Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka paralajmëruar një vendim të qeverisë i cili do ta bëjë më të shtrenjtë energjinë për të gjitha ato familje që harxhojnë më shumë se 700 kilovat/ orë në muaj. Pas mbledhjes së qeverisë, Balluku tha se po mendohet që fasha ku do të ndryshojë çmimi do të jetë për të gjithë ata që harxhojnë mbi 700 kËH në muaj. Balluku tha se deri në fashën që do të përcaktohet, qeveria do të subvencionojë çmimin e energjisë dhe pas kësaj fashe do të aplikohet çmimi i tregut.

“Jemi në përfundim të një analize të re që tregon se sa kilovat-orë i duhet një familjeje për të pasur një konsum normal, pra për të pasur elektroshtëpiake, ngrohje mesatare dhe funksionet e një familje. Nga përllogaritjet kemi arritur afërsisht drejt shifrës 700 kilovat për një familje me 4-5 anëtarë. Mbi këtë fashë, që e theksoj, nuk është përfundimtare, do të paguhet me çmim më të lartë“, tha Balluku.

Një faturë dritash deri në 700 kËh në muaj me çmimin aktual 9.5 lekë kilovat orë, së bashku me TVSH kushton 8000 mijë lekë të reja. Pra kush paguan sot më shumë se 8000 lekë sot do ta paguajë më shtrenjë.

Ndërkohë, Këshilli i Ministrave vendosi rimbursim me 100 lekë për litër të naftës për të gjithë operatorët e transportit urban që të mos rrisin biletën, ndërsa së shpejti transporti do të bëhet me bileta elektronike. Biletat në format të parashtypur do të hiqen nga qarkullimi. 

Pas mbledhjes së Qeverisë Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca tha se pavarësisht krizës së çmimeve, fermerët të cilët janë pjesë e skemës së naftës, nuk do të preken. Ajo është shprehur sot se 1800 karta fermerësh që do të përfitojnë karburantin për bujqësinë. E pyetur nga gazetari i Report Tv, Ermal Qori, ajo tha se i është dhënë prioritet kultivimit të produkteve të kohës.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se komiteti i Ekspertëve, do të mbyllet vetëm kur COVID 19 të kthehet në endemi. Komiteti Teknik i Ekspertëve vijon punën për të vlerësuar situatën epidemiologjike në vend, pavarësisht se kemi një rëni të ndejshme të rasteve të reja nga COVID, apo rastet fatale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:29
Gati 1800 karta fermerësh për subvencionimin e karburantit, prioritet prodhimi i kulturave të stinës

 

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, është shprehur sot se 1800 karta fermerësh që do të përfitojnë karburantin për bujqësinë. E pyetur nga gazetari i Report Tv, Ermal Qori, ajo tha se i është dhënë prioritet kultivimit të produkteve të kohës.

 “Në Berlin isha në platformën e një thirrje që ministrit gjerman kishte bërë për vendet e Ballkanit Perëndimor, mbi masat që janë marrë për hapjen e tregjeve. Unë shikoj një situatë shumë të më qetë edhe në tregje rajonale.  Ne e kemi mbyllur skemën kombëtare më 30 mars dhe deri më sot kemi bërë gati 1800 karta të naftës për fermerët që janë gati. Ne i kemi dhënë prioritet ato kulturave që mbillen tani. Po ecim shumë shpejt, duke prioritizuar sigurisht. Ne kemi pasur këtë vit rreth 50 mijë aplikime, një rekord. Premisa është pozitive, fermerët e besojnë skemën dhe kanë nevojë sigurisht dhe ne po bëjmë gjithçka të mundur që fondet të shkojnë sa më shpejt te ta”, tha ministrja.

Ora 13:16
Ministrja e Shëndetësisë: Nuk do të shpërbehet Komiteti i Ekspertëve, po vijon punën me vlerësimin e situatës epidemiologjike në vend

Komiteti Teknik i Ekspertëve vijon punën për të vlerësuar situatën epidemiologjike në vend, pavarësisht se kemi një rëni të ndejshme të rasteve të reja nga COVID, apo rastet fatale.

‘Komiteti i Ekspertëve jo vetëm që nuk ka plan që të shpërbëhet, por ka vijuar që të vlerësojë situatën epidemiologjike në vend. Nuk kemi një situatë me rritje të rasteve, por virusi ende vijon. Kemi një rritje të vazhdueshme të mbulesës vaksinale. Variantet e reja të cilat qarkullojnë në Evropë kanë sjellë një rritje të rasteve edhe ne vendet fqinje. Kemi ende shumë të panjohura dhe komitetit do të fillojë punën.’- tha Manastirliu.

Ora 13:14
Vendimet e qeverisë/ Ministrja e Shëndetësisë: Indeksohen çmimet, zgjerohen përfitimet për qytetarët nga lista e barnave me rimbursim

Me indeksimin e çmimeve të barnave të Listës së Barnave të Rimbursueshme, do të rriten përfitimet e qytetarëve me terapi mjekimi falas. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka bërë me dije vendimet e reja pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, dy prej të cilëve lidhen me Listën e Barnave të Rimbursueshme.

“Ajo çfarë reflektohet në këtë vendim qeverie është ndryshimi i çmimeve, që na lejon gjithashtu të kemi dhe një zgjerim të kategorive përfituese, pasi reflektohet një ndryshim në çmimet e kësaj liste. Që do të thotë që kemi një përfitim rreth 2.5 milionë dollarë, të cilat do të shërbejnë brenda tavanit buxhetor të rimbursimit, për të zgjeruar përfitimet e qytetarëve të cilët trajtohen me barna apo terapi mjekimi nga kjo listë”, tha Manastirliu.

Duke folur për rimbursimin e fishave të diabetit për të rinjtë, Manastirliu tha: Janë pikërisht çmimet reference përsa i përket fishave të diabetit që vijnë në një vendim në funksion të mbulimit dhe rimbursimit të fishave të diabetit për fëmijët nga 0-18 vjeç dhe për të rinjtë nga 18-25 vjeç. Është një vendim që ne kemi disa vite që e kemi marrë në funksion të mbulimit edhe me rimbursim të pajisjeve mjekësore për kategorinë e fëmijëve dhe të rinjëve deri 25 vjeç. Ndërkohë që nëpërmjet këtij vendimi krijohet referenca bazë, referenca e re e çmimit për listën e fishave të diabetit, ku janë 11 alternativa të cilat miratohen duke vendosur dhe çmimin e rimbursimit bazë apo atij që financohet 100% nga shtetit.

Ministrja e Shëndetësisë tha se me një vendim tjetër të qeverisë të miratuar sot, do të ulen burokracitë e procedurave për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun e pajisjeve mjekësore.

“Në funksion të aspekteve rregullatore dhe të ligjit për pajisjet mjekësore në Republikën e Shqipërisë, ne aktualisht nxjerrim këtë vendim, i cili bën të mundur reduktimin e një serie procedurash burokratike për të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun e pajisjeve mjekësore e që më parë do të duhet që të aplikonin dy herë në vit pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të marrë këto autorizime. Tashmë me këtë akt nënligjor, praktikisht kjo liçencë merret e përhershme në Qendrën Kombëtare të Biznesit.  Nga ana tjetër, liçenca për tregtuesit me shumicë të pajisjeve mjekësore kërkon të plotësohen një seri kushtesh në varësi të klasës së riskut të pajisjeve mjekësore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije edhe vendimin për punonjësit social, në vijim të ngritjes së Urdhrit të Punonjësit Social në Republikën e Shqipërisë. Me vendimin e sotëm,  është miratuar përcaktimi i procedurave kritereve apo afateve për ndjekjen e programeve të formimit të kualifikimit profesional për statusin e punonjësit social. Kjo vjen në kuadër të ligjit për statusin e punonjësit social, ku tashmë është ngritur Urdhri i Punonjësit Social, dhe të gjithë punonjësit social në Republikën e Shqipërisë duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet liçensimit që jep ky Urdhër.

Ora 13:00
Vendimi i qeverisë/ Hiqen biletat në formatin e shtypur për transportin ndërqytetas

Biletat në format të parashtypur do të hiqen nga qarkullimi. Kështu bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

'Ky pr/ligj sjell disa risi, hiqen biletat në format të parashtypura në transportin ndërqytetës. Prerja e biletave do të bëhet përmes sistemit elektronik e-transport të fiskalizuara. Prerja e biletave bëhet  nga agjencitë në mjete, autobus apo kudo tjetër. Ndërkohë platforma elektronike garanton ciklin e plotë të prerjes së biletave. Shtohet elementët e faturës së fiskalizuar. Biletat në format letër do të gjenerohen nga platforma elektronike.'- tha Balluku.

Projekt vendimi i dytë i miratuar, ka të bëjë me kompensimin e naftës për transportin urban, si pjesë e paketës anti-krizë.

'Projetkvendimi i dytë për transportin urban ka të bëjë me kompensimin, si pjesë e paketës anti-krizë. Çmimi i naftës ka një rritje të ndjeshme, qeveria ka vendosur që pjesë të Paketës së Rezitencës të bëjë edhe kompensimin me 100 lekë për litër. I kemi dhënë rrugë hapjes së mënyrës së kalkulimit për të gjitha njësitë që janë në këtë proces. Do të shpenzohen gjatë muajit prill dhe maj. 98% e transportit në Shqipëri kryhet përmes rrugës dhe po mundohemi të ruajmë çmimin e biletës që mos të ketë një ndryshim. Po punojmë për përmirësimin e flotës apo për të pasur dhe një flokë të re.'- tha Balluku.

Vijon...