dore Anastasion, i tregonte atij për veten. Edhe me të kishte ndodhur e njëjta gjë. Sikurse ai, ajo bridhte nëpër botë për të gjetur dashurinë; sikur ai, ajo kishte frikë se dashuria ishte një mashtrim i tmerrshëm, me të cilën njerëzit kanë rënë në ujdi të fshehin zbrazëtinë e jetës.

Kështu rrëfeheshin ata, teksa zemrat e tyre rrihnin gjithnjë e më qetë. Emocioni tragjik, që i pushtoi ata në fillim, ia la vendin një qetësie të frikshme, që i ngjasonte vdekjes. Atyre i dukej se e kishin njohur njëri - tjetrin gjithë kohën, ende para sesa të lindnin, e megjithatë e gjithë e kaluara u ishte fshirë nga kujtesa, e tashmja u bë e përhershme, por koha po mbaronte.

- Ah, sikur të të njihja më parë, Elefteri! - tha ai.

- Përse, Anastasio? - e kundërshtoi ajo. - Përkundrazi, më mirë që nuk jemi takuar më parë.

- Po koha e humbur?

- Mos vallë e humbëm kot tërë këtë kohë, kur kërkonim kaq shumë, kur kishim kaq mall, kur prisnim të etur të takoheshim?

- Por unë tashmë e humba shpresën se do të mund të të gjeja.

- Jo, po të të kishte zënë dëshpërimi, ti do t'i kishe dhënë fund jetës.

- Ke të drejtë.

- Edhe unë do të bëja të njëjtën gjë.

- Po tashti, Elefteri, që nga ky çast dhe më tutje…

- Mos fol për të ardhmen, Anastasio; na mjafton e tashmja.

Ata heshtën. Nga thellësia e pafundme, që kishte farkëtuar ekstazën e tyre, u ngrit një oshëtimë misterioze. Ata u krodhën në mendime të tilla fatale, ku nuk kishte vend as për alegri, as për gëzim.

- Nuk duhet menduar për të ardhmen, - nisi përsëri të fliste ajo, - edhe për të shkuarën jo. E harrojmë si njërën, ashtu edhe tjetrën. Ne u takuam, ne e gjetëm dashurinë dhe kjo mjafton. Hë, Anastasio, ç'ke për të thënë tani për poetët?

- Do të them se ata gënjejnë, Elefteri, gënjejnë; por pak ndryshe, jo ashtu, siç e mendoja më parë. Gënjejnë, natyrisht: dashuria nuk është ajo, të cilës ata i këndojnë himne.

- Vërtet, Anastasio; unë e ndiej tani se nuk mund t'i këndohet dashurisë.

Dhe përsëri ra heshtja, një heshtje e gjatë; ata rrinin të kapur pas dore dhe e shikonin në sy njëri -tjetrin, sikur të përpiqeshin të lexonin në thellësinë e tyre sekretin e fatit të tyre. Papritur që të dy i pushtoi një dridhmë.

- Ti po dridhesh, Anastasio?

- Edhe ti, Elefteri?

- Po, ne të dy po dridhemi.

- Nga se?

- Nga lumturia.

- E tmerrshme qenka kjo, lumturia; nuk di a do ta përballoj dot.

- Aq më mirë; kjo do të thotë se është më e fortë se ne.

Ata u kyçën në dhomën e pistë të hotelit të varfër. Kaluan njëzet e katër orë, edhe njëzet e katër të tjerat ishin në përfundim, kurse ata nuk jepnin asnjë shenjë jete. Më së fundi, pronari, i shqetësuar se trokitjes së tij në derë nuk iu përgjigj asnjeri, e theu derën. Ata ndodheshin të shtrirë në krevat, të përqafuar, lakuriq, të ftohtë, borë të bardhë. Mjeku me përvojë me bindje deklaroi se as që mund të diskutohej se bëhej fjalë për një vetëvrasje (megjithëse në fakt kështu ishte) dhe se shkaku i vdekjes, sipas gjasave, ishte zemra e sëmurë.

- Si, të dy? - thirri pronari.

- Të dy! - përgjigjet mjeku.

- Pra, ajo qenka sëmundje ngjitëse! - Dhe pronari e vuri dorën në anën e majtë të gjoksit, ku, sipas mendimit të tij, duhet të ndodhej zemra e tij.

Ngjarjen, mendoi ai, duhet ta mbanin të fshehtë, për të ruajtur reputacionin e hotelit, ndërsa dhoma, sido që të jetë, duhet dezinfektuar.

Kufomat nuk u identifikuan. Ata i çuan nga hoteli drejt e në varreza dhe i varrosën ashtu, siç i gjetën: lakuriq, të përqafuar; i vendosën në një varr dhe e mbuluan varrin me dhe. Dheun e mbuloi bari, barin e ujiste shiu. Qielli i çoi ata në vdekje, vetëm qielli i vajtoi.

Ndërsa pronari i hotelit në Alisedo, arsyetonte për atë që ndodhi dhe thoshte: "Vetëm jeta mund të trillojë gjëra të tilla!" - dhe mbërriti në një konkluzion të thellë të fushës së drejtësisë: "Ah, këta muajt e mjaltit! Duhen ndaluar martesat midis njerëzve me sëmundje zemre!"

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Po transportonin 10 kg kanabis me makinë, arrestohen 2 persona

Korçë/ Po transportonin 10 kg kanabis me makinë, arrestohen 2 persona