Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se në takimin me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, është diskutuar mbi figurën e Presidentit të ri të vendit.

Teksa vlerësoi takimin me Abdixhikun, Kurti tha se ka vullnet të mirë për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë.

“Ne në bazë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës që vendit t’i sjellim një president apo presidente të re, që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të institucioneve të shtetit dhe se për këtë mund dhe duhet të ndërtojmë mirëbesim. Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributit në shoqëri. Është vendim tejet i rëndësishëm dhe është proces shumë i ndjeshëm. Andaj edhe pas këtij takimi kemi nevojë që të kthehemi te subjektet tona përkatëse politike. Ne te Lëvizja Vetëvendosje dhe delegacioni tjetër tek Lidhja Demokratike e Kosovës, në mënyrë që të zhvillojmë edhe konsultimet e brendshme dhe të ritakohemi që të merremi vesh”, tha mes të tjerash Kurti.

Ndërkohë edhe Abdixhiku deklaroi pas takimit me Kurtin se diskutimet ishin fokusuar mbi profilin e Presidentit të ri të Kosovës. Abdixhiku theksoi se LDK kërkon një President që e ushtron me dinjitet funksionin e tij. Ai tregoi se me Kurtin ishin dakordësuar që të shkonin me emra konkretë për Presidentin e ri në takimet e tjera.

“Diskutuam në vullnet të mirë, dhe për kriteret apo profilin për Presidentin ose Presidenten. Ka vullnet të dyanshëm për këto kritere. Nuk duam një President të parëndësishëm, por një figurë që e ushtron me dinjitet funksionin e tij. Kosova ka figura të tilla. Kërkuam kohë për konsultime brenda partisë sonë dhe shoqërisë dhe më pas të takohemi për emra. Për këtë na duhet ende kohë. Gjërat tashmë janë shumë më të qarta, LDK nuk kërkon asgjë tjetër veçse stabilitetit institucional. U dakordësuam që të vijmë me emra konkretë në takimet e tjera”, tha mes të tjerash Abdixhiku.


Lajmi kryesor:

Kriza politike në Kosovë/ Pas mbledhjes së Haxhiut me LVV dhe Aleatët, Albin Kurti takim me Abdixhikun: Sot shqyrtuam vlerat që duhet të ketë Presidenti, më pas do paraqesim emra konkretë