Dita e sotme i ka gjetur besimtarët myslimanë në Kosovë në shtëpi, duke mos kryer ritet fetare për Kurban Bajramin. Me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, sot nuk është falur Kurban Bajrami në xhamitë e Kosovës. Vendimi është marrë si masë për të parandaluar përhapjen pandemisë COVID-19. Por disa qytetarë kanë tentuar të hyjnë në xhami të premten në mëngjes, ku u ndaluan nga Policia e Kosovës dhe u kthyen pas.
Për shkak të situatës së koronavirusit, ditën e djeshme Myftiu i Kosovës ka pezulluar faljen e namazit të Bajramit si dhe të gjitha ritet fetare për 10 ditë në të gjitha xhamitë. Kjo festë e shenjtë i gjeti në mes të pandemisë COVID-19, njësoj si Fitër Bajrami. Vazhdimisht po bëhet apel që të mos zhvillohen vizita familjare dhe të respektohet ruajtja e distancës.