Kurti dhe Vuçiç nesër në Bruksel! Kryeministri i Kosovës pranon planin e ri të BE-së për Asociacionin: Nëse Serbia nuk sanksionohet për sulmin në Banjskë, s’ka dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të jenë ditën e nesërme në Bruksel. Kjo është hera e parë që dy liderët do përballen që pas sulmit në veri të Kosovës nga bandat serbe ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.  Dy udhëheqësit pritet të takojnë veç e veç edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas paralajmërimeve për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, ka thënë se nuk ka dialog nëse Serbia nuk dënohet apo sanksionohet pas sulmit në Banjskë. Kjo deklaratë po bëhet një ditë pas ftesës së BE-së për takim mes Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel.

“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog. Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin", u shpreh Kurti për Finacial Times.

Kurti i akuzoi sulmuesit se "po mundoheshin që të nisnin një konflikt të armatosur të ri, një luftë të re në Kosovë për ta aneksuar pjesën veriore të vendit tonë". Ai tha se pas sulmit të 24 shtatorit, "gjithçka ka ndryshuar. Nuk mund t'i kthehemi punës si zakonisht".

Sipas raportimit Kurti i ka bërë thirrje emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor që të ndalonte "së konsideruari Serbinë si forcë e natyrës, një lloj arushe iracionale të cilës duhet t'i hedhim qengja për ta qetësuar. Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes e sigurisë".

Kjo deklaratë e Kurtit vjen një ditë pas njoftimit të Bashkimit Evropian se Kurti dhe Vuçiç janë ftuar për takim të enjtën më 26 tetor në Bruksel.

“Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave", ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Qeveria e Kosovës raportohet se ka pranuar planin e ri të Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serb. Mediumi “Koha” raporton se nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar që është pranuar plani i prezantuar nga pesë emisarët perëndimorë gjatë vizitës së tyre të shtunën.

“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare", raportohet se thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • fisnik: 25/10/2023 12:04

    Do bej BE si thote idjoti Kurti....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë