Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti deklaroi se negociatat për harmonizimin e programit me LDK-në janë në fazën e fundit dhe brenda kësaj jave pritet që të jetë një tjetër takim me Isa Mustafën. Për Kurtin nuk ka dyshime se kush do të jetë kryeministër pasi këtë e vendosi populli me partinë që zgjodhi të parë dhe një gjë të tillë e kanë pranuar edhe brenda strukturave pavarësisht deklaratave publike. "Jemi në fazën përfundimtare përsa i përket programit. Mbi 80% e programit është harmonizuar, këtë javë takohem me udhëheqjen e LDK-së, Mustafën që të diskutojmë edhe cështje të tjerë, te ndarja e ministrive". Cilat janë ministritë që do të donit të kishit? "Jemi marrë vesh të kemi 12 ministri, por nuk mund të them se kjo është më e rëndësishme se ajo tjetra".
A është posti i Presidentit pjesë e negociatave? 'Nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Ulëset e ministrave dhe kryeministrit janë të zbrazta po na presin ne. Po humbim kohën e çmuar, sa i përket Presidentit, aty është një njeri njëherë. Nuk ka kuptim të flitet tani. Unë nuk besoj se duhet të hapim cështjen e Presidentit pa u marrë vesh për qeverinë. Ne ta takon ta zhvillojmë bisedën edhe për Presidentin po jo në këtë fazë".
Por a ka mundësi që të mos arrihet konsensusi me LDK-në? "Mundësi teorike ka por populli në 6 tetor tha se nuk e do atë gjë. Në rastin më të keq të mundshëm nëse nuk merremi vesh shkojmë në zgjedhje të reja, ku rezultati do të ishte edhe më i favorshëm për Vetëvendosjen sesa sot. Për postin e kryeministrit qytetarët e thanë mendimin në 6 Tetor dhe në anën tjetër unë besoj se takimet e brendshme, kanë ecur mirë me LDK-në dhe nga grupet e punës kam informacion se atmosfera ka qenë shumë e mirë dhe jo në përputhje me deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm. Mua nuk më brengos" tha ai.
Lajmi kryesor: