Festa e fishekzjarrëve gjatë ndërrimit të viteve ka rezultuar tragjike për një 16 vjeçar nga fshati Sanxhak i Kurbinit. Adoleshenti me inicialet K. GJ, është gjetur i pajetë nga familjarët në tarracën e banesës teksa ishte ngjitur atje për të plasur fishekzjarrët.

Burimet nga Policia e Lezhës kanë bërë me dije për Report TV, se trupi i pajetë është gjetur nga familjarët e tij. I riu kishte marrë një plagë në kokë që dyshohet se i është shkaktuar nga ndonjë plumb qorr. Por ende nuk është dhënë versioni zyrtar i Mjekësisë Ligjore, pasi dyshime ka se mund të jetë shkaktuar edhe nga ndonjë lëndë plasëse, por për shkak se sipërfaqja e djegies është e vogël, dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga një plumb.

Po të njëjtat burime saktësuan se ekspertiza është bërë fillimisht në Spitalin e Lezhës, por dosja është dërguar në Mjekësinë Ligjore në Tiranë për të dhënë një version të plotë dhe më të saktë të rrenave të vrasjes së 16 vjeçarit. Kjo ngjarje aksidentale me pasoja tragjike, duket se është e paralajmëruar, duke parë përdorimin e armëve të zjarrit edhe këtë fundvit.

Edhe në mediat online qarkullojnë pamje të ndryshme ku duken qytetarë që qëllojnë me armë zjarri të tipit kallashnikov. Kjo video, sipas postimit të një faqeje në internet është xhiruar mbrëmjen e djeshme në zonën e Laçit. Nuk mund të thuhet nëse plumbi që dyshohet se i mori jetën të riut është shkrepur nga kjo armë, por theksohet se mbrëmjen e 31 dhjetorit ka pasur përdorim në masë të armëve.


sanxhak lezhe
Vendi pranë banesës së viktimës në fshatin Sanxhak të Kurbinit

Njoftimi i Policisë:

Informacion paraprak

Me datë 01.01.2018, rreth 01:00 është marrë njoftim se në Spitalin Rajonal Laç, është dërguar nga familjarët pa shenja jete, shtetasi i mitur K.Gj. 16 vjeç, banues në Sanxhak - Kurbin.

Nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se ky shtetas ka hipur në tarracë të shtëpisë për të plasur fishekzjarre, dhe është gjetur më pas nga familjarët në tarracë , pa shenja jete me një dëmtim në kokë.

Pritet ekspertiza mjeko - ligjore për përcaktimin e llojit të dëmtimit në kokë.

Grupi hetimor në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin , po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.