Kush e nxori në pritë Hajdarin dhe ku e çoi Berisha kasetën e ish-truprojes Zenel Nezaj?

Kush e nxori në pritë Hajdarin dhe ku e çoi Berisha kasetën e ish-truprojes Zenel Nezaj?

Sali Berisha dhe Azem Hajdari

Si sot 24 vite më parë, në mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, para selisë së PD u vra lideri i Dhjetorit Azem Hajdari. Fatmir Haklaj, është pranuar nga të gjithë, akuzohet si ekzekutori i Hajdarit, ndonëse siç e pohonte dhe ai vetë në të gjallë të tij, nuk kishte shkuar para selisë së PD për të vrarë liderin e Dhjetorit, ndërsa mbetet mister “shënjestra” e grupit që kryesonte djali i Haklajve.

Ndonëse ka shumë akuza nga të gjitha krahët, nga brenda dhe jashtë PD, se Fatmir Haklaj kishte zbarkuar në Tiranë për të sqaruar njëherë e mirë me Sali Berishën të vërtetat e kasetës që Hajdari i kishte dorëzuar plakut të Haklajve, mes të cilave dhe të vërtetën e vrasjes së vëllait të tij Ylli Haklaj me të cilin Berisha ishte konfrontuar publikisht në Tropojë, vrasje që hapi dhe ciklin e vrasjeve të tmerrshme në vendlindjen e tij Tropojë, me sa duket dalja e beftë e Hajdarit nga selia e PD me një pistoletë me selinciator në dorë, ka bërë që ndaj tij të hapet zjarr e të vritej në vend. Ndërsa shoqëruesi i Azemit, Zenel Nezaj të plagoset dhe të dërgohet me urgjencë në spitalin ushtarak për kurim të menjëhershëm.

Dilema e gjithë këtyre viteve ka qënë dhe mbetet fakti se kush e nxori në pritë Azem Hajdarin para selisë së PD, në vend të kujt i mori plumbat e vdekjes lideri i Dhjetorit. Janë pyetje të cilat as sot e kësaj ditë nuk kanë marrë përgjigjie, ndërsa zbërthimi i tyre mund të zbardhë të vërtetën së asaj që tashmë pranohet nga të gjithë si “vrasja e shekullit”.

Brenda dhe jashtë PD akuzojnë Sali Berishën për “hjekës” të Hajdarit, duke e nxjerrë në pritë, dhe shmangur veten si “shënjestër” të mundshme të Haklajve, të cilët e akuzonin, por e akuzojnë dhe sot e kësaj dite se ish kryeministri demokrat është urdhëruesi për vrasjen deri në shuarje të familjes së tyre dhe që ka përgjegjësi për vrasjen e mbi 150 djemve të Tropojës.

Madje dhe ish presidenti Ilir Meta, në debatin me Berishën në vitin 2015, kur ishte kryetar Parlamenti, akuzonte Berishën duke nënvizuar se: “Çfarë provash të kesh dërgoji në prokurori! Pse me fjalë do të merremi ne këtu? Të ka akuzuar gjysma e partisë që ke nxjerrë në pritë Azem Hajdarin dhe ne nuk ta kemi kujtuar ndonjëherë, apo jo? Nuk të ka akuzuar njeri!”!

Në të njejtën linjë ka qënë dhe ish truproja e Berisha kur ishte President, Izet Haxhia. “Pasi mbërriti në zyrat e PD Azem Hajdari, u thirr në zyrë prej Sali Berishës dhe, ky i fundit i tha që të dilte e të merrej vesh me ta! Sali Berisha i shmanget si djalli temjanit thirrjes para gjykatës për të dëshmuar, krahas dijenive të tij për fakte të tjera edhe këtë fakt, domethënë se përse nxori Azem Hajdarin të “merrej vesh” me Fatmir Haklajn e me Jaho Mulosmanin, në një kohë që edhe si Azem Hajdari të vepronte në kokën e vet dhe të dilte, duhet të ishte pikërisht Sali Berisha që do t’i thoshte atij q të njoftonte policinë për këtë dyshim dhe rrezik që ishte prezent për orë të tëra pranë selisë së PD-së.

Fakti që Berisha, për ta larguar nga vetja rolin e “hijeksit” që bëri, duke e nxjerrë në pritë Azem Hajdarin, krijoi “alibinë” se gjoja Fisnik Sina, i cili ishte ditën e ngjarjes me Sali Berishën, i ka thënë Saliut një ditë pas ngjarjes se kishte hyrë në zyrën e Azem Hajdarit dhe i kishte thënë se para Selisë së PD-së ndodhej një makinë, brenda së cilës ka njerëz të dyshimtë të armatosur!

Madje Sali Berisha vazhdon më tej “alibinë” e tij, duke thënë se në bisedën e datës 13 shtator 1998, një ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, kanë ndarë të dy mendimin sesi kishte mundësi që Azem Hajdari kishte dalë nga zyra dhe kishte shkuar vetë te makina ku ndodheshin vrasësit, në vend që të dërgonte truprojat e tij!”, ka deklaruar Haxhia në sallën e gjyqit, mbi 20 vite pas vrasjes së Hajdarit, pas ekstradimit nga Turqia e hapjes dhe njëherë të çështje, nën argumentin se është akuzuar dhe dënuar me të padrejtë dhe në mungesë për një vrasje që se ka kryer.

Por në mënyrë të papritur, pas një heshtje më shumë se 20 vjeçare për këtë fakt, ish truproja e Berishës ka kërkuar marrjen e dëshmisë, të drejtëpërdrejtë ose me vieo-kamera të ish shoqëruesit të Azem Hajdarit, të plagosur në tentativë për të mbrojtur shefin e tij, Zenel Nezaj. I cili është në azil politik pas ngjarjes, në një vend anëtar të NATO-s e pjesë e Komonuellthit Britanik.

Askush nuk mund të shqisë nga memorja pamjet e 24 viteve më parë, më 13 shtator 1998, në spitalin ushtarak ku është zhvilluar një nga aktet më të ndyra të mbulimit të një krimi politik, siç është ekzekutimi i Azem Hajdarit.
Kreu aktual i PD, dhe asokohe në opozitë, Sali Berisha, pak orë pas vrasjes së Hajdarit para selisë së PD, ka takuar dëshmitarin kryesor okular, Zenel Nezajn ish zyrtar i lartë i SHIK-ut të Gazidedes dhe më 12 shtator si truproja i plagosur i liderit të dhjetorit Azem Hajdari.

Në një video të publikuar më vonë në media, shihet qartë Berisha duke regjistruar me diktofon dëshminë e Zenel Nezajt, truprojës se Azem Hajdarit, i vetmi i mbijetuar i atentatit të 12 shtatorit 1998, ku mbetën të vrarë lideri i Dhjetorit dhe truproja tjetër i tij, Besim Cera.

Nezaj, pasi është intervistuar nga Berisha refuzoi të dëshmojë për prokurorinë dhe u largua jashtë vendit duke mos u paraqitur kurrë në procesin “Hajdari”. Ai përfitoi statusin e azilantit politik në Belgjikë dhe më pas është larguar në kontinentin amerikan, në veri thuhet, pavarësisht se organet ligjzbatuese shqiptare e kanë ditur dhe e dinë si dreqi dhe tani vendndodhjen e tij.

Dhe si gjithnjë Berisha shmangu organet ligjzbatuese, duke mos e vënë në dizpozicion të drejtësisë kasetën e regjistruar në mënyrë ilegale dhe për pasojë nuk ka dëshmuar asnjëherë, as sot e kësaj dite se çfarë tha ish truproja e Hajdarit si dëshmitar okular, për vrasjen e liderit të Dhjetorit.

Megjithëse gjykata i dërgoi 57 thirrje Sali Berishës për të dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit, si person që kishte dijeni, kujtojmë se vetëm një ditë më pas deklaroi në një ambasadë por dhe në një organ shtypi emër për emër se kush ishin ekzekutorët e Liderit të Dhjetorit, Berisha asnjëherë nuk u paraqit në sallën e gjyqit apo organet e drejtësisë për të dhënë të vërteta e tij zyrtarisht.

Që çështja “Hajdari” të gjykohet dhe njëherë dhe të dalë e vërteta, mbi motivin, ekzekutorët dhe atë që nxori në pritë Azem Hajdarin është e domosdoshme që kjo provë e re dhe ndoshta kyçe të dorëzohet edhe forcërisht në prokurori apo SPAK, për të zbardhur atë të quhet tashmë si “Vrasja e Shekullit”!

Pikërisht duke pasur parasysh këtë provë të re, pra kasetën e regjistruar nga Berisha me dëshminë e Zenel Nezajt, u vetëdorëzua dhe pranoi ekstradimin nga Turqia dhe Izet Haxhia. I cili është shprehur vendosmërisht se për të gjitha arsyet, i vetmi që ka ‘dorë’ në vrasjen e Hajdarit është Sali Berisha. Kasetën e Nezajt, Haxhia e vuri kusht.

Madje Izet Haxhiaj akuzon Sali Berishën që për të humbur gjurmët e krimit i ka garantuar dhe më pas i ka siguruar Zenel Nezajt daljen jashtë vendit, dhe përfitimin e azilit politik, duke e mbrojtur fort gjatë gjithë kësaj kohe dëshmitarin kryesor që mund të zbardhë tërë skenarin e vrasjes së Azem Hajdarit.

Fakti është se pas vrasjes së Azem Hajdarit më 13 shtator 1998, Sali Berisha, i shoqëruar nga drejtuesi i një gazete të asaj kohe dhe nga 3 njerëz të besuar të tij në lidershipin e PD, shkoi me urgjencë në spital, duke marrë “eksluzivisht” dëshminë e ish truprojës së plagosur Zenel Nezaj.

Pavarësisht kundërshtimit të mjekëve që kërkonin ta linin të qetë të plagosurin, pasi nuk ishte në gjendje të merrej në pyetje dhe të fliste, Berisha jo vetëm që e pyeti dhe incizoi bisedën, por nxori jashtë dhe vetë mjekët për të mos qënë dëshmitarë, kërcënoi dhe dhe nxori jashtë dhe policinë që në bazë të ligjit dhe urdhërit të prokurorisë, i kërkoi të mos ndërhynte në punët e saj, duke pyetur privatisht të plagosurin, pasi Zenel Nezaj ishte nën mbrojtjen e policisë në spital.

Mediat në atë kohë shkruanin se, për shkak të situatës së krijuar e frikës se mund të krijoheshin trazira të dhunshme, pasi jashtë spitalit ishin grumbulluar militantë të tërbuar të PD, policia u tërhoq dhe Berisha vazhdoi të merrte në pyetje Zenel Nezajn, duke e regjistruar rrëfimin e tij, për ato çfarë kishte parë e dëgjuar atë natë në selinë e PD, nga Azemi, nga ata që qëlluan dhe nga vendi ku ndodhi vrasja!

Kjo kasetë e bisedës së regjistruar mes Sali Bershës dhe Zenel Nezajt s’është në dosjen hetimore. Thuhet, se Berisha i ka kërkuar Nezajt, madje e ka urdhëruar, që përpara drejtësisë të deklarojë një deshmi tjetër ndryshe nga realiteti që ka ndodhur. Dhe ky ka qënë një nga kushtet që Berisha t’i garantonte atij largimin pa probleme jashtë vendit dhe mbajtjen larg drejtësisë. Ndoshta për të mos zbuluar ndonjë të vërtetë të hidhur.

Ky është një mister që vetë Berisha, Zenel Nezaj dhe personat që shoqëronin kreun aktual të PD në spitalin ushtarak në atë kohë mund ta zbardhin për të ndihmuar drejtësinë në zbulimin e shkaqeve dhe autorëve të vërtetë të vrasjes së Azem Hajdarit.

I përmendëm këto fakte ndoshta të shtyrë dhe nga deklarata e sotme e Berishës tek memoriali i vendosur në vendin ku u vra Azem Hajdari, pasi kreu i PD është shprehur se vepra e tij sot është më e gjallë se kurrë.

“Përulemi para veprës së Azem Hajdarit, Ai bëri shumë për lirinë e shqiptarëve. Azemi përfaqëson fillimin e ndarjes së sistemeve, sistemin diktatorial dhe sistemi e vlerave. Për këtë akt Azemi u ekzekutua më 12 shtator 1998, nga vrasës me uniform, kapitenë e kolonela të regjimit. Por ai është dhe mbetet frymëzim i madh për shqiptarët, mbetet i përjetshëm në veprën e tij, Sot Azem Hajdari me mesazhin e tij është më i gjallë se kurrë! Sot ne vendosëm ato kurora aty ku ranë Azem Hajdari e vëllau i tij Besim Çerja, por i vendosëm këto lule në kushtet e regjimit të plotë”, deklaron Berisha.

I cili edhe sot, si në çdo përvjetor ‘harroi’ të përmendë emrin e ish truprojës së liderit të Dhjetorit, Zenel Nezaj, i plagosur në tentativë për të mbrojtur Hajdarin. Por për hir të së vërtetës Berisha nuk përmendi as zotimin për të zbardhur vrasjen e Hajdarit sapo të vijë në pushtet. Ishte 8 vite në pushtet dhe s’bëri asgjë.

Që të jemi korrektë me lexuesin, marrëdhëniet e Berishës me Hajdarin kanë qënë shumë të komplikuara që nga themelimi i PD e deri në ekzekutimin e tij më 12 shtator 1998. Hajdari më shumë qëndroi jashtë strukturave dhe grupit parlamentar të PD se sa brenda tyre. U përjashtua dy herë nga grupi, njëherë në vitin 1994 për shkak se përkrahu grevën e urisë së ish të përndjekurve politikë dhe njëherë në fund të vitit 1995 sepse i futi një shpullë një punonjësi të administratës së PD.

Berisha gjithnjë i trembej Hajdarit, sidomos pas akuzave që ai lëshoi me statusin e kreut të komisionit parlamentar të rendit dhe SHISH, se ishin zhdukur dosjet e agjentëve të UDB. “Shigjetat” ishin për Berishën, që akuzohej se për shkak të lidhjeve familjare ishte agjent i ish shërbimit sekret Jugosllav. Pjesa tjetër është histori. Hajdari i “shërbeu” Berishës vetëm në vdekje, për të organizuar grushtin e dështuar të shtetit më 14 shtator 1998 dhe për të folur në çdo përkujtimore të tij. Pra përmendet vetëm në ditën e vdekjes.

Por Berishës, tashmë dhe “non grata” nga SHBA e Britania, do t’i duhet që për të hequr barrën e krimit të vendosur në supet e tij nga brenda PD dhe aleatët aktualë, të shpjegojë se kush e nxori në pritë Azem Hajdarin, dhe çfarë ka dëshmuar Zenel Nezaj, dëshmi e regjistruar në një kasetë, fati i të cilës nuk dihet.

Të “pastrojë” shpirtin dhe të heqë nga kurrizi i tij akuzat të paktën, nëse janë të pavërteta. Eshtë dhe detyrë e SPAK ta shohë këtë çështje. Gjykatat në botë kanë dhënë fajësi dhe pafajësi dhe 100 vite pas ndodhjes së një krimi, kur organet e hetimit kanë paraqitur prova të reja. Ndaj drejtësia e re të mos e quajë ‘të një jete tjetër’ zbardhjen e “vrasjes së shekullit”.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • UKU MOMLIT: 13/09/2022 11:17

    Azemi ka qene nje BASHKEPUNTOR shume me i mire i SIGURIMIT TË SHTETIT se I.M......po mos e marri vesh as sala e as Iliri se e heqin nga varrezat e deshmore siç bene me shokun enver etj.

    Përgjigju
  • Rexhep Kasap Bule Leka [ kepi ]: 12/09/2022 20:38

    Sali Berish të vetmen gjë të mir që ka bër është qërimi nga kjo Bot e rugaçit ordiner axem hajdarit. E siç ka mbiemrin ashtu ka qen HAJDAR.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës