Kryeministri Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që Serbisë të dorëzojë terroristin Milan Radoiçiç tek autoritetet e Kosovës si organizatori i sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Kurti u takua të martën me Kallasin në Bruksel, si pjesë e takimeve të shefes së diplomacisë së BE-së që ka pasur sot me liderët e Ballkanit.
Pas takimit, kryeministri i Kosovës u shpreh optimist se Kallasi është në kohën dhe vendin e duhur dhe se rajoni do të përfitojë nga vlerat e saj.
“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 persona”, ka thënë Kurti.
Në takim, Kurti bëri të ditur se u diskutua edhe për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit. Vuri theksin te emblemat e konfiskuara, përfshirë një të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas bastisjeve që u kryen në veri. Për sulmin në Ibër-Lepenc, deri tash janë dy persona në paraburgim.
“Diskutuam edhe për sulmin e fundit. Kemi pasur punë profesionale nga autoritetet tona dhe duhet të marrim masa shtesë që të mos ndodh e njëjta gjë. Po zhvillohet hetim, ka të arrestuar, ka material të konfiskuar. Nga 74 distinktiva, emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, të njësive të ndryshme ruse. Është edhe një emblemë e UÇK-së që na bën të mendoj se dikush ka dashur që hetimin e ardhshëm të mundshëm ta drejtojë në pistë të gabuar. Sepse nuk ka shpjegim ndryshe”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se Kallasi sot i kishte ftuar më shumë për t’i dëgjuar liderët. Ai beson se vitin e ardhshëm do të intensifikohet procesi për paqe, siguri, integrim e zhvillim nën estonezen.
Kallasi gjithashtu takoi edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, të cilit i kërkoi ta zgjidhë çështjen e Banjskës./ KOHA
Lajmi kryesor: