Në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të zhvillohet në New York, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, e ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Shtëpinë Turke.

Siç ka njoftuar kryeministri Kurti përmes një postimi në Facebook, në këtë takim mes tjerash me presidentin Erdogan kanë diskutuar edhe për aktvendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me Presidentin Erdoğan diskutuam edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, ka shkruar Kurti duke bërë të ditur se e ka ftuar presidentin Erdogan të vijë për vizitë në Kosovë.

Më tej Kurti ka thënë se gjatë këtij takimi ka shprehur edhe mirënjohje për rolin e Turqisë në KFOR dhe kontributin në sigurinë e ofruar në Kosovë dhe gjithashtu bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe investimeve, duke iu referuar fabrikës së muinicionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec.

“Në anën tjetër, shpreha mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e Gjeneralmajor Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në vendin tone”, thuhet në postimin në Facebook.

Në vazhdën e takimeve, Kurti gjatë ditës është takuar me kongresistë amerikanë. Me Mike Lawler, ai ka diskutuar edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi përmban pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore.

Ndërsa me Joe Wilson, i cili është edhe bashkëkryesues i Komisionit të Helsinikit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundim të ligjit, me theks të veçantë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Edhe në këtë takim, sipas njoftimit thuhet se vëmendje e veçantë iu kushtua edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe sfidave me të cilat përballen./Koha