Begtash Zeneli, 62 vjeç nga fshati Vinjoll ra në prangat e policisë së Kurbinit paso blutë i gjetën në banesë 7 kilogramë e 350 gramë lëndë narkotike kanabis.

62-vjeçari me precedent penalë dyshohet se e posedonte lëndën narkotike, me qëllim shitjen në doza. 

Nga pamjet e siguruara nga Policia shihet se i arrestuari një pjesë të kanabisit të mbështjellë me qeska e kishte fshehur në një fuçi uji, ndërsa pjesën tjetër e kishte vendosur në thasë dhe mbulesa.

 “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Streha”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit B. Z., në fshatin Vinjoll, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 kilogramë e 350 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilën dyshohet se ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen në doza.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi B. Z., 62 vjeç, banues në fshatin Vinjoll, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.   Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale”, informoi sot policia

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.