Kurti në takim me të dërguarin e BE-së, Lajçak: Dialogu me Serbinë nuk është prioriteti i parë! Nuk jemi kundër por duhet të përgatitet mirë

Kurti në takim me të dërguarin e BE-së, Lajçak: Dialogu me Serbinë nuk është prioriteti i parë! Nuk jemi kundër por duhet të përgatitet mirë

Kreu i LVV-së Albin Kurti dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak

KOSOVË- Ditën e djeshme është zhvilluar takimi mes kreut të LVV-së Albin Kurti dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak. Ndërkohë ditën e sotme ai ka zhvilluar takime me presidenten në detyrë Vjosa Osmani dhe kryeministrin në largim Avdullah Hoti.

Tema kryesore e takimit të Kurtit dhe Miroslavit ishte pikërisht vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti menjëherë pas takimit në një deklaratë për mediat tha se programi i tij politik është i përqendruar te drejtësia dhe punësimi, megjithatë nuk është kundër dialogut, por dëshiron që të jetë parimor dhe i përgatitur.

“Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi. Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”, tha kreu i LVV-së.

Ai shtoi se dialogu nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, por e rëndësishme është që ky të jetë i përgatitur mirë.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – edhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë” tha Kurti.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, pas takimit me një foto të shoqëruar bëri një postim në rrjetin e tij social Tëitter, duke thënë se takimi me Kurti ishte konstruktiv dhe diskutuan thellësisht për dialogun.

“Sonte patëm një takim të mirë dhe konstruktiv me Albin Kurtin. Ne diskutuam thellësisht për dialogun, gjithashtu me synimin për hapat e ardhshëm”, shkruan Lajçak në Tëitter.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ditën e djeshme nisi vizitën zyrtare në Ballkanin Perëndimor dhe do qëndrojë deri më 3 mars.

Pas Kosovës , ai do të qëndrojë në Serbi nga 3 deri më 4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri më 5 mars.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:52
Kreu i PDK-së Hoxhaj takim me Lajçak: Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës! Kërko falje për punën e hartës

Pas takimit me kreun e LVV-së Albin Kurti, presidenten në detyrë Vjosa Osmani dhe kryeministrit në largim Avdullah Hoti, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak është takuar me kreun e PDK-së Enver Hoxhaj.

Pas takimit, në faqen zyrtare të PDK-së në Facebook, përmes një postimi janë bërë publike pikat kryesore të diskutimit mes Hoxhajt dhe Lajçakut.

Sipas këtij postimi thuhet se Hoxhaj, ka njoftuar për qëndrimin e PDK-së që çfarëdo marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Sipas Hoxhajt, rajoni mund ta tejkaloj këtë sfidë historike vetëm kur të dyja vendet do të njohin njëra-tjetrën dhe Kosova do të jetë pjesë e OKB-së.

Gjithashtu gjatë takimit Hoxhaj ka shprehur edhe shqetësimin e tij lidhur me hartën e prezantuar nga Lajçak në njërën prej intervistave të tij ku nuk figuronte kufiri i Kosovës si vijë ndarëse me Serbinë, duke i thënë se duhet të kërkojë falje lidhur me këtë çështje.

Historia e “hartës” së Lajçak ka ardhur si pasojë e revoltimeve të shumta të qytetarëve të Kosovës, pasi gjatë një interviste të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, dukej një hartë në të cilën tregohej Ballkani dhe Kosova dukej si pjesë e Serbisë.

Megjithatë menjëherë Lajçak reagoi duke postuar hartën dhe duke thënë se në zyrën e tij mban një hartë në të cilën Kosova dhe Serbia janë të ndara.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ka njoftuar krerët e PDK-së me planin e tij për rifillimin e shpejt të dialogut pas konstitutimit të institucioneve të reja në Kosovë.

Ora 11:24
Pas Kurtit edhe Osmanit, Lajçak takon Hotin, Kryeministri në largim: I urova sukses në finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë!

Pas takimit me kreun e LVV-së Albin Kurti dhe presidentes në detyrë Vjosa Osmani, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak është takuar me kryeministrin në largim Avdullah Hoti.

Ai lidhur më këtë takim ka bërë një postim në rrjetin e tij social Facebook, ku tha se ka falënderuar Lajçakun për bashkëpunimin e deritanishëm në ndërmjetësimin e procesit të dialogut me Serbinë dhe i uroi sukses në finalizimin e këtij procesi.

“Prej korrikut 2020, dialogu rifilloi mbi tri parimet bazë: do të diskutohet për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, sovraniteti e integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa negociueshëm, ndërsa Kushtetuta e Kosovës është e paprekshme.”, shtoi Hoti.

 

Ora 09:59
5 mesazhet e Lajçak për politikën në Kosovë

I dërguari special i BE për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ka pasur disa porosi për klasën politike në vend pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit Vjosa Osmani.

“Kam disa mesazhe, i pari është ai urime për zgjedhjet parlamentare, që për herë të parë janë mbajtur pa një rol aktiv të komunitetit ndërkombëtar.  Mesazhi i dytë është se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë në një partneritet të fuqishëm dhe dëshiroj të theksoj se me ardhjen e administratës Biden marrëdhënia është me e afërt  se mund të parashikohet. Mesazhi im i tretë është mbështetja për programin elektoral të Z.Kurti dhe zonjës Osmani. BE do të mbështes vendet e reja të punës e luftimin e korrupsionit, këto janë edhe prioritete tona. Mesazhi numër katër është që shtetet e BE dhe Shtetet e Bashkuara mbështetësin vazhdimin e dialogut për çështje që janë të rëndësishme për secilin shtetas të Kosovës, në këtë kontekst kisha një diskutim të gjatë me zotin Kurti dhe zonjën Osmani. Dialogu do të vazhdojë, do t’i krijojmë disa procedura të brendshme. Mesazhi im përfundimtar është për unitet politik në Kosovë, dialogu nuk është përgjegjësi e një ane apo partie politike, por  e të gjitha partive. ”

I pyetur për hartën në zyrën e tij për të cilën u diskutua se Kosova ishte shfaqur si pjesë e Serbisë, ai tha se është shprehur më parë në lidhje me këtë temë.

 “Për çështjen e hartës besoj që e kam sqaruar deri më tani, zyrtari i BE-së mund të përdorë vetëm hartat zyrtare, kjo është harta zyrtare që na kanë dhënë. Kjo ka shkaktuar një reagim emocional, por do të ishte shumë joprofesionale nëse do të kisha vendosur harta të tjera”, tha ai.

Pas takimit me Vjosa Osmanin Lajçak po zhvillon një takim me kryeministrin në lartgim Avdullah Hotin.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!