Shqiptarët po kursejnë më shumë këtë vit, por preferojnë t’i mbajnë paratë ‘të lira’ nëpër banka, që të kenë mundësi t’i tërheqin në çdo moment.
Në fund të korrikut totali i kursimeve arriti në 1 trilion e 563 miliardë lekë (16.9 miliardë euro) duke u zgjeruar me rreth 11% në krahasim me korrikun e 2025-ës.
Por, depozitat po rriten bashkë me pasiguritë pasi rreth 56% e tyre, ishin kursime ‘pa afat’ pra që janë të aksesueshme për t’u tërhequr në çdo kohë nga qytetarët.
“Struktura kohore e kursimeve tregon se depozitat pa afat kanë dhënë kontributin kryesor në rritjen vjetore të kursimeve, prej më shumë se një viti. Ndërkohë, brenda kategorisë së depozitave me afat, preferenca e tyre është drejt maturiteteve deri në dy vjet, ndërsa depozitat me afate më të gjata maturimi po tërheqin më pak interes”, thuhet në raportin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.
Vetëm 18.1% e totalit të depozitave në sektorin bankar, thotë banka qendrore, është me afat mbi dy vjet në ulje në raport me vitet e kaluara. Ndikim kryesor në interesin e ulët për depozita me afat, pra që nuk mund t’i tërheqësh brenda një kohe të caktuar është norma e ulët e interesit për këto kursime.
“Kjo prirje pasqyron si ngushtimin e diferencës së normës së kthimit midis dy segmenteve, ashtu edhe preferencën e individëve për të mbajtur kursimet në formë më likuide”, vijon më tej raporti.
Për depozitat në lekë norma mesatare e interesit ishte 1.7%, ndërsa për ato në lekë ishte 1.4%.
Një tjetër prirje që vihet re është zhvendosja e kursimeve drejt lekut. Për shkak të zhvlerësimit të valutave, vitet e fundit shqiptarët kanë preferuar t’i mbajnë kursimet në monedhën vendase, duke bërë që depozitat në lekë të kalojnë për herë të parë gjatë këtij viti nivelin e kursimeve në valutë.
Në fund të korrikut në banka ishin 781.9 miliardë lekë kursime në lekë dhe 781.2 miliardë lekë depozita në valutë.
Dobësimi i euros dhe dollarit ka ndikuar negativisht tek qytetarët që kanë zgjedhur të kursejnë në valutë. Në rast se këto kursime konvertohen në lekë, vlera e tyre rezulton më e ulët për shkak të kursit më të pafavorshëm të këmbimit.










Komente
Komento