Depozitat në monedhën vendase kanë shënuar rritjen më të lartë historike në vitin 2025, sipas të dhënave që janë publikuar nga Banka e Shqipërisë. Në të kundërt shtesa e kursimeve në euro është ngadalësuar në raport me vitet e mëparshme.
Rekord rritja në lekë
Në fund të vitit 2025, në banka ishin të depozituara në monedhën vendase 710.6 miliardë lekë. Ky është niveli më i lartë historik i kursimeve në lekë i regjistruar ndonjëherë. Në krahasim me një vit më parë, depozitat u rritën me gati 13%, ose rreth 81 miliardë lekë më shumë. Kjo është dhe rritja më e lartë vjetore historike në vlerë, që nga viti 2006, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Shtesa është pothuajse dy herë më shumë se një vit në parë, kur zgjerimi kishte arritur në 47 miliardë lekë.
Sipas të dhënave të detajuara, kjo rritje ka ardhur në pjesën më të madhe nga individët që kanë shtuar sidomos depozitat pa afat (me 40 miliardë lekë) dhe më pak nga bizneset.
Ngadalësohet euro
Ndryshe nga kursimet në monedhën vendase, ato në euro janë ngadalësuar në raport me vitet e mëparshme, pavarësisht se kanë vazhduar rritjen. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bizneset, individët e institucionet e tjera kishin në banka në fund të vitit 2025 rreth 8.7 miliardë euro. Në krahasim me një vit më parë, kursimet në monedhën e përbashkët janë rritur me 8.7%, ose 702 milionë euro më shumë. Kjo është rritja më e ulët vjetore që nga viti 2020. Rekordi ishte vendosur në 2023-n, kur depozitat në valutë u shtuan në një vit me gati 1 miliard euro.
Shtesa në 2025-n, ka ardhur si nga individët ashtu dhe nga bizneset. Tek individët vihet re prirja për të depozituar në afate më të gjata se një vit.
Shtesa vjetore e konvertuar rreth 1.5 mld euro
Në lekë, shtesa vjetore e kursimeve ishte 81 miliardë lekë, ose rreth 810 milionë euro. Në monedhën e përbashkët, shtesa ishte rreth 700 milionë euro, duke bërë që rritja totale e konvertuar në euro e depozitave në 2025-n, të ishte rreth 1.5 miliardë euro.
Banka e Shqipërisë e raporton stokun e kursimeve totale në lekë dhe euro të konvertuara në monedhën vendase, që në fund të vitit 2025 arriti në 1.48 trilionë lekë (rreth 15 miliardë euro). Por, për shkak të rënies së monedhës së përbashkët vitet e fundit, stoku i depozitave në euro i raportuar në lekë, rezulton më i ulët./Monitor
Komente










