Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të qartë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë duhet të vijë përmes njohjes reciproke.
Lajmin e bëri me dije përmes një postimi në X, teksa ka zbardhur takimin që ka mbajtur një ditë më parë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Ai thekson se në fokus të diskutimeve ishte rruga evropiane e Kosovës, sundimi i ligjit si dhe më e rëndësishmja, procesi i dialogut me Serbinë.
“Dje, prita Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Diskutuam për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, sundimin e ligjit dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbetemi të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu, për takimet që mbajti me Kurtin si edhe me ministrin e sapoemëruar të Jashtëm, Glauk Konjufca, ka reaguar edhe Sorensen.
“Vizitova Kosovën për bisedime të mira me kryeministrin Kurti dhe ministrin e sapoemëruar të Jashtëm, Konjufca. U përqendruam në avancimin e normalizimit të raporteve me Serbinë, zbatimin e zotimeve dhe sigurimin e stabilitetit dhe progresit në rrugën evropiane”, shkroi diplomati evropian në X.
Foto: Postimi i Albin Kurtit
Komente







