KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti ka reaguar në lidhje me masat e BE-së kundër Kosovës. Kurti u shpreh se sanksionet janë të padrejta dhe shtoi se Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit. Kurti nënvizoi se nuk mund të bëj kompromis as me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit.

“Këto nuk janë sanksione por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra. Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka thënë ai.

Kurti më tej ka thënë se Kosova është e gatshme dhe e interesuar shumë më tepër sesa Serbia për normalizim me njohje de facto në qendër.

“Tryeza e dialogut është për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë dhe gjithashtu për deeskalim. Ne jemi të gatshëm, të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër për normalizim me njohje de facto në qendër, për njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur edhe publikisht ë të gjitha gjuhët që i di në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova e Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian”, është shprehur ai.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian konfirmoi se BE ka marrë disa masa për Kosovën për shkak të mos marrjes së veprime për de-eskalim të situatës në Veri të Kosovës.  Bëhet me dije se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen. Ndërkohë takimet që s’do të pezullohen janë ato që janë të fokusuara në adresimin e Kosovës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu ka konfirmuar se program i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 janë suspenduar.  Për këto masa BE-ja ka njoftuar institucionet e Republikës së Kosovës më 28 qershor.