Kurora e maleve, Si e zhduku gjakmarrjen
sundimtari i Malit të zi Petar Petroviç II

Kurora e maleve, Si e zhduku gjakmarrjen<br />sundimtari i Malit të zi Petar Petroviç II
Rreth librit “Kurora e maleve” e Petar Petroviç II Njegosh botuar në Prishtinë 1952, e cila sintetizonte në vetvete historinë, kulturën dhe traditat në provincën e Malit të Zi. 

Një nga veprat më në zë të letërsisë së shkruar ballkanase mendoj se duhet të jetë edhe “Kurora e Maleve” e një prej krijuesve më të njohur sllavë të fillimshekullit të XIX,  Petar Petroviç II Njegosh, i cili u bë i njohur jo vetëm si princ dhe Vlladike i Malit të Zi, por edhe si shkrimtar, poet dhe prijës me vlera. Petar Petroviç Njegosh pati lindur në fshatin Njegush më 13. 11. 1812, ishte djali i Toma Marko Petroviçit që në pagëzim qe quajtur Rade, trashëgimtar i dinastisë së Petroviçëve që nisën të sundojnë në krahinën e Malit të Zi aty nga fundi i shekullit të XVII. Petar Petroviç Njegosh u rrit dhe edukua nën kujdesin e xhaxhait të tij Petar I Petroviç, princ dhe vlladike i mbiquajtur edhe si Pjetri i Shenjtë i Cetinës, me synim që nipit të tij të ardhshëm ti linte trashëgim fronin e princnisë së Malit të Zi. Pasi merr mësimet e para në Bosnjë-Hercegovinë, Rade Petroviç punon dhe sakrifikon për shkollimin dhe zhvillimin e tij kulturor dhe arsimor duke udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës, ku përvetësoi edhe disa gjuhë të huaja si turqisht, italisht,  frëngjisht dhe ra në kontakt me vlerat e pamohueshme të letërsisë dhe histories së atëhershme botërore.
 
Kurorëzohet sundimtar dhe vlladike i Malit të Zi me 18 tetor 1831, pas vdekjes së Petar Petroviç I, kur ishte 17 vjeç, por me nivel kulturor dhe fetar të admirueshëm dhe një nga njerëzit më në zë në Malin e Zi. Kishte një bibliotekë të pasur me libra, fjalorë dhe materiale enciklopedike, mjete të ndryshme studimorë, madje edhe një aparat fotografik, i veçantë për kohën. I mbështetur edhe nga Perandoria Austriake, Petar Petroviç II bëri shumë reforma sidomos në fushën e arsimit dhe kulturës, fushë së cilës i ishte perkushtuar edhe vetë. Për tu shënuar është hapja e shkollës së parë në gjuhën malazeze në vitin 1833, në Cetinë dhe themelimi i shtypshkronjës së pare në Mal të Zi, si një eveniment i rrallë për kohën. Duke qenë njeri me culture të gjërë, ai qe edhe një nga krijuesit më në zë në Mal të Zi.  

Kur pati ardh në pushtet, Njegoshi e gjeti vendin e tij të copëtuar. Krahina ishte e ndarë në 240 fshatra ku dominonin 36 fise, me kryeqendër historike Cetinjën.  Vendi qeverisej bazuar në të drejtën doksore, por gjatë njëzet viteve të sundimit të tij, ai bëri përpjekje të nxirrte vendin nga prapambetja duke bërë reforma dhe duke mposhtur frymën e prapambetur fisnore dhe patriarkale, duke ndaluar kategorikisht sidomos fenomenin e  gjakmarrjes.

Me krijimtari letrare Petar Petroviç Njegoshi është marrë që në moshë të re, kur shkroi përmbledhjen e bukur poetike “Liriada”, ndërsa në vitin 1834 botoi vëllimin poetik “Eremiti i Cetinjës” dhe pak më pas “Ilaç ndaj helmit turk”. Në vitin 1845 boton në Beograd veprën “Pasqyra serbe” një vëllim me poezi popullore qe në një fare menyre e bëri poet të njohur dhe të dashur në vendet sllave. Ka botuar edhe disa vepra të tjera sidomos në poezi, por kryesisht në vargje popullore.

Vepra më në zë e Njegoshit mbetet “Kurora e Maleve”, që u botua në vitin 1847 në Vienë, vepër e cila edhe sot mbahet si kryevepra e letërsisë së kultivuar në Malt të Zi. Tema qëndrore e veprës së Petar Petroviç Njegoshit është lufta e popujve të Ballkanit kundër pushtuesit osman në shek. XVII-XVIII, megjithse ngjarjet që përshkruhen në vepër kanë ndodhur rreth 150 vjet më pare, vepra ka vlera historike dhe letrare. Vepra e Njegoshit ndahet në katër kapituj si: Mbledhja në prag të së Shenjtës Trini, në kuvend ditën e Zojës në Cetinë, Nata e Buzmit Bujar, Krishtlindje dhe Viti i ri. Poema është ndërtuar në rreth 2857 vargje ku lëvizin rreth 52 personazhe,  kryesisht historike, të njohur për bëmat e tyre në krahinë. “Kurora e Maleve” e Njegoshit mbahet si vepër epiko-heroike me shumë elementë të përafërta artistike dhe strukturore me letërsinë e vjetër greko-romake, pasi ashtu si në “Odisenë” e Homerit ku ngjarjet zhvillohen brenda 51 ditëve, edhe në këtë vepër ngjarjet zhvillohen brenda gjashtë muajve.

Gjithë rrjedha e ngjarjeve përshkruan veprimet e personazhit kryesor Danillo I, lindur me 1612 në dinastinë e Petroviçëve dhe vdekur me 1735. Në vitin 1697 u zgjodh princ dhe vlladikë në provincën e Malit të Zi, si pinjoll i dinastisë së familjes mbretërore Petroviç. Është fakt se Danillo I erdhi në pushtet kur Mali i Zi ishte nën sundimin Osman, ndërsa vendi ishte i robëruar dhe i shkatërruar, si rezultat u luftrave dhe ndikimeve negative europiane, populli jetonte në skamje dhe mjerim.

Por princ Danillo I, rridhte nga një fis me tradita, prandaj u përpoq të bënte reforma politike dhe ekonomike për ta nxjerrë vendin nga prapambetja. Sipas studiuesëve banorët e fshatit Njegushë nga rridhte dinastia e Petroviçëve rridhnin nga dy vëllezër, Seroku dhe Rajkua të cilët erdhën nga Bosnjë-Hercegovina aty nga viti 1485, për ti shpëtuar procesit të asimilimit turk. Ky fenomen po ndodhte edhe tani që ai e sheh veten në fronin e Carit të Cetinjës në Mal të Zi, por ai me vullnet dhe këmbëngulje nisi luftën e pandërprerë për ta shkëputuar Malin e Zi nga pushtimi turk, për të bashkuar popullin e copëtuar të krahinës dhe krijimin e shtetit të ri të Malit të Zi. Në këtë kontekst Danillo I, organizoi edhe aksionin e eleminimit të disa pakicave malaze të asimiluar në fenë myslimane, nën presionin e luftës dhe të dhunës, apo mashtruar nga pushtuesit për arësye ekonomike dhe politike.

Princi Danillo I qe ndër të parët udhëheqës të Malit të Zi që synoi të kultivonte në popull idenë e çlirimit nga pushtuesi osman dhe shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi. Ishte edhe luftëtar i shquar dhe i zoti, sepse pati organizuar disa përpjekje kundër ushtrive turke të dislokuara në Ballkan. Në vitin 1715 pritet nga Cari i Rusisë Pjetri I, ku hartoi bashkë me të një memorandum ndihme dhe bashkëpunimi, për të permirësuar gjëndjen e mjeruar të popullsisë së Malit të Zi qe vuante ëndë nën thundrën e pushtuesit osman.

   Pikërisht ky personazh, njeri me vlera kombëtare për Malin e Zi në veçanti dhe popujt sllavë të jugut në pergjithësi, është heroi kryesor i veprës së Njegoshit “Kurora e Maleve”, që siç mësojmë përmes documentëve vdiq në vitin 1735, duke marrë me vete meritën e përpjekjeve të pakursyera për formimin dhe konsolidimin e shtetit në Mal të Zi. Por në ndërgjegjen e tij do të rëndonte për shumë kohë masakra e shfarosjes së vëllezërve malazezë të asimiluar në fenë myslimane, natën e Krishtlindjeve të vitit 1702, gjë që vihet re edhe në vargjet e para të poemës, sepse Princi Danillo I dëshironte që me çdo kusht të ruante dhe të forconte unitetin e popullit të vogël malazez, të ruante të pastër prejardhjen e këtij populli, ritin ortodoks dhe tu printe në luftë kundër pushtuesit osman.

Për këtë arsye ai vendos që bashkë me krenët e fisevemë të njohura të kësaj krahine, malazezët e kthyer në myslimanë të thirren në një kuvend dhe tu bëhej thirrje të hiqnin dorë nga identiteti turk, por pikërisht këtu nisin kontradiktat mes dy palëve, prandaj si zgjidhje e vetme shihet vetëm fenomeni i shfarosjes së tyre, madje në pabesi. Pushkët që dëgjohen natën e Krishtlindjeve,  lajmërojnë se shumë prej malazezëve-turq janë eleminuar dhe mjaft shtëpi të tyre ishin shkrumbuar. I pezmatuar, por edhe krenarë, princ Danillo I festoon pas kësaj masakre, fitoren bashkë me luftëtarët e tij Igumen Stefani, Vuke Borilloviq, vëllezërit Martinoviç etj. Siç theksojnë studiuesit, Mali i Zi kurrë nuk iu nënshtrua pushtimit osman, madje edhe pavarësinë Kongresi i Berlinit ia njohu që në vitin 1878, por rreziku i pushtimit nga Porta e Lartë ka qenë gjithnjë prezent edhe në këtë principatë. Këtë e shpreh edhe Njegoshi tek “Kurora e Maleve” përmes monologut të Vlladikës Danillo I: “…Pa shife dreqin me shtatë dollama, /me dy shpata dhe me dy kunora, /stërnipin e turkut me kuranin, /mbas tij tuba e pjellës së mallkueme…”.

     Por vepra në vetvete përshkruan edhe mjaft kode dhe zakone të trashëguara ndër shekuj në Mal të Zi. Këtë e vë re edhe udhëtarja angleze Edith Durham, e cila gjatë një vizite në këto anë është njohur me veprën e Njegoshit, prandaj thekson: “…Vlladike Petari II ka nxjerrë një përshkrim tëvërtetë sipas traditës vendase për pritjen,  që ne nuk mund t’ia vemë në dyshim…”. Më tej ajo thekson:“…Dita e Shën Lazarit është e shtuna para së Dielës së Pashkëve dhe thuhet se qyqja nuk dëgjohet kurrë para kësaj dite. Disa thonë se vajzat e mbretit Lazar u bënë qyqe dhe vajtojnë ende për vdekjen e nëntë jugoviçëve në Kosovë…”. Ky episod është përshkruar nga Njegoshi në veprën e tij me këto vargje: “…Pash jetën tande, o Drashko, mos e vrit qyqen, /A nuk e din ti, se atëherë do bjerë një fatkeqësi?/A nuk e din ti se ata janë të bijat e Car Llazarit…”. Në veprën e Njegoshit një vend me rëndësi zë edhe përshkrimi i akteve trimërore të heronjve dhe luftëtarëve ballkanas të dalë nga gjiri i popullit. Kështu ai në vepër përmend edhe kryekomandantin legjendar të ushtrisë shqiptare Gjergj Kastriotin, luftëtarin e njohur hungarez Janosh Huniadin, por edhe heroin sllav Milosh Obiliqin që vrau Sulltan Muratin në luftën e Kosovës të vitit 1389, të udhëhequr nga mbreti Lazar.

Ky sultan më pas qe zëvendësuar nga i biri, sulltan Bajaziti. Ndonëse në veprën e tij Skëndërbeut ai i kushton vetëm dy vargje ku ndër të tjera shkruan: “…Skëndërbeu zemër Obiliqi…”, nuk mohon trimërinë e tij, përpjekejet për bashkimin e popullit shqiptar për lirinë e atdheut të tij të robëruar. Studiuesi Pandeli Pani shkruan se “…Duke kaluar përpara syve të mendjes historinë e fushtave pushtuese të osmanëve, betejat, gjakderdhjen, vuajtjet e tmerrshme, problemin e renegatëve që kishin përqafuar  fenë islame, Danilos i duket çdo lloj rezistence e kotë.  Në këtë moment pesimizmi atij i vijnë në mendje kundërshtarët më të sukseshëm të turqve në historinë e Ballkanit, Huniadin dhe Skëndërbeun. Skëndërbeu krahasohet në vepër me heroin kombëtar të serbëve, vrasësin e sulltanit Milosh Obiliq…”, por heroin sllav Njegoshi e përmend më shumë duke i lënë gjithmonë vendin kryesorë, megjithse  mungojnë akte të tjera trimërore. Por e vërteta është se në shumë shkrime të karakterit historik edhe ky hero mendohet të jetë me origjinë shqiptarë.

Megjithatë vemendjen e autorit e tërheq fakti se lufta e Kosovës e vitit 1389 ishte një përpjekje ndërballkanike ndaj një armiku të përbashkët qe udhëhiqej nga një knjaz Llazari, ku Patrioti Milosh Kopiliqi vret Sulltan Muratin. Paralel me fragmentin e veprës së Njegoshit “Kurora e Maleve”, kemi edhe një këngë për luftën e Kosovës. Kënga përshkruan historikisht ngjarjen, duke na paraqitur Sulltan Muratin që shqetësohet në gjumë nga një ëndërr jo fort e këndëshme. Takbirxhiu i tregon se do të sulmohej në Fushë-Kosovë. Por Sulltani është i vendosur të sulmojë Ballkanin, prandaj ushtria pas shumë peripecish vazhdon marshimin dhe arrin në Ferizaj. Sulltani shikon me dylbi krahinën dhë konstaton se ”…shtatë kulla aty kish pasë, /shtatë bajloza aty ishin konë…”. Murati i dërgon fjalë Milosh Kopiliqit qe ti dorëzojë kullat dhe të dorëzohet edhe vetë, Miloshi niset për në Pejë dhë i tregon ngjarjen Krajlit, i cili i sugjeron të dorëzohet, por Miloshi nuk pranon duke it hënë:”…Kurr teslim nuk i bohna, /për pa e there, tybe ne lo…”.

Miloshi niset me vrap për tek Sulltani të cilit për ta poshtëruar kishte vendosur ti jepte këmbën, në vend të dorës “…Dhe miloshi tu mreti o shkue, /Çojke komën mretit me ia dhonë, /Ky Miloshi n’dor hanxharin e kish pasë, /Me hanxhar mretit i kish ra, /Dekë në tokë mretin e kish shue.. ”. Pas këtij akti burrëror Milosh Kopiliqi largohet me vrap, por asqerët e mbretit e kapin dhe i presin kokën. Heroi merr kokën e prerë nën sqetull dhe vazhdon vrapin pa u ndalur. Është pikërisht ky akt heroic që ka frymëzuar Njegoshin qe një vend me rëndësi në vepër ti kushtojë edhe këtij heroi, por në çdo rast duke e trajtuar si hero sllav. Megjithse kënga është monokolonë, me një tetërrokësh jo të rregulltdhe me rime thuajse të lire e vesh heroin me cilësi legjendare. Është e rëndësishme të thëksohet se “…Në të gjitha variantet, qoftë ato shqiptarë, qoftë ato serbe Milosh Kopiliqi paraqitet si shqiptar…”. Këtë e pohon edhe studiuesi sllav Dragutin Kostiq qe thotë se Mollosh kopiliq ishte një ballkanas i serbizuar.

Emri dhe mbiemri i heroit të betejës së kosovës 1389 tregojnë se është thjesht shqiptar. Për kombin malazez vepra “Kurora e Maleve” e Petar Petroviçit II, merr edhe vlera historike,  sepse siç dihet historikisht deri në vitin 1696 Vlladiket e Malit të Zi zgjidheshin sipas kanunit të kishës ortodokëse, ndërsa mbas këtij viti vlladika do të ishte përfaqësues i familjes së njohur të Petroviçëve. Pikërisht këtë vit Danillo I Njegosh u zgjodh vlladikë. Madje thuhet se kur bëri një vizitë në Podgoricë për të inauguruar një kishë ortodokëse, myslimanët e krahinës që e urrenin aq shumë e kapën dhe e mbajtën peng për pak kohë, ndërsa për lirimin e tij u desh të bëheshin shumë shpenzime monetare dhe të dhuroheshin edhe mjetet prej ari e mështarisë së kishës. Pikërisht këtu zë fill zemërimi i tij që më vonë do të përfundonte me masakrën e Krishtlindjeve të vitit 1702 ndaj malazezëve të kthyer në turq dhe që përshkruhet në një kapitull të vaçantë në veprën e tij  “Kurora e Maleve”.

Këtë episod të pakëndëshëm e ka pershkruar edhe edit Durham në veprën e saj, ku ndër të tjera thotë:”…Qe të hakmerrej dhe të lante duart me islamizmin, organizoi një masakrim të plotëtë gjithë muhamedanëve të Malit të Zi. Në krishtlindjet e 1702, një çetë e armatosur e udhëhequr prej Martinoviqve u versul shtëpi në shtëpi duke therur të gjithë ata qe nuk donin të pagëzoheshin. Të nesërmen në mengjes gjaksorët vane në kishëdhe sikundër e thotë kënga:”…Armët e tyre ishin të lyera me gjak fund e majë…”, dhe Danillo i rrëmbyer nga gëzimi thërriti:- O Zot i madh na të falenderojmë për çdo gjë!U dha një meshë falenderimi për perndinë dhe masandaj pasoi një festë…”. Në veper ai do të shprehej:”…nuk ka rëndësi kush sin a pagëzohet, /Por n’çfar gjaku gjoksi i tij ngrohet…”.

Petar Petroviç II Njegosh, u bë tepër i njohur me këtë vepër e cila sintetizonte në vetvete historinë, kulturën dhe traditat në provincën e Malit të Zi. Ishte Njegoshi që luftoi shumë për të shmangur gjakmarrjen në këtë krahinë, për këtë fakt udhëtarja angleze Mis Edith Durham shkruan: “…Petrua II, qëndron lart si autor dhe vjershëtar. Veç kësaj ai organizoi ligje kundër hakmarrjeve q’ishin duke shuajtur gjallërinë e kombit dhe për këtë qëllim urdhëronte që vrasësi të pushkatohej nga një çetë e përbërë nga një pjesëtar për çdo fis. Meqënëse gjinia e të vrarit nuk mund të merreshin me tërë fiset që kishte vendi, numri i vrasjeve zuri të pakësohej…”.
Këto reforma dhe masa stimuluese për zhvillimin dhe bashkimin e kësaj krahine e bënë Njegoshin të famshëm si autor, princ dhe vlladikë. Jehona e tij është e gjallë deri në ditët tona, madje shpesh bashkatdhetarët e tij flasin me superlativa për të dhe krenohen me figurën e këtij prijësi qe la gjurmë në histori.

Megjithse kontaktet e studiuesëve tanë me dokumentet e shkruara për historinë dhe letërsinë e Malit të Zi kanë qenë tepër të rralla,  përsëri duhet pranuar se “Kurora e Maleve” është një veper me vlera dhe duhet studiuar për sa i përket karakterit njohës historik, vlarave artistike dhe traditave të popullit fqinj. Dihet se Fishta e admironte Njegoshin si poet dhe e vlerësonte veprën e tij, madje ai pati deklaruar me krenari se: “…Asht ba zakon në botë me thanë që si Homeri nuk ka, si Virgjili nuk ka, si Dante nuk ka. Unë për veti të gjithë i kam pëlqye, të gjith janë të mëdhoj, por në zemrën teme asht Petar Njegoshi…”. Ky fakt nuk do të thotë kurrsesi se poeti ynë i madh Gjergj Fishta ka imituar Njegoshin, pasi paska ndonjë element tradicional të përbashkët me veprën e tij siç është vajtimi i motrës së Bratiqit  që ngjason me vajtimin e motrës së Adil Hisës tek “Lahuta e Malsisë”. Në kontekstin artistik, letrar dhe historik “Lahuta e Malsisë” qëndron shumë më lart se “Kunora e Maleve” e Petar Njegoshit. Piksëpari sepse vepra e Fishtës ka vlera të pamohueshme historike, ajo analizon përmes vargjeve historinë, vuajtjet, përpjekjet dhe luftën e popullit tonë për liri dhe pavarësi në një shtrirje të konsiderueshme kohore dhe historike.

“Lahuta e malsisë” ka varg të organizuar, me rimë dhe ritëm të brendshëm, me numër rrokjesh të përcaktuar, ku spikat 8-rrokëshi popullor. Nuk ndodhkështu me veprën “Kunora e Maleve” e Njegoshit, megjith vlerat që ka dhe rëndësinë e padiskutueshme që mbart. Lexojmë disa nga vargjet e saj: “…Zot i dashtun me Serbt u idhnue, /për m’katet mortore që ki’n ba, /Mbretnit tanë i patën shkelun ligjët, /sikur gjaksorët nisën mu ndjekun, /e shoshoit mia nxjerrun sytë e ballit, /e lane m’anësh qeverinë e shtetin, /ata e zgjodhën marrinë për të drejtë…”. Kushdo mund të gjykojë mbi stilin dhe vlerat krahasimtare dhe nivelin artistik të dy veprave dhe patjetër duhet të nxjerrë një perfundim. Në këtë aspekt e bën analizën krahasimtare të dy veprave dhe prof.  Loro Stajka ku vë re ndryshime të rëndësishme mes dy veprave në shumë aspekte. Po sjellim në vëmendje të lexuesit një prej tyre të shkruar në kuadrin e një replike me prof.

 Kapllan Resulin, ku ndër të tjera thekson: “…Njegoshi tallet me popullsinë e shkjeve…por edhe me praktikën e fesë myslimane, kur myezini thërret besimtarët për tu lutur…”. Të shikojmë si shprehet ai: “…Paj pasha Zotin unë nuk due ma, /me ndigjue hoxhën në Çekliq, /ku gugat n’majët atij zgavigji, /si huti n’majë t’ahit t’kalbun…”. Pra sipas autorit vepra “Kunora e Maleve” e Njegoshit ka vlera, por ka edhe dobësi e të meta. Për këtë arsye nuk mund të bëhet një analogji dhe as krahasim mes saj dhe “Lahutës së Malsisë” të Fishtës, sepse Fishta është më i qartë në idetë e tij, më i vëmendshëm në trajtimet historike, më i sigurtë në vlerat artistike dhe më konkret në trajtimin e subjektit të poemave. Nisur nga vargu, mënyra e shprehjes apo vlerat artistike, mund të themi se është Njegoshi që e ndërton veprën e tij duke u bazuar kryesisht në veprat e autorëve më të njohur greko-romakë, të cilëve në atë kohë ndoshta nuk mund tu shpëtonte dot ndikimeve të tyre.

Megjithatë vepra ka vlera të padiskutueshme, megjithse njihet tepër pak në vendin tonë. Petar Petrviç II Njegosh vdiq nga tuberkulozi me 31. 10. 1851, në moshën 38-vjeçare dhe u varros në kishën e njohur të malit Llovqen, duke e lënë Malin e Zi një vend jo pak të zhvilluar dhe të njohur në Evropë. Ai pati lënë testament që në vendin e tij si princ dhe vlladikë të vinte në fron nipi i tij Danilo II. Në fakt Mali i Zi historikisht u njoh dhe u përkrah mjaft nga fuqitë e mëdha edhe në periudhën e sundimit të carit Nikolla I, i cili pati nëntë vajza dhe i pati martuar me mbretër dhe princër të familjeve të njohura mbretërore dhe princërore në Europë. Ishte një nga princat që i detyroi qytetarët malazezë të vinin kësulën tradicionale që kishte dizenjuar Vlladike Petro II Njegosh ku rrethi i kuq përfaqësonte gjakun e derdhur për liri.

Vajza e madhe që ishte fejuar me princin rus Careviç vdiq e re, vajzat tjera u martuan Milica me dukën Nikolojeviç në Rusi, ndërsa Anastasia me grandukën Petro po në Rusi, Zarka u martua me princin serb Petro Karagjorgjeviçin, Helena u martua me princin trashëgimtar të fronit Italian, ndërsa Anna me princin e njohur austriak Franc Jozef. Kështu Mali i Zi kishte forcuar pozitat në Ballkan sepse lishte lidhje miqesore disa nga vendet më të njohura në Evropë, prandaj e ndjente veten të fortë dhe tëpathyeshëm, sepse në çdo moment kishte perkrahjen e tyre edhe pretendimet territoriale ndaj fqinjit të saj Shqipërisë nuk u shuan kurrë.
 
“Kurora e Maleve” e Petar Petroviç II Njegosh është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Mustafa Bakija”, në Prishtinë në vitin 1952,  përkthyer nga prof.  Zef Vorf Nekaj)1 dhe poeti i njohur Esad Mekuli)2, nën punën redaktuese të poetit të njohur Ali Podrimja. Kjo vepër u ribotua perseri në Prishtinë në vitin 1981. Ky libër ka parë shumë herë dritën e botimit, pasi në Beograd u botua në vitin 1964, ndërsa në Podgoricë në gjuhën shqipe u botua në vitin 1997, në përkthim të prof.  Zorija Brajoviq)3, ndërsa në vendin tonë akoma nuk e ka parë deri më sot dritën e botimit. sidoqoftë vepra e Njegoshit mbetet një nga veprat më të njohura në letersinë slave të fundshekullit të kaluar dhe si e tillë duhet njohur, vlerësuar dhe studiuar megjith vlerat dhe dobësitë qe mbart.  
 
1-Zef Vorf Nekaj: Pedagogu, përkthyesi dhe publicisti i njohur mirditor lindi me 14. 03. 1919 në fshatin Domgjon të Mirditës. Në konviktin “Mirdita” në Orosh, mbaroi shkollën fillore në vitin 1930,  Normalen e Elbasanit e përfundoi në vitin 1939. Pas këtij viti punon mësues në disa zona të vendit si Mirditë, Pukë dhe Peshkopi. Në vitin 1940, ministri i atëhrshëm i arsimit Ernest Koliqi e dërgon për të shërbyer në Kosovë ku punoi deri në vitin 1945 si mësues dhe si drejtues. Më pas vendos të qëndrojë në Jugosllavi ku pikërisht këtë vit arrestohet dhe dënohet me akuzën “pjesmarrës në vrasjen e Miladin Popoviçit”. Dënohet me 4 vjet e 6 muaj burg, por arratiset nga burgu dhe deri në vitin 1950 qëndron në arrati.

Amnistohet nga shteti jugosllav dhe fillon për pak kohë punë si mësues në qytete të ndryshme të Kosovës. Pasi perfiton azil politik në Jugosllavi, në vitin 1951 largohet për në Itali dhe pak kohë më pas vendoset përgjithnjë në SHBA. Deri në vitin 1956 përgatiti botimin e revistës “Shqipëria e lire” dhe “Jeta katolike shqiptare”. Më vonë u mor edhe me përkthime të veprave të ndryshme të shkrimtarëve të mëdhenj. Përktheu “Kurorën e Maleve” të Njegoshit dhe “Prralla” të Krillovit, së bashku me poetin e msdh kosovar Esad Mekuli, më pas përktheu “Gjeli i artë” të Pushkinit,  “Lëndina e lavrueme” të Shollohovit etj. Botoi “Antologjia e shkrimtarëve shqiptarë” dhe “Historia e shkencave natyrore” – tekst mësimor. Vdiq me 27. 01. 2002 në qytetin e Laçit.

 2-Esad Mekuli: Poeti dhe përkthyesi i njohur kosovar ka lindur në Plavë të Gucisë më 07. 12. 1916, ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e kreu në Pejë, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Beogradit, pastaj vazhdoi studimet pasuniversitare në Zagreb dhe Romë. Në vitet e rinisë u përndoq dhe u burgos në vendlindjen e tij për pjesëmarrje në lëvizjet atdhetare. Gjatë luftës drejton gazetën “Liria”, ndërsa pas saj punoi si redaktor në gazetën “Rilindja”. Pak kohë ka drejtuar edhe revistën “Jeta e Re”. Ka botuar vëllimet poetike “Për ty” -1954,  “Dita e re” -1966,  “Avsha ada” -1971,  “Brigje” -1981,  “Drita që nuk shuhet” -1989. Në vitin 1981, doli nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, vëllimi poetik i tij “Midis dashurisë dhe urrejtjes”. Së bashku me prof.  Zef Nekajn kanë përkthyer veprën “Kurora e Maleve” të Petar Pëtroviç II Njegosh dhe “Përrallat” të shkrimtarit rus Ivan Krillov. Vdiq në Prishtinë vitin 1993.

 3-Zarijo Brajoviç: Përkthyes me kombësi malazeze. Ka lindur në Vrakë të Shkodrës ku mori edhe mësimet e para, më pas përfundon shkollën  mesme pedagogjike në qytetin e Shkodës. Diplomohet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Ka punuar për shumë vite si mësues, specialist arsimi dhe drejtues. Është marrë me studime dhe punë shkencore. Në vitin 1991 arratiset në Jugosllavi. Aty bie në kontakt me veprën e Njegoshit dhe pas një pune të mundimshme e përkthen. E boton në Podgoricë në vitin 1997.  

petar petrovic








































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja