Asnjëherë më parë, por edhe më pas, deri sa diktatura shqiptare ra, nuk kishte ndodhur të arratiseshin emra të këtij niveli shtetëror dhe prestigji politik. Në Tiranë Enver Hoxha këtë ngjarje sfiduese do ta shënonte në ditarin e tij vetëm në 20 maj: “Sot në mbrëmje agjencia jugosllave TANJUG komunikoi arratisjen e Panajot Plakut (agjentit të tyre të vjetër) dhe pohoi se Jugosllavia i dha atij strehim politik. Mendoj t’i bëjmë qeverisë jugosllave një notë të shkurtër me gjakftohtësi, duke ruajtur edhe të gjitha format diplomatike, ku t’i kërkojmë kthimin e këtij tradhtari...Notën duhet ta bëjmë, sepse s’kam asnjë dyshim që tradhtarin Panajot Plaku jugosllavët do ta përdorin për qëllimet dhe propagandën e tyre kundër vendit tonë”.
Për këtë të fundit Hoxha në parim nuk gabonte. Mes të tjerash, gjenerali i arratisur, shkroi një libër-testament, të cilin e titulloi “Dhuna ndaj revolucionit në Shqipëri”. Iu botua pas vdekjes, në serbokroatisht, prej “Narodnaja Knjiga” e Beogradit. Përgatitës qenë Predrag Vukotiç dhe Velimir Popoviç. Redaktorë ishin dy jugosllavë të tjerë. Si recensent libri ravijëzon një sllav i pestë: Miodrag Kërxhiç. Shqiptar nuk ka asnjë, as nga Kosova, as prej Maqedonisë, as nga Mali i Zi, as prej atyre disa mijërave që jetonin në kryeqytetin jugosllav. Në vitin 1985, i përkthyer në shqip drejt për së drejti prej variantit origjinal, libri testament i gjeneralit dhe i ministrit shqiptar të arratisur u publikua në Prishtinë nga shtëpitë botuese “Rilindja” dhe “Jedinsvo”.
Në parathënien e përgatitur prej Velimir Popoviçit, atë kohë redaktor i emisionit në gjuhën shqipe të Radio-Beogradit, mes të tjerash thuhet: “Internacionalist në kuptimin e plotë të kësaj fjale, Panajot Plaku vë në dukje me sinqeritet të plotë përkrahjen dhe ndihmën e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për formimin dhe forcimin e Partisë së Punës të Shqipërisë. Për të kjo ishte shprehje e solidaritetit shoqëror të lëvizjes punëtore e komuniste të dy vendeve fqinje, të cilat historia i ka vënë para dilemave të njëjta dhe u ka caktuar fat të ngjashëm. Ndryshe prej atyre që orvaten të shlyejnë një mori faktesh nga ajo periudhë, ndryshe prej Enver Hoxhës, i cili orvatet të tregojë se ndihma internacionaliste dhe përkrahja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë në formimin e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe në zhvillimin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe të revolucionit socialist në Shqipëri është, gjoja, përzierje në punët e brendshme të Shqipërisë, Panajot Plaku konsideron se ishte e natyrshme që Partia Komuniste e Jugosllavisë-për shkak të përvojave, që i kishte fituar gjatë dy decenieve duke marrë pjesë në luftë të ashpër klasore kundër regjimeve antipopullore në Jugosllavinë e vjetër, të interesave të përbashkëta të popujve të Jugosllavisë e të Shqipërisë dhe të internacionalizmit, me të cilën ishte e frymëzuar t’u jepte ndihmë e përkrahje komunistëve të Shqipërisë në kohën e bredhjes së tyre ideore dhe të mosorientimit të tyre organizativ, si edhe në kohën e vështirë të organizimit dhe të zhvillimit të Luftës Nacionalçlirimtare dhe të revolucionit socialist në Shqipëri”.
Ndërkohë në kujtimet e tij, saktësisht në faqen 33 të botimit “Dhuna ndaj revolucionit në Shqipëri”, në kapitullin “Formimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë”, Panajot Plaku shkruan “Pas takimeve të shumta të udhëheqësve të grupeve komuniste në Tiranë, më në fund më 8 nëntor 1941 u mbajt mbledhja historike, në të cilën u formua Partia Komuniste e Shqipërisë. Nga Grupi i Korçës morën pjesë...Në mbledhje ishin edhe delegatët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë Milladin Popoviçi (në atë kohë kandidat për anëtar të Komitetit Qendror) dhe Dushan Mugosha (në atë kohë anëtar i Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovë e Metohi).
Pak paragrafë më poshtë Plaku vendos tufën e fjalëve “Në mbledhjen themeluese ishte jashtëzakonisht i madh roli i delegatëve të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Komunistët e Shqipërisë nuk kishin mjaft përvoja organizative e politike, kështu që-me gjithë dëshirën më të madhe të shumicës së përfaqësuesve-në atë kohë do të ishte e pamundshme të formohej partia pa ndihmën e shokëve jugosllavë”. Ndërkohë, si dihet, sekretari i Komitetit Qendror të PKJ, Milovan Gjilas, në 9 shkurt 1991, tek gazeta “Zëri” e Prishtinës ka pohuar “E di se historiografia jugosllave më vonë e ka stërmadhuar rolin e Miladinit dhe të Dushanit, për sa i përket angazhimit të tyre në Shqipëri...Veçmas e tepron propaganda jugosllave pas vitit 1948, kur thotë se Jugosllavia e ka formuar Partinë Komuniste të Shqipërisë. Kjo nuk është e vërtetë”.
Ja përse në dy shkrime të edicionit kulturor të “Shqiptarja.com”, “Rilindasi”, do të ndjekim për analizë vetëm një “fill” prej të gjithë atij labirinti, në të vërtetë edhe “roman triller”, i krijimit për herë të parë në historinë e vendit tonë të një partie të ekstremit të majtë. Tema jonë (e kufizuar posaçërisht) ka të bëjë me rolin e ideve nacionaliste dhe të vetë së ardhmes së Kosovës në mbledhjen themeluese të PKSH-së. Jo më kot e cituam që në fillim Panajot Plakun. Në librin e tij ai hesht për çfarë ka ndodhur dhe bërë debat i nxehtë gjatë ditëve 8 deri në 14 nëntor, kur kuvendi sekret i komunistëve shqiptarë nisi dhe përfundoi punimet. Ndërsa mosfolja e tij është tepër e kuptueshme, sepse, së pari, nuk qe në mbledhjen e mësipërme dhe, e dyta, ishte arratisur në Jugosllavi dhe në vend të shkonte për në Perëndim, mbeti aty. Për pasojë ai do të mbronte pikëpamjet e Titos dhe të rrethit të tij, të cilat Kosovën e konsideronin pjesë të padiskutueshme dhe të pashkëputshme nga territori i tyre. Prandaj edhe kapaku i rëndë i heshtjes duhej të binte për çfarë qenë kundërshtuar të dërguarit specialë dhe tinëzarë të Beogradit, Miladini dhe veçanërisht Dushani.
Por në rast se pasinqeriteti i Panajot Plakut mund të kuptohet dhe të mos përfillet, meriton të zbulohet para syve të opinionit publik dhe të ngulitet në kujtesën kombëtare mënyra se si u soll vetë Enver Hoxha, i cili nacionalizmin e tij komunist e përdori dukshëm në mënyrën se si, me dorë të ashpër dhe në falimentim të plotë, administroi fatin e vendit dhe të popullit të tij. Ai, deri sa ndërroi jetë, e mbajti të fshehur të vërtetën e shpirtit dhe të frymëzimit nacionalist të mjaft prej komunistëve shqiptarë që themeluan PKSH-në, duke i vënë ata dhe vetë këtë parti, në pozicion të vështirë para historisë.
Më e trishtueshmja është se kjo fshehje e të vërtetës vijoi edhe për sa kohë Shqipërinë u mundua ta qeverisë Ramiz Alia. Pas vitit 1990, ndërsa ndodhi hapja e ideve dhe e lirive të tjera, krimi i djeshëm, tashmë në formë të një gabimi rutinor, vazhdoi. Deri në çastin kur në 2006 Profesor Kristo Frashëri botoi librin e tij “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSh-së 1878-1941”. Por edhe këtë herë, kur shumë prej gjërave të reja të historianit ranë në sy, për debatimin e temës së Kosovës në ditët e mbledhjes themeluese të PKSH-së, nuk u bë zë.
Josif Bros Tito që në 1939 ja pati dhënë si detyrë Miladin Popoviçit kujdesin dhe ndihmën për lëvizjen komuniste shqiptare. Pëlqimi dhe plani i tij për ta mobilizuar vartësin partiak në këtë punë qe sepse ai përfaqësonte Komitetin Krahinor për Kosovën. Kryebolsheviku jugosllav gjykonte se vetëm nëpërmjet shqiptarëve të Kosovës do të mund të depërtonte më lirisht, për të ndikuar, tek shqiptarët e Shqipërisë. Në të vërtetë të njëjtën gjë bënë edhe tre grupet kryesore komuniste shqiptare të parathemelimit, të cilët zgjodhën degën bolshevike të Kosovës për të shkuar deri në Partia Komuniste Jugosllave dhe prej andej në Moskë e Komintern, ku do të merrnin lejen për ta formuar dhe të drejtën e anëtarësimit pas formimit të PKSH-së.
Por çfarë thotë për këtë hallkë ndërmjetëse lidhjeje e bashkëpunimi, rolin e Kosovës, Enver Hoxha? Tek “Kur lindi Partia” ai shkruan “Pasi e diskutuam çështjen, vendosëm dhe dërguam Koçon në Kosovë për të marrë kontakt fillimisht me Xhevdet Dodën, që ishte anëtar i Grupit Komunist të Korçës dhe, nëpërmjet tij, me Komitetin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën. Prisnim që Koçoja të na sillte andej gjëra të reja, por ai pothuajse si vajti, erdhi. Atje u lidh me shokë shqiptarë dhe jugosllavë, por asgjë të rëndësishme nuk na solli”.
Në të vërtetë Koço Tashko në mbledhjen e mbajtur për dy ditë rresht në Vitomiricë, ku ndodhej dega e PKJ-së për Kosovën, luajti rol aktiv. Prej andej u kthye në Tiranë i motivuar dhe siç do ta shohim më pas, edhe kontribuoi që për këtë pjesë të rëndësishme të territorit kombëtar, të shkëputur padrejtësisht, të flitej gjatë ditëve të krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Por Enver Hoxha bën mjaft kujdes, që në dyqind e ca librat që ka lënë pas, ta fshijë këtë gjurmë. Në fillim të duket se një veprim të tillë e kryen për ta spastruar nga rruga e karrierës së tij hijen e rëndë dhe bezdisëse, herë pas here edhe megalomane, të Koço Tashkos, “njeriut të Kominternit”, por nuk është vetëm kjo. Në mijëra faqet e shkruara personalisht prej tij Hoxha nuk e ka rrëfyer kurrë rolin ndihmues të Kosovës (nëpërmjet Komitetit Krahinor të PKJ-së) për lëvizjen komuniste në Shqipëri. Ai asnjëherë nuk e mbajti dhe nuk u kujdes ta fiksonte në vëmendje të bashkëkombësve se vërtet dy protagonistët më kryesorë të ndikimit jugosllav në PKSH, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, qenë sllavë, por në nëntor 1941 dhe gjatë tre viteve të tjera, ku qëndruan e ndikuan fortësisht në PKSH, përfaqësuan më së pari Kosovën. Të tillë perceptoheshin ata prej komunistëve dhe më pas partizanëve, çka edhe vetë e theksonin sa herë u jepej rasti. Pra, me këtë emër që u pikonte mall dhe dhimbje shqiptarëve të shtetit me kryeqytet Tiranën, me këtë prestigj dhe simbol nacionalist të të gjithë etnisë, Kosovën, është kryer prej komunistëve të të dy palëve influencë mbi njëri-tjetrin, si edhe janë mbajtur gjallë ura bashkimi. Në historinë e PKSH-së ka një pjesë kosovare, por ajo ka treçerek shekulli që mbahet e çregjistruar, pothuaj e fshirë.
Profesor Kristo Frashëri në librin e tij për historinë e së majtës saktëson se për një kohë përtej kufirit tonë shtetëror, në viset e bashkëkombësve me kryeqytet Prishtinën, në fillim të vjeshtës 1941 u gjendën njëherësh dy dërgata komuniste të nisura nga Tirana. Ai i Grupit të të Rinjve, që shkoi fshehurazi Dushan Mugoshës, dhe ai i të tre grupeve, përfshi të Korçës dhe të Shkodrës, i cili qe me dijeninë dhe përkrahjen e tij. Madje Mugosha në këtë të fundit ishte figurë qendrore në rreshtimin zyrtar të treshes, me të cilën në bisedimet e Vitomiricës, u përfaqësua Komiteti Krahinor i PKJ-së. Për ta shprehur më saktë: qenë të parët, ata të të Rinjve, të cilët realizuan kontaktin me Partinë Komuniste Jugosllave dhe ishin ata, të cilëve ua komunikuan se do të qe i ngarkuar për Shqipërinë, siç edhe Tito e kishte vendosur më parë, Miladin Popoviçi. Duke qenë se ky i fundit ishte i mbyllur në kampin e përqendrimit në Peqin, për të patur mundësinë t’i ndihmonte, duhej çliruar.
Ishte koha, fundtetori 1941, kur Enver Hoxha i mban sytë katër për të mos humbur asnjë rast të zinte vend kyç në Partinë Komuniste, formimi i të cilës qe vendosur të bëhej dhe tutorët e saj, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, nuk parashikonin ndonjë vështirësi për ta realizuar. Siç dihet, në 8 nëntor, mbledhjen themeluese e hapi Miladini. Duke mos ditur shqip, si Dushan Mugosha, ai fliste jugosllavisht dhe frazë pas fraze, ia përkthenin. Përfytyroheni për një çast këtë moment solemn: Partia Komuniste Shqiptare e nisi jetën nën një gjuhë tjetër, ca më tepër që në perceptimin e përgjithshëm të shqiptarëve ishte një e folur jo mbresëmirë. Ndërkohë Popoviçi dinte frëngjisht, të paktën merrej vesh në këtë gjuhë. Por nuk e përdori. Mbase se nuk arrinte dot të mendonte në atë të folur, të përpilonte direktivat apo konceptet teorike. Por këtë rrethanë, sllavishtfoljen, si një element i spikatur i krijimit të PKSH-së, në kujtimet e tij “Kur lindi Partia” Enver Hoxha nuk e prek fare, e anashkalon. Në fund të fjalës parashtruese, direktive, Miladin Popoviçi, i cili mes shqiptarëve do të merrte edhe pseudonimin e luftës “Aliu”, shtroi para pjesëmarrësve nëse e pranonin rolin e tij dhe të Dushan Mugoshës si të dërguar të Kominternit. Këtë çast, për herë të parë, nisi debati. Ndërsa për rolin e tyre ndihmues për bashkimin dhe themelimin e partisë të gjithë qenë të njëzëshëm, u ndanë për vijimin, pra për rolin e dy jugosllavëve më pas. Sipas Kristo Frashërit, i cili deri tani është studiuesi më i mirë i kësaj teme, që të dy sllavët të iknin në punën e tyre, në PKJ, patën qenë tre vetë dëshirues. Këta ishin Koço Tashko, Anastas Lula dhe Sadik Premte.
Në librin “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878-1941” Profesor Frashëri me këtë rast vëre se “Ai që nguli më tepër këmbë për qëndrimin e dy emisarëve komunistë jugosllavë pranë PKSH edhe pas themelimit të saj, ishte E. Hoxha”. Këtë gjë, të mohuar për dekada të tëra, Hoxha do ta pranonte në plenumin e Beratit, tetor 1944: “Kur u formua partia besimi im për ata dy shokë, Miladinin dhe Dushanin, qe i madh, por unë qeshë pa eksperiencë dhe pa pikëpamje organizative e politike të qarta...Që nga ajo kohë lindi jo një simpati, por një dashuri për Aliun dhe çdo gjë që thoshte Aliu për mua qe një gjë e mirë, e mbaruar”.
Mbështetja e Enver Hoxhës për të dy jugosllavët nuk ishte thjesht servilizëm, por një lëvizje taktike e domosdoshme për ambicien e tij që të mbërrinte në krye të PKSH-së. Ishte pakti që ai bëri me të dy për t’u ndihmuar prej tyre në karrierë. Me siguri kjo gjë nuk i ka pëlqyer fare Koço Tashkos, e cili e njihte këtë aftësi të të përkëdhelurit të tij. Ishte vetë ai, i ledhatuar prej komplimenteve të Enverit, i cili e pati propozuar dhe futur në atë shtëpi sekrete të Tiranës, por njëkohësisht duke e futur edhe në histori. Hoxha në atë 8 nëntor 1941 doli kundër rekomanduesit të tij, sepse në atë mbledhje qe fare e qartë se Tashko nuk do të kishte më pas asnjë rol të rëndësishëm. Kryetarët e grupeve të mëparshëm qenë likuiduar nga e drejta për të shkuar në krye të PKSH-së. Enverit tani i duheshin më të fuqishmit e rinj, Popoviçi dhe Mugosha.
Historianit Kristo Frashëri nuk i ka shpëtuar nga vëmendja edhe një çështje tjetër e mprehtë. Pasi themeluesit e PKSH-së përfunduan problemin e organizimit të brendshëm të partisë, e cila falë modelit sovjetik, por edhe praktikës jugosllave, ishte një strukturë e çeliktë, u hodhën në një temë të re: organizimi i luftës së armatosur. Nga sa ende ka burime për të kuptuar çfarë realisht, midis datës 8 dhe 14 nëntor 1941, ka ndodhur brenda asaj shtëpie tiranase, më parë se për çështje të edukimit dhe të formimit ideologjik të anëtarëve të saj, ishte urgjente ajo e luftës me armë kundër fashistëve pushtues. Kjo emergjencë ndodhte jo aq shumë për nevojat e vendit të tyre, por mbi të gjitha për ato të Bashkimit Sovjetik. Lufta e armatosur qe shërbim ndaj BRSS-së. Mbijetimi i tij nuk kishte të bënte me jetën e një populli, por të një doktrine dhe modeli organizimi shoqëror. Kur Dushan Mugosha në revistën “Nazadatku” të vitit 1972, do të shkruante për çfarë pati ndodhur gjatë formimit të PKSH-së, gjysmëfraza e tij shpjeguese do të qe “proletariati botëror duhet të kryejë detyrën e vet internacionaliste dhe të ndihmojë Bashkimin Sovjetik”. Në arkivin e Ministrisë së Jashtme në Romë ndodhet edhe një letër e ambasadorit italian drejtuar vetë ministrit, kontit Çiano. Është tepër rezervat dhe mban numrin 1680/37. Është nisur nga Moska në orën 21.50 të datës 3 prill 1939. Sipas ambasadorit “...udhëheqësit e Kremlinit shohin në një luftë evropiane mundësinë e një revolucioni proletar në vendet borgjeze dhe e shtyjnë Evropën në këtë drejtim, duke kërkuar t’i krijojnë vetes lehtësira për të lëvizur dhe shfrytëzuar situatën në momentin më të duhur për triumfin e ideologjisë së tyre”.
Kjo ishte njëra pamje e dyfishtë e luftës së armatosur, çlirimi shtetëror dhe social, rifitimi i pavarësisë së Shqipërisë dhe ndërtimi i një shoqërie pa shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Por mund të kishte edhe një objektiv tjetër: çlirimin kombëtar. Ku kishte rast më të mirë që me frymën e bashkimit nacionalist dhe forcën e armëve lëvizja çlirimtare dhe antifashiste shqiptare të përfitonte për të bashkuar trojet e saj të gjymtuara padrejtësisht?
Por përse Enver Hoxha në librin e tij “Kur lindi Partia”, jo vetëm nuk e prek këtë temë, por hesht mynxyrshëm dhe nuk shkruan asnjë fjalë që në ditët e krijimit të saj, në nëntor 1941, nga themeluesit është diskutuar edhe për çështjen e Kosovës? Sipas të shoqes, Nexhmijes, realisht ato kohë botuese e tij, ato kujtime i pati shkruar në vitet 1975-76. Publikimi i tyre, siç dihet, u krye në 1981. Ky qe viti më i stuhishëm i historisë së deri atëhershme të rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës kundër sundimit komunist serb. E kujtojmë lexuesin se në 11 mars rreth dymijë studentë të universitetit të Prishtinës, për pothuaj dy ditë rresht, protestuan, duke kërkuar përmirësimin e ushqimit dhe kushte më të mira në konvikte. Policia i shpërndau. Në 25 mars demonstratat shpërthyen në Prizren dhe një ditë më pas u rindezën në Prishtinë e në qytete të tjera. Këtë herë kishte zemërim dhe revoltë të dukshme. I shtypën me dhunë, duke bërë arrestime masive, pasuar menjëherë me gjyqe dhe dënime të ashpra për “irredentizëm” e “separatizëm”. Tirana dhe PPSH, me në krye Enver Hoxhën, në të vërtetë i morën në mbrojtje dhe kryen një aksion të gjerë sensibilizimi ndërkombëtar. Ja pse tek “Kur lindi Partia”, në kujtimet e veta për ditët e themelimit të PKSH, botuar tamam në këto çaste (por edhe nëse në shtypshkronjë mund të kishin hyrë para marsit, mund të kryhej një ribotim i shpejtë i korrigjuar), Hoxha do të kishte një rast shkëlqimtar të tregonte se meraku kombëtar i komunistëve shqiptarë për fatin e Kosovës dhe të të gjitha trojeve amtare të uzurpuara më 1913, kanë qenë në themel të krijimit të saj, që në orët e para të jetës së saj.
Por ai nuk e bëri këtë, çfarë do t’i jepte shumë më tepër dritë kësaj partie dhe themeluesve të saj, sepse vetë personalisht në mbledhje mbajti qëndrimin e kundërt, të heshtjes. Për interesat arriviste të vetes, duke mos u ndjerë mirë nga kjo prani e dëlirësi atdhetare e bashkëthemeluesve të PKSH-së, bëri tèrè jetën gjithçka ta shfarosën nga kujtesa kombëtare. Ai nuk e tha kurrë se në debatin e çelur mes shqiptarëve dhe dy jugosllavëve, në atë fillim nëntori 1941 ai e kyçi gojën. Nuk mund të thuhet aspak se këtë gjë e bëri nga që nuk e deshi fare Kosovën, sepse kjo do të qe një akuzë e pamerituar, por mund të thuhet me siguri, se për egoizmin e ambicies së tij për pushtet politik, e braktisi atë pjesë të shtrenjtë të kombit, të martirizuar nën një zgjedhë të huaj, të cilën thellë në shpirt e çmonte dhe e donte.