ELBASAN - Kompania turke e përpunimit të hekurit dhe çelikut KURUM shkel me të dy këmbët vendimin e pezullimit të aktivitetit nga Ministria e Mjedisit duke ndezur me kapacitet të plotë të gjitha uzinat, duke nisur nga përpunimi i skrapit, shkrirja dhe fabrika e gëlqeres gjatë natës e sidomos në fundjavë.
Kamera e televizionit A1 Report ka filmuar rreth orës 02.30 të së shtunës në zonën e ish-metalurgjikut në Elbasan. Gjithçka ishte në punë dhe reja e tymit edhe pse natë dallohet qartë duke konfirmuar edhe një herë dyshimet që banorët e zonës i kanë adresuar prej kohësh ndaj kompanisë, se KURUM shfrytëzon errësirën për të punuar duke shkaktuar tym dhe blozë në ajër pa asnjë filtër. E gjithë kjo situatë rëndon në shëndetin e banorëve të zonës.
Pikërisht për dëmet mjedisore që KURUM i ka shkaktuar kësaj zone, Ministria e Mjedisit i pezulloi aktivitetin deri më 20 maj, kohë në të cilën KURUM duhet të përmbushte kriteret për të zhvilluar punën pa u bërë shaku kryesor i ndotjes së qytetit.
Televizioni A1 Report është përpjekur të kontaktojë me telefon për këtë situatë drejtpërdrejte gjatë edicionit të lajmeve kreun e Inspektoratit Kombëtar te Mjedisit Ergys Agasi, por ky i fundit nuk i është përgjigjur thirrjes telefonike. Pas sekonda më vonë telefoni i zotit Agasi rezultonte i mbyllur, çka bën që media dhe opinioni publik të mos kenë informacion për çfarë po ndodh me kompaninë KURUM, e cila vijon të shpërfillë institucionet e shtetit shqiptar.