Kurti: Kosova nuk e pranon Asociacionin si kusht për anëtarësim në KiE

Kurti: Kosova nuk e pranon Asociacionin si kusht për anëtarësim në KiE

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë në Prishtinë, Kurti tha se Kosova është duke u përballur javët e fundit me “një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me anëtarësimin” në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, tha Kurti.

Franca dhe Gjermania i kërkuan Kosovës të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit pak kohë pasi në fund të prillit Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dha dritën jeshile për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

KiE-lidere në Evropë për të drejtat e njeriut - mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

Kurti nguli këmbë se Kosova e meriton anëtarësimin, pasi i ka “plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme tashmë”.

“Ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në gjykatën Kushtetuese të Kosovës... Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dokumente, të cilat nuk i ka pranuar dhe të cilat nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, shtoi Kurti.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe qysh në vitin 2013.

Megjithatë, qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës refuzuan ta zbatojnë marrëveshjen, duke shprehur frikë se asociacioni i tillë njëentik mund të ndikojë në funksionalitetin e duhur të shtetit.

Pas trysnisë së vazhdueshme, diplomatët perëndimorë hartuan një draft-statut të këtij asociacioni, të cilin ia dorëzuan Kosovës dhe Serbisë në fund të vitit të kaluar.

Kurti tha të mërkurën se u kishte thënë diplomatëve perëndimorë dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, “qysh tetorin e kaluar se Qeveria e Kosovës nuk e pranon këtë draft-statut”.

“Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazë të Brukselit, dhe të Aneksit të Ohrit, dhe të nënshkruhet që të bëhet ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm. Ai u refuzua nga Serbia”, tha Kurti, duke iu referuar marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që u arrit në fillim të vitit të kaluar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në KiE gati dy vjet më parë - më 12 maj, 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Kjo, pavarësisht marrëveshjes që ajo ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare./Rel

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Met: 08/05/2024 14:23

    Kosova nuk e pranon. Serbia e kerkon. Tirana e kapur nen satrapin Rama hesht. Por, si agjent i vjeter i Republikes Franceze, ai vihet ne linjen e Makron. Por ka nje lajm te mire: Greqia! Ajo tronditi Europen kur propozoi Kosoven per antaresim ne KiE. Pra ndryshoi dhe u rreshtua kah faktorit shqiptar. Ndersa arbereshet e veriut (Kosovaret) dhe te jugut (Arvanitasit) behen me ne fund tok, ata te mesit (Shqiptaret) behen tradhetore!

    Përgjigju
    • Arben: 08/05/2024 15:25

      Ne qofte se pret qe greket apo Beleret do te na mbrojne Kosoven, atehere mjere ti me keto mendime! Kurti ti therrase mendjes sepse Edi Rama eshte strateg i madh, sheh pertej gjerave te thjeshta e banale!

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Roma mund 1-0 Genoan, ekipi i De Rossit jashtë Champions League

VIDEO/ Roma mund 1-0 Genoan, ekipi i De Rossit jashtë Champions League