Bekim Sejdiu i lindur në 1974-ën është një prej emrave më të njohur në diplomacinë dhe drejtësinë e Kosovës. Me një karrierë që shtrihet nga ngritja e shërbimit diplomatik të shtetit të ri, te Gjykata Kushtetuese dhe bota akademike, ai pritet të jetë kandidati për President të Kosovës.

Sejdiu ishte pjesë e brezit të parë të diplomatëve të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Fillimisht shërbeu si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa në vitin 2008 u emërua përfaqësues i Kosovës në Ankara. Një vit më vonë u dekretua ambasadori i parë i Kosovës në Turqi, ku qëndroi deri në vitin 2012.

Më pas ai u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku shërbeu si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork nga viti 2012 deri në 2014. Në këtë detyrë ishte pjesë e përfaqësimit të Kosovës në aktivitetet diplomatike dhe takimet e nivelit të lartë në OKB.

Në vitin 2015, Sejdiu u zgjodh gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Gjatë mandatit të tij mori pjesë në shqyrtimin e disa prej çështjeve më të rëndësishme kushtetuese në vend, ndërsa në vitin 2021 dha dorëheqjen nga kjo detyrë.

Përveç angazhimeve shtetërore, ai është profesor në Departamentin e së Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Studimet juridike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka dy diploma master, në marrëdhënie ndërkombëtare dhe në demokraci e të drejta të njeriut. Doktoraturën e ka përfunduar në studime ndërkombëtare dhe diplomatike në Nova Univerza të Sllovenisë.

Sejdiu ka qenë gjithashtu aktiv në sektorin e shoqërisë civile, si një nga themeluesit e Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), si edhe drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (FKSHC). Gjatë karrierës së tij është nderuar me disa dekorata dhe mirënjohje ndërkombëtare, ndërsa ka botuar edhe punime shkencore në fushën e së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.


Lajmi kryesor:

Kriza politike në Kosovë/ Kurti e Abdixhiku arrijnë marrëveshjen për presidentin! Bekim Sejdiu emri konsensual: Do shërbej me devotshmëri