Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi para seancës konstituive të Kuvendit se Kosova ka hyrë në një situatë të re kushtetuese, pasi sipas tij ka kaluar afati për konstituimin e institucioneve.

Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, se e shtynë qëllimisht seancën deri në ditën e fundit.

“Tash, ndoshta ky debat ka vlejtur dje, hyrja në seancë, mirëpo meqë sot afati kushtetues ka kaluar, më nuk ka rëndësi ose nuk ka efekt. Ajo që është më e keqja është se Kurti, Albulena e të tjerë, qëllimshëm ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues me zgjedhë seancën... Të gjitha të tjerat janë interpretime rrethanore”, deklaroi Haradinaj.

Ai tha se situata nuk është më vetëm një përplasje mes pozitës dhe opozitës, por prek vetë rendin kushtetues të vendit.

“Jemi në një situatë ku qëllimshëm Kurti, Albulena e shumë të tjerë me ta, ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues me zgjedhë seancën. Si do të dalim nga kjo është një çështje që duhet ta marrim me kujdes, se pasojat nuk janë vetëm për pozitën apo për opozitën, por janë për themelet, rendin tonë kushtetues, të shtetit tonë”, u shpreh ai.

Haradinaj tha se deputetët e Aleancës do të marrin pjesë në diskutimet në Kuvend, por theksoi se çdo hap i mëtejshëm duhet trajtuar me kujdes për shkak të situatës së krijuar.

Lidhur me mundësinë e protestave, ai tha se protesta është një e drejtë demokratike, por fillimisht duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të ruajtur rendin kushtetues.

“Dalja në rrugë është e drejtë edhe është mënyrë çdo herë, por ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë si të ruhet rendi kushtetues... Duke qenë kështu po mbesin shumë pak opsione, ose po arrijmë aty ku ndoshta edhe qëllimi ka qenë që të na dërgojnë në zgjedhje prapë”, përfundoi Haradinaj.


Lajmi kryesor:

Kosovë/ Tensione në Kuvend, deputetja e opozitës qëllon Kurtin me vezë! Shtyhet seanca konstituive, kryeministri kërkon kohë për marrëveshje (VIDEO)