Kabineti qeveritar i propozuar sot nga Albin Kurti në Kuvend nuk mori dot 61 votat e nevojshme për t'u miratuar. 56 deputetë votuan pro kabinetit të ri, ndërsa 52 kundër dhe 4 abstenime. Përveç deputetëve të LVV-së, Kurti i mori 8 votat e tjera nga komunitetet e tjera jo serbe në parlament. Deputetët që abstenuan ishin: Fatmir Limaj, Arbëreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku dhe Veton Berisha.

I ftuar në Report Tv, në një intervistë me Megi Sotirin, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, tha se partitë opozitare kanë respektuar sot kritikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e konsiderojnë Kurtin një aleat jo të besueshëm.

“Ka qenë në interes të Kosovës largimi i kësaj qeverie nga pushteti dhe shpëtimi i asaj çarjeje mund të shpëtojë. Unë mendoj që kjo ndërhyrje e Kushtetueses është dashur me çdo kusht të ndalojë nga ana e saj. Mos të harrojmë që në Kuvendin e Kosovës ka këta ligjvënës që kanë investuar dhe kontribuar në shtetin e pavarur të Kosovës. Në largimin e qeverisë Kurti i është rikthyer dinjiteti dhe Kosova vazhdon të mbetet shtet sovran me miqësinë me SHBA-në, në raport me të cilën kemi arritur në zhvillim. Unë mendoj që deputetët kanë respektuar kërkesën që kemi marrë nga dy qeveritë amerikane, të cilat e kanë konsideruar Kurtin shkatërrimtar të dëmtimit të marrëdhënieve reciproke”,- tha Berisha.

Deputeti i Kosovës nuk përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke parashikuar se rezultati do të jetë i dobët për Lëvizjen Vetëvendosje, krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Në zgjedhjet e para ka qenë një qeveri e kombinuar dhe e kontrolluar, sa i përket Kurtit. Për 52 ditë ju e dini që erdhi ndesh me interesat gjeostrategjike amerikane dhe e rrëzuan me ultimatum. Në zgjedhjet e dyta kishte një tjetër lëvizje. Ky e krijoi komoditetin, siç tani do të tentojë ta bëjë. U kthye fuqishëm me sponsorë të zhdukjes së Kosovës. Tani është në një situatë të njëjtë. Qytetarët e kanë lexuar rrezikun që vjen nga ajo tendencë e Republikës së Tretë “Albiniane””,- tha ndër të  tjera Berisha.