Kush e 'rrëzoi' euron, si duhet kuptuar nënçmimi i monedhës së përbashkët

Kush e 'rrëzoi' euron, si duhet kuptuar nënçmimi i monedhës së përbashkët

Në 19 dhjetor të vitit të kaluar, euro u këmbye me 122.69 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët, që  nga gushti 2008. Ndërsa për gjithë vitin kursi mesatar i këmbimit ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004-a.

Nënçmimi i fortë i euros nënkupton një ofertë shumë të lartë të monedhës së përbashkët në raport me kërkesën për të. Por, nga ka ardhur kjo ofertë e lartë e valutës? Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, të publikuara në bilancin e pagesave tregojnë se ekonomia formale nuk ka sjellë më shumë valutë në 2018-n. Deficiti i llogarisë korente, një tregues që mat transaksionet e hyrjes dhe daljes së valutës në vend, ishte -860 milionë euro në vitin 2018, me një përmirësim prej vetëm 6 milionë euro, një shumë e papërfillshme për të arritur të ndikojë kursin (transaksionet ditore vlerësohen në mbi 50 milionë euro). Madje vetëm në tremujorin e katërt, kur euro shënoi një rënie të fortë, deficiti i llogarisë korente  ishte 364 milionë euro, duke arritur nivelin më të lartë që nga 2011-a! (shiko grafikun: deficiti i llogarisë korente T IV).

Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se që nga viti 2015, periudhë kur euro ka rënë me 12 lekë, ose gati 9%, deficiti i llogarisë korente ka mbetur pothuajse i pandryshuar, madje në 2017-n ai u përkeqësua lehtë. Teorikisht lidhja duhet të ishte e drejtë, dmth një përmirësim i deficitit të llogarisë korente, që nënkupton më shumë valutë të hyrë nga burimet zyrtare,  duhet të kishte ndikuar në  rënien e euros. Praktikisht kjo nuk ka ndodhur, siç e tregon dhe grafiku i ecurisë së kursit dhe deficitit të llogarisë korente. Zyrtarisht në vend nuk ka hyrë më shumë valutë tre vitet e fundit, por sërish euro është nënçmuar ndjeshëm!

Një tjetër tregues i sasisë së lartë të valutës që qarkullon në vend, krahas efektit tek kursi, është rritja e lartë e depozitave në valutë. Sipas të dhënave të tjera të Bankës së Shqipërisë, depozitat në euro në fund të vitit 2018 arritën në 4 miliardë euro, me një rritje prej 10% me bazë vjetore, ose rreth 370 milionë euro më shumë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë i kursimeve në monedhën e përbashkët. Shtimi i depozitave në euro në 2018-n ishte shumë më i lartë krahasuar me vitin e mëparshëm, kur ato u rritën me vetëm 68 milionë euro.

Krahas ofertës së lartë të euros, një tjetër faktor që ndikoi në nënçmimin e euros në 2018-n ishte konvertimi i kapitalit të bankave, që iu shtua dhe disbursimi i një kredie të BERZH për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se këto transaksione përbënin një shumë afër 300 milionë euro për t’u konvertuar në një moment të caktuar, duke ushtruar presion për nënçmimin e euros. Por, nga ana tjetër BSH pranoi se ka blerë mbi 400 milionë euro në total gjatë, kryesisht gjatë periudhës qershor-shtator, jo vetëm për efekt të kursit por dhe për arsye të rezervës valutore, çka duhet të kishte amortizuar efektin e konvertimit të kapitalit dhe kredisë së BERZH.

Nga vijnë dhe ku shkojnë paratë (zyrtarisht)

Sasia më e lartë e valutës jashtë vendi del për të blerë mallra jashtë, që arrijnë në 3.8 miliardë euro, ose gati 4 herë më të larta se valuta që hyn si rrjedhojë e shitjes së mallrave jashtë vendit, duke shkaktuar një deficit prej gati 2.9 miliardë euro.  Deficiti i lartë i mallrave ndikon dukshëm në gjithë deficitin e llogarisë korente.


Nga shërbimet, bilanci është pozitiv me rreth 1 miliardë euro. Këtu ndikojnë eksportet e shërbimeve, kryesisht nga aktiviteti i call center e fasoni si dhe të ardhurat neto nga turizmi, që gjeneruan neto 431 milionë euro (ndonëse dhe shpenzimet e shqiptarëve janë rritur ndjeshëm çka bëri që të ardhurat neto nga turizmi të jenë 3.5% më të ulëta se një vit më pare).

Bilanci është kthyer negative në -5 milionë euro për të ardhurat parësore, që ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së investimeve jashtë.

Pozitiv është bilanci i të ardhurave dytësore, që janë kryesisht paratë që sjellin emigrantët në shtëpi, të cilat vitet e fundit po i kthehen sërish rritjes, si rrjedhojë e rigjallërimit të ciklit të emigracionit.

Në rezultante, nga Shqipëria dolën neto 860milionë euro në 2018-n, me një përmirësim prej vetëm 6 milionë eurosh në raport me vitin e mëparshëm.Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • WTF: 27/03/2019 17:59

    Ka dy arsye pse Euro ra; e para eshte forcimi i Lekut nga rritja ekonomike, e dyta dhe me e rendesishmja eshte transferimi i parave te korrupsionit jashte shtetit nga frika e SPAK. 860 million Euro qe kane dale nga Shqiperia jane shumica parate e Berishes, Metes, Mediut, Nishanit, etj qe kane filluar te transferojne pasurite tek femijet qe kane jashte shtetit.

    Përgjigju
  • Vlore: 27/03/2019 09:29

    Po pse kot u mboll gjithë vendi... Shitet në Itali dhe eurot vijn në Shqipëri, kjo tregon qe tregu lulëzon fortë edhe pse shumë kapet. Nuk ka nevojë për shumë mendje për tu kuptuar pse kjo rënie kaq e fortë e Euros.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë