Kush duhet t'i heqë barrikadat në veri të Kosovës?

Kush duhet t'i heqë barrikadat në veri të Kosovës?

Barrikadat në rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë për të dytën javë me radhë dhe nuk ka asnjë qartësi se si dhe kur do të mund të hiqen ato. Për njohësit e rrethanave të sigurisë dhe atyre politike, çështja cenon rendin dhe qetësinë publike, por, megjithatë, kërkon zgjidhje politike.

Disa qytetarë serbë, të anketuar në veri të Kosovës, thonë se barrikadat duhet të hiqen nga vetë ata që i kanë ngritur, por pasi të arrihet një marrëveshje politike për një gjë të tillë. Grupe të serbëve lokalë i ngritën barrikadat qysh më 10 dhjetor, pas arrestimit të një ish-polici serb nga Policia e Kosovës. Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Që nga ajo kohë, rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara.

Largimi “i dhunshëm” i barrikadave, me pasoja

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se bllokimi i rrugëve me barrikada është çështje e prishjes së rendit dhe sundimit të ligjit dhe se institucion përgjegjës për largimin e tyre është Policia e Kosovës. Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar “bandat kriminale”, të mbështetura nga Serbia, për ngritjen e barrikadave. Barrikadat mbështeten edhe nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - si dhe nga vetë autoritetet në Serbi.

Vrajolli thotë se, marrë parasysh që në vendosjen e barrikadave janë të përfshira edhe elemente nga shteti i Serbisë, atëherë ato paraqesin “cenim të integritetit territorial të Kosovës”. Në këtë situatë, sipas tij, intervenimi i misionit të NATO-s, KFOR, për heqjen e barrikadave është i domosdoshëm. Por, thotë Vrajolli, është e dukshme që autoritetet po i japin kohë një zgjidhjeje politike.

“Gjithsesi, këto barrikada nuk do të rrinë gjatë në rrugë. Mendoj se Policia e Kosovës bën veprim të duhur që jep mundësi që këto barrikada të hiqen në mënyrë paqësore. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm policia, por të gjitha organet përgjegjëse të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës duhet të koordinohen së bashku dhe këto barrikada të hiqen”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë. Edhe Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se, në rrethana normale, barrikadat do të duhej të hiqeshin nga Policia e Kosovës.

Por, sipas tij, rrethanat nuk janë të zakonshme, për shkak të raporteve të këqija ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve në veri të vendit. Në këtë pikë, thotë Milliqeviq, duhet gjetur një zgjidhje politike, sepse përdorimi i dhunës për heqjen e barrikadave, shton ai, do ta përshkallëzonte situatën.

“Situata ekzistuese në veri të Kosovës është jashtëzakonisht e ngarkuar me emocione dhe tensione të fuqishme. Kam frikë se çfarëdo heqjeje me dhunë e barrikadave do të shkaktonte pasoja shumë më të mëdha, sesa në rast të një zgjidhjeje paqësore”, thotë Milliqeviq.

Largimi i barrikadave “pasi të plotësohen kërkesat”Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut thonë se duhet të arrihet një kompromis me autoritetet e Kosovës, në mënyrë që barrikadat të largohen, por nuk specifikojnë shumë se çfarë kompromisi mendojnë.

Por, kush duhet t’i largojë ato?

“Ata që i kanë vendosur. Atëherë do të ishin të kënaqura të dyja palët. Pra, kur të pajtohen për një marrëveshje. Por, më duket se situata është e pasigurt dhe e keqe”, thotë Millani, një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut.

Mendim të ngjashëm ka edhe Miodragu. Por, sipas tij, autoritetet e Kosovës duhet t’i përmbushin paraprakisht disa kërkesa të qytetarëve serbë.

“Populli do t’i heqë barrikadat kur të plotësohen kushtet. Policët që janë arrestuar, të mbrohen në liri”, thotë Miodragu.

Një qytetar tjetër, me emrin Sllobodan, thotë se barrikadat nuk duhet të hiqen përpara se të rregullohet situata, sipas tij.

“Duhet të përmbushen kushtet, [duhet të formohet] Asociacioni i komunave me shumicë serbe, policia të tërhiqet nga këtu derisa të kthehen serbët në institucione”, thotë Sllobodani.

Përplasjet verbale Kosovë-Serbi

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se institucionet e vendit “kanë kapacitete për t’i larguar barrikadat” dhe se “janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të përditshmes britanike, Guardian, se është pajtuar që t’i japë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t’i bindur ata që janë në barrikada, të tërhiqen. Megjithatë, Kurti ka thënë se barrikadat nuk mund të lejohen të qëndrojnë gjatë. Ai ka shprehur shqetësimin se “heqja e këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë viktimat”.

“Dhe, kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm, për t’u siguruar se nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Por, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”, ka thënë Kurti, raporton Guardian.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Kurti duhet të lirojë ish-policin e arrestuar dhe “t’i tërheqë forcat speciale policore” nga veriu i Kosovës - ndonëse autoritetet e Kosovës kanë mohuar se kanë dërguar forca speciale në veri.

“Kurti le të mos e mendojë heqjen e barrikadave me dhunë, sepse ato fillimisht u vendosën si kundërpërgjigje ndaj dhunës dhe çdo lëvizje e re e dhunshme nga ana e Kurtit, do të rrezikonte të shkaktonte një përshkallëzim të pakontrolluar”, ka thënë Petkoviq më 19 dhjetor.

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi - ka thënë se “receta për heqjen e barrikadave është lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive policore nga veriu i Kosovës dhe heqja e të gjitha listave sekrete për vrasjen e serbëve”. Rakiq nuk ka sjellë ndonjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tij, ndërsa Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë disa pretendime të mëhershme të zyrtarëve në Beograd se ajo synon “përndjekjen e serbëve nga Kosova”. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka përsëritur qëndrimin e shprehur në një reagim më 16 dhjetor, se “pret që të gjitha palët të koordinohen nga afër me këtë mision dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut”, ka thënë KFOR-i.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 13 dhjetor se barrikadat duhet t’i heqin ata që i kanë ngritur. Zgjidhja politike mund t’i largojë barrikadat Mentor Vrajolli thotë se pala e Kosovës duhet të vazhdojë të jetë e matur në reagime lidhur me barrikadat në veri. Për largimin e tyre, thotë ai, autoritetet e Kosovës duhet të koordinohen me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të ushtrohet presion ndaj autoriteteve të Serbisë.

“Ato struktura janë të vendosura nga politika e Serbisë dhe nëse presioni rritet ndaj shtetit serb për t’i larguar barrikadat, atëherë ato mund të largohen pa pasur nevojë për intervenim policor”, thotë Vrajolli.

Miodrag Milliqeviq vlerëson se për largimin e barrikadave, autoritetet e Kosovës nuk duhet t’u bëjnë presion serbëve lokalë në veri të vendit, por duhet të gjejnë një zgjidhje me autoritetet e Serbisë.

“Beogradi pyetet për të gjitha këtu [në veri të Kosovës]. E mundshme dhe e dëshirueshme është vetëm një marrëveshje politike dhe kompromisi, jo vetëm për veriun e Kosovës, por në përgjithësi për të gjitha çështjet e hapura. Gjithçka tjetër do t’i ngjajë një skenari shumë të keq, i cili nuk do të përfundojë mirë”, thotë Milliqeviq.

Si ka ardhur deri te tensionet?

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kanë kulmuar më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga Policia e Kosovës. Pantiq akuzohet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe atyre policorë në veri.

Autoritetet e Kosovës u përpoqën të organizojnë zgjedhje në katër komunat në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq - pas vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës. Braktisja e institucioneve, me mbështetjen e Serbisë, ndodhi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.

Me sugjerimin e BE-së dhe të SHBA-së, zgjedhjet u shtynë për në pranverë të vitit të ardhshëm. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bëjnë vazhdimisht thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet dhe t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. REL

F.D/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Igor: 20/12/2022 20:33

    Oj moj Kosove me shum halle ,Ku jane Amerikanet,ku jane perendimoret bejne sikur nuk e dine kush esht fajtori,por vetem me fjale ku deklarojne se siguria e Kosoves esht 100% e garantuar nga Nato dheKfor ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Festat/ Policia e Shtetit dhurata për fëmijët e Dëshmorëve të Atdheut

Festat/ Policia e Shtetit dhurata për fëmijët e Dëshmorëve të Atdheut