Për herë të parë në epokën e presidencës Demi Partizani gjendet në pozita shumë të vështira pas 12 javësh kampionat. Të kuqtë e kryeqytetit kanë 10 pikë pas 12 ndeshjesh dhe renditen të fundit, por në intervistën për Report Tv presidenti Gazmend Demi thotë se kjo situatë shumë shpejt do të kalojë.

“Unë s’jam ekspert futbolli, por e ndjek si president. Më thonë ekspertët që keni ekip shumë të mirë. Lojtarë shumë të mirë. Kemi marrë një trajner që e ka me shumë dashuri. Vetë e kam zgjedhur. Është një djal punëtor. Ka një staf shumë të mirë. Kam besim që ky ngërç shumë shpejt do të kalojë,”-u shpreh fillimisht Demi.

Numri 1 i Partizani mbijetesën në Superligë nuk e llogarit, por saktëson se skuadra ka objektiva të tjera.

“E kan për detyrë që të jenë konkurent për Evropën,”-tha më pas Gaz Demi.

Këtë sezon Partizani nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje në shtëpinë e tij, pasi ‘Arena e Demave’ është në rikonstruksion. Përveç stadiumit, që nuk do të ketë më fushë sintetike, por do të jetë me bar hibrik, po ndërtohen njëkohësisht edhe dy fushat stërvitore që kompletojnë kompleksin e të kuqve.

“E them me bindje që do jetë një nga komplekset më të mira në Ballkan. Përveç ca toke që më dha shteti une bleva dhe ca të tjera. Kemi bërë një kuadrat të bukur. Jemi në përfundim farë. Besoj për 1 muaj stadiumi është gati se hidhet tapeti e më pas bari. Një nga fushat e stërvitjes mbaron brenda 10-15 ditëve. Rrugët janë pothuajse të përfunduara. Me fitnes, me pishinë të mbyllur për rikuperime janë të gjitha gati,”-u shpreh presidenti i Partizanit.

Aktualisht punimet kanë avancuar për një prej fushave stërvitore, ndërsa ka nisur edhe vendosja e fushës së stadiumit. Punime të cilat kanë kosto të mëdha për një klub shqiptar.

“Jemi ndihmuar edhe nga federata, por shumica është familja ime që ka ndihmuar,”-deklaroi Demi.

‘Arena e Demave’, së bashku me 3 stadiume të tjera: ‘Air Albania’, ‘Elbasan Arena’ dhe ‘Egnatia Arena’, është zgjedhur për të zhvilluar ndeshjet e kampionatit evropian të 21-vjeçarëve që organizohet nga Shqipëria dhe Serbia prej 16 qershorit deri më 3 korrik.