Kursimet arrijnë rekord të ri në shtator, 55% janë në valutë

Kursimet arrijnë rekord të ri në shtator, 55% janë në valutë

Foto ilustruese

Kursimet e individëve, bizneseve dhe institucioneve shënuan një tjetër rritje në muajin shtator, duke arritur një tjetër rekord maksimal në vlerë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i stokut të depozitave në vend në fund të muajit shtator ishte 1.18 trilionë lekë, (9.6 miliardë euro), me rritje prej 0.18% (+9.5 miliardë lekë) në krahasim me muajin e mëparshëm.

Ritmet e rritjes gjithsesi janë ngadalësuar në raport me muajt e mëparshëm, kur kursimet u shtuan ndjeshëm nga efektet sezonale të prurjeve të emigrantëve. Tradicioniasht në gusht dhe në dhjetor, depozitat rriten ndjeshëm.

Edhe në shtator, valuta dha efektin kryesor në shtimin e kursimeve, duke ndikuar në 61% të rritjes. Ndryshe nga viti 2020, kur në pandemi u rritën më shpejt kursimet në lekë, këtë vit shtimi i depozitave po udhëhiqet nga valuta, kryesisht euro.

Në fund të shtatorit, depozitat në valutë zinin 55.2% të totalit, nga 54% në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Me bazë vjetore (shtator 2021/shtator 2020), depozitat janë rritur me rreth 10%, duke shtuar në sistem rreth 106.5 miliardë lekë, ose gati 870 milionë euro. 70% e kësaj shume ka ardhur nga zgjerimi i kursimeve në valutë.

Gjatë vitit të fundit, krahas individëve, e lartë ka qenë rritja e depozitave të korporatave të tjera jofinanciare, si në lekë ashtu dhe në valutë.

Në lekë individët vijojnë që të preferojnë depozitat likuide, për shkak të interesave të ulëta të kthimit, që nuk po nxisin kursimet afatgjata. Pesha e depozitave me afat të individëve në fund të muajit shtator ishte 17% e totalit, nga 36% në janar të vitit 2015, teksa normat e interesit për kursimet me afat 12 mujore janë më pak sesa 1%, si rrjedhojë e politikës monetare lehtësuese që ka ndjekur banka e Shqipërisë gjatë dekadës së fundit.

Pas një stanjacioni gjatë 2015-2019, dy vitet e fundit depozitat i janë rikthyer ritmeve të larta të rritjes. Tendenca filloi që gjatë vitit pandemik, një prirje që u konstatua në gjithë Europën, pasi individët tentuan të kursejnë në kohë të pasigurta dhe në pamundësi për të shpenzuar, ndërsa po vijon edhe përgjatë këtij viti./ Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë