Egnatia po përjeton një nga sezonet më të suksesshme në historinë e saj, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe atë financiar. Ndikim të madh për këtë pati edhe fitorja e arritur të enjten kundër Lincoln Imps, me rezultatin 2-1 në ‘Air Albania’, që ka rritur ndjeshëm përfitimet e rrogozhinasve nga UEFA. Sipas një përllogaritje Egnatia ka fituar deri më tani 4 milionë e 636 mijë euro nga shpërblimet.

Një shifër e konsiderueshme për futbollin shqiptar, që e vendos klubin mes përfituesve më të mëdhenj financiarë në historinë e tij.

Një pjesë e rëndësishme e këtyre të ardhurave vjen nga pjesëmarrja në fazën e ligës së Conference League dhe rezultatet e arritura në fushën e lojës. Sipas skemës financiare të UEFA-s për sezonin 2025/26, pjesëmarrja në këtë fazë shpërblehet me 3.17 milionë euro, ndërsa çdo fitore vlen 400 mijë euro dhe çdo barazim 133 mijë euro. Egnatia ka përfituar edhe nga dy barazimet e regjistruara më parë, përpara se të siguronte fitoren historike që i shtoi edhe 400 mijë euro të tjera arkës së klubit.

Por për të kuptuar përmasat e këtij suksesi financiar, krahasimi me Skënderbeun është i pashmangshëm. Klubi korçar vendosi standarde të reja në futbollin shqiptar me aventurën europiane të sezonit 2015/16, kur arkëtoi rreth 6.9 milionë euro nga UEFA. Edhe në sezonin 2017/18, Skënderbeu realizoi një tjetër fushatë të madhe europiane, duke përfituar mbi 4.2 milionë euro.

Për t’u theksuar që te Skënderbeu janë llogaritur fitimet nga të drejtat televizive dhe komerciale, ndërsa te Egnatia jo.

Rrogozhinasit tashmë janë futur në këtë garë historike dhe po dëshmon se klubet shqiptare mund të përfitojnë shuma të konsiderueshme nga Europa. Megjithatë, rekordi i Skënderbeut prej 6.9 milionë eurosh në një sezon të vetëm mbetet ende objektivi për t'u arritur. Për rrogozhinasit, aventura europiane nuk ka sjellë vetëm rezultate dhe prestigj, por edhe një përfitim financiar që mund të ndikojë ndjeshëm në të ardhmen e klubit.