DURRËS-  Kur kanë kaluar tre javë nga zbulimi i krimit makabër në Durrës, vrasja e Pëllumb Metës nga tre fëmijët, prokuroria ka siguruar prova të reja që hedhin dritë mbi ngjarjen. Nga ekspertimi në poligonin e qitjes, ka rezultuar se 19-vjeçarja, Hygerta Meta, që ka marrë përsipër autorësinë, siç shihet edhe në foton e siguruar nga Report TV, është e aftë të kryejë qitje me pistoletë. Ndaj alibia se ajo nuk është e aftë të kryejë vrasje, tashmë ka rënë.

E reja u dërgua në poligon bashkë me dy vëllezerit, Hysenin e Amarildon dhe nënën e tyre, Blerina Meta, por këta të fundit nuk pranuan të kryejnë testin, me pretendimin se nuk dinë të përdorin armën. Burime për Report TV nga grupi hetimor thanë se Hygerta Meta është në gjendje të mbushë “TT”-në, e ngjashme me pistoletën e krimit dhe ka kryer qitje. Ndërsa 25-vjecari Hysen Meta, që grupi hetimor beson se është ekzekutori i të atit, ka refuzuar të qëllojë duke thënë se nuk di të mbajë armën. Të dhënat e këtij eksperimenti po krahasohen me ato të përpiluara nga ekspertët gjate këqyrjes së vendngjarjes.

Prokuroria e Durrësit ka siguruar dhe një tjetër provë të rëndësishme. Nga ekspertiza balistike në armën e krimit kanë dalë gjurmët e gishtërinjve të djalit të vogël, Amarildo Meta. Mbi këtë provë, prokuroria pritet të ndryshojë akuzat ndaj 21-vjeçarit, i cili deri më sot hetohej vetëm për fshehje të kufomës. Gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se armën e ka prekur pas krimit.

49-vjeçari Pëllumb Meta u vra më 10 shkurt në banesën e tij në fshatin Shënavlash dhe 3 fëmijët e varrosën në kasolle, në tentativë për të fshehur kufomën. Ngjarja tronditëse u zbulua nga policia më 23 shkurt, pasi djali i madh e denoncoi të zhdukur.

Që prej arrestimit e deri më sot, 3 fëmijët kanë dhënë deklarata kontradiktore, ndaj po kryhen hetime intensive për zbardhjen e autorit kryesor. Sa i përket shkaqeve, dhuna në familje dhe fejesa me shkuesi e Hygertës mbeten pista kryesore. Nuk përjashtohet as konflikti për pronat. Nga hetimi pasuror rezulton se viktima kishte dy shtëpi dhe një sipërfaqe toke në zonën industriale të Durrësit.

Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com, gazetarët Artur Korriku dhe Aldo Mustafa

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:58
E vetmja që dinte të qëllonte me armë, Report Tv siguron foton e Hygerta Metës në poligon

1710188274_123123123123123.jpg

Foto: Hygerta Meta kryen qitje me armë në poligon

Report Tv ka siguruar foton e Hygerta Metës në momentin kur 19 vjeçarja po kryente qitje me pistoletë në poligon, si pjesë e eksperimentit hetimor të policisë së Durrësit për zbardhjen e plotë të vrasjes së babait të saj Pëllumb Meta.

Hygerta Meta e cila kur doli në gjykatë mori përsipër autorësinë e vrasjes që tronditi vendin, rezultoi e vetmja pjesëtare e familjes së saj që mundi të bënte qitje me armë.

Ora 11:19
Vrasja e Pëllumb Metës, nëna dhe dy djemtë refuzojnë të bëjnë qitje

 

Familja Meta është dërguar për t’u testuar në një poligon qitjeje, me qëllim që hetuesit të përcaktojnë se kush e vrau Pëllumb Metën. Burime për Report Tv dhe Shqiptarja.com bëjnë me dije se nëna dhe dy djemtë kanë refuzuar që të bëjnë qitje me armë në poligon duke thënë se nuk kanë dinë të përdorin armën apo se nuk kanë lidhje me vrasjen.

E vetmja që ka kryer qitje është Hygerta, e cila ka rezultuar se di të përdorë armën. Të gjithë familjarët e tjerë refuzojnë të flasin dhe e vetmja që ka marrë përsipër vrasjen e të atit është Hygerta.

Ajo është e vetmja që vijon i qëndron dëshmisë se është ajo vrasësja.

Ora 10:11
Vrasja e Pëllumb Metës, në pistoletë gjenden gjurmët e gishtërinjve të djalit të vogël

1708948420_hygertameta.jpg

Shqiptarja.com dhe Report Tv mësojnë detaje të reja nga hetimet lidhur me vrasjen e Pëllumb Metës në Durrës. Burime bëjnë me dije se në pistoletën që është përdorur për të vrarë Pëllumb Metën janë gjetur gjurmët e gishtërinjve të djalit të vogël, Amarildo Meta.

Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë dhe ende po vijohen hetimet për të zbuluar se cili nga anëtarët e familjes ka vrarë Pëllumb Metën.