Kush është gruaja e fshehur në Vjenë, që di gjithçka për aferat e Metës: I duhej një dëshmi force për t’u mbyllur gojën dëshmitarëve

Kush është gruaja e fshehur në Vjenë, që di gjithçka për aferat e Metës: I duhej një dëshmi force për t’u mbyllur gojën dëshmitarëve

Vojsava Ismailaj

Fjalori i Metës ndaj kreut të SPAK, Dumani ka shokuar jo pak opinionin publik. Disa e gjejnë shkakun te gjendja mendore e rënduar sipas tyre e Metës, por duket se sjellja e tij ka të bëjë drejtpërdrejt më procesin e hetimeve dhe mundësinë e arrestimit.

Një ish-zyrtar afër Metës i tha gazetës DITA se dalja publike e tij ka patur për qëllim të frikësojë dëshmitarët dhe ata që kanë dijeni mbi aferat për të cilat po heton SPAK.

“Iu drejtua Dumanit, por nuk e kishte me Dumanin. Thjesht e përdori për tu treguar atyre që janë lëkundur dhe atyre që kanë dëshmuar kundër tij, të tërhiqen. Duke goditur Dumanin tenton t’u heq atyre sigurinë që do shpëtojnë pa pasoja dhe se Dumani sot është, nesër nuk është pasi ky “e shkrin edhe nga burgu”. Ndaj e tha shprehjen; që ata të kenë frikë edhe nëse arrestohet, pra të mos thellohen dëshmitë kundër tij, por të frenohen. Duhet të jepte një provë publike force, për t’u mbyllur gojën dëshmitarëve” – tha burimi në fjalë.

Në maj 2022 gazeta më e madhe në Austri, “Kronen Zeitung” publikoi një artikull mjaft kompromentues për çiftin Meta. Artikulli nis me dëshminë e një personi të cilin gazeta nuk e identifikon, por e përshkruan si një ish-person afër Metës, që aktualisht është fshehur në Vjenë, ku ka kërkuar mbrojtje.

Artikulli flet për financimin e një lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ngre pikëpyetje për një vizitë të Metës në Uashington, veçanërisht për burimin e parave.

Artikulli përmend edhe shumat e mëdha të paguara për disa ndërhyrje kirurgjikale estetike që ka bërë bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi.

Pjesë nga artikulli i  “Kronen Zeitung”:

“Lotët i rrjedhin nëpër faqe, duart i dridhen, zëri i dridhet. Frika e tij është e dukshme, gjatë një takimi me “Krone” në një vend sekret. Ai erdhi në Austri për shkak të frikës së një atentati. Ajo që tregon në prani të disa avokatëve të njohur vjenezë, të bën të ndalesh dhe të mendosh. Provat që ai ka, mund të tronditin peizazhin politik të Shqipërisë.

Presidenti Ilir Meta ka mbajtur jo pak poste në karrierën e tij. Ai themeloi partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilën e drejtoi deri në vitin 2017. Ka qenë kryetar i Parlamentit për disa vite dhe është President i Republikës që nga viti 2017.

Përgjatë viteve qarkulluan flukse parash, burimin e të cilave dëshmitari e përshkruan nga veprime “thellësisht të korruptuara”.

Më 20 janar 2017, Meta ndau një foto të tij dhe një kolegeje partiake në inaugurimin e Donald Trump. Për të fituar akses në inaugurimin dhe zyrtarët republikanë, ata lobuan me zell përmes një kompanie guaskë qipriote. Kostoja: 700,000 dollarë.

Deri më sot, është e paqartë se kush e ka paguar këtë shumë. Vetë Meta pretendon se është ftuar nga republikanët. Por sipas disa dokumenteve hetimore amerikane, 700,000 dollarët kaluan nga një jurist i afërt me Metën përmes kompanisë offshore “Dorelita Limited”.

Pak javë para inaugurimit u lidh një kontratë mes palës LSI dhe kompanisë, e cila parashikonte pjesëmarrjen në inaugurim. Pas kësaj, Meta u bë, president. Duke qenë se lobimi me pagesë është i vështirë për t’u menazhuar në një pozicion si ky, kontrata u ndërpre.

Por u lidh menjëherë një kontratë të re me “Dorelitën”, e cila nuk ka asnjë aktivitet biznesi. Në listën e tyre të dyshimtë të shpenzimeve: 50 mijë euro në muaj për takime me senatorë amerikanë, darkë, udhëtime dhe me sa duket edhe operacione estetike për zonjën Meta, Monika Kryemadhin, e cila mori kryesimin e LSI-së nga bashkëshorti i saj. Në çdo rast, akuzat rëndojnë dhe prezumimi i pafajësisë vlen për çiftin politik…”

Kush është “dëshmitarja e Vjenës”

Po kush është “dëshmitari që ka kërkuar strehim në Vjenë dhe di shumë për Metën dhe bashkëshorten” që ka folur me gazetën austriake? Në fakt nuk është mashkull. Bëhet fjalë për një femër.

“Dëshmitari me të cilin ka folur gazeta e madhe austriake KRONE është bashkëshortja e ish-kreut të DIA, Kastriot Ismailaj, aktualisht në burg” – i tha redaksisë së gazetës DITA në kohën e publikimit austriak, një burim afër studios ligjore të përfshirë në procesin e Arbitrazhit në Vjenë.

Znj.Vojsava Ismailaj, ka qenë të paktën dy herë në qendër të vëmendjes publike në Shqipëri dhe në një intervistë në 2019 ajo tha se ndihej e kërcënuar nga z.Meta, të cilin e akuzon si personin që nxiti burgosjen e bashkëshortit të saj.

Arrestimi dhe dënimi i Kastriot Ismailaj lidhet me atë që njihet në publik si skandali CEZ-DIA, por Ismailaj është gjithashtu personi i përgjimit të denoncuar kohë më parë, ku dyshohet se Meta kërkonte 200 mijë euro për fushatë.

Vojsava Ismailaj, e cila është larguar tashmë nga Shqipëria, është marrë gjithashtu në pyetje nga Prokuroria, në kuadër të një hetimi të hapur pas deklaratave të ashpra publike mes Ilir Metës dhe Tom Doshit mbi një “komplot për vrasje”.

Vojsava dhe Kastrioti kanë qenë miq të ngushtë familjarë me Ilirin dhe Monikën, më pas nisën armiqësitë dhe komplotet.

Në maj 2019, pas largimit nga Shqipëria ajo dha një intervistë, në të cilën ndër të tjera thoshte:

-Zonja Vojsava përse keni vendosur të largoheni jashtë Shqipërisë?

Jam larguar nga Shqipëria, sepse pas arrestimit të bashkëshortit tim, Kastriotit, jam ndjerë e kërcënuar dhe e rrezikuar nga pushteti, d.m.th njerëz të veshur me pushtet. Çështjet për të cilat ai po hetohet janë madhore, janë çështje ku janë përfshirë dhe përfolur emra shumë të pushtetshëm të politikës shqiptare dhe unë si bashkëshortja e tij kam ndjerë se ne si familje mund të jemi të rrezikuar nga presione të njerëzve të pushtetshëm që nuk do të dëshironin që Kastrioti të sqaronte shumë detaje gjatë hetimeve që po kryhen ndaj tij.

Ka pasur direkt dhe indirekt kërcënime. Persona të njohur të mi dhe të Kastriotit, më kanë thënë: Kastrioti të tërhiqet nga Arbitrazhi që të lirohet. Ky është kërcënimi që ka ardhur në mënyrë indirekte, direkt më kanë kërcënuar persona të panjohur për jetën time dhe të djalit tim, më kanë ndjekur dhe ruajtur gjatë gjithë kohës persona të ndryshëm, kudo ku unë shkoja, para shtëpisë etj.

Në dijeninë tuaj, cila është arsyeja që prokuroria rinisi hetime, të cilat i kishte pushuar më parë?

Për Kastriotin, por edhe për mua, ishte e qartë se ngritja e këtyre akuzave dhe rifillimi i hetimeve ndaj Kastriotit, pasi hetimet ndaj tij ishin pushuar 3 herë në të shkuarën, kishin si qëllim vetëm ta sulmonin, për shkak të arbitrazhit të filluar në Vjenë.

Pra, Kastrioti duhej penguar me çdo kusht në vijimin e arbitrazhit, jo vetëm për shkak të shumës së kërkuar, por kryesisht për shkak të informacioneve që po dilnin gjithmonë e më shumë gjatë procesit të arbitrazhit. Avokatët e të dyja palëve kishin filluar të paraqisnin gjithmonë e më shumë detaje para Gjykatës së Arbitrazhit dhe me sa duket kjo duhej të ndalonte, pasi përfshiheshin persona të pushtetshëm.

Kur flisni për persona të pushtetshëm, siç e keni përmendur edhe më parë, për kë e keni fjalën konkretisht? A mund të përmendni ndonjë emër?

Mund të përmend Presidentin e Shqipërisë zotin Ilir Meta, i cili ishte një ndër personat e interesuar drejtpërdrejtë që zhurma rreth të ashtuquajturës “afera CEZ” në Shqipëri, të shuhej. Kjo e lidhur me aktivitetin e tij kur ka qenë ministër i Jashtëm apo edhe ministër i Ekonomisë.

Kastrioti për shkak të aktivitetit të tij të hershëm, jashtë Shqipërisë kishte lidhje dhe miq në të gjitha anët e botës. Ilir Meta, por edhe të tjerë janë përpjekur vazhdimisht t’i shfrytëzojnë këto lidhje për të nxjerrë përfitime. P.sh lidhja e Kastriotit me CEZ në Pragë, është krijuar falë lidhjeve të tij dhe jo ndikimit të politikanëve shqiptarë.

Këta të fundit kanë qenë ata, Ilir Meta në mënyrë të veçantë, që kanë shfrytëzuar lidhjet e Kastriotit, për të krijuar ata më pas lidhje me persona të rëndësishëm të biznesit apo edhe të politikës. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e CEZ-it.

Kastrioti e kishte mik Ilir Metën dhe deri në fund të vitit 2012 marrëdhëniet e tij me Ilir Metën kanë qenë tepër të ngushta. Qysh në kohën para se të bëhej Kryeministër apo dhe person i rëndësishëm në politikë, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë.

Kemi kaluar shumë dreka dhe darka së bashku: Ilir Meta i kishte forcuar lidhjet me Kastriotin që në kohën e krijimit të FRESH-it. Kastrioti kishte ndërmjetësuar edhe pajtimin e Ilir Metës me Fatos Nanon dhe ky është një fakt i njohur publikisht.

Për t’ju rikthyer historisë së CEZ-it, po sjell vetëm një shembull: ka qenë pikërisht Ilir Meta, që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit që t’u kërkonte çekëve që ta shpërblenin atë, pra Ilirin, me pretendimin se ai i kishte bërë të fitonin miliona euro.

Gjyqi që nuk ndodhi kurrë

Pas artikullit në gazetën austriake “Krone Zeitung”, Meta doli në një konferencë për media, ku tha se akuzat janë të pavërteta dhe se do hidhte gazetën në gjyq.

“E kam parë atë shkrim pa emër për presidentin e një vendi, që nuk është gjë tjetër por një ripërtypje në publik e disa shpifjeve në publik dhe të bëra nga revista Father Jonson. Pasi kam marrë pjesë si kryetar i Kuvendit, bashkë me Vasilin, me ftesë. Gjithçka është e verifikueshme dhe për shkak të kamerave. S’kemi asnjë lidhje me atë mashtrim. Ata thonë ka qenë Ilir Meta atje dhe ka paguar 700 mijë dollarë, për të bërë foto me Trump.

Kemi njoftuar ambasadën austriake këtu, kam njoftuar dhe ambasadorin tonë në Vjenë. Po të mos isha President i Republikës nuk do t’i padisja, sepse shpifje të tilla ju dëgjoni çdo ditë. Por ata do të shkojnë në gjyq dhe ka garë të madhe mes avokatëve të ndryshëm në Vjenë për të më përfaqësuar në këtë gjyq. Do keni mundësi të ndiqni etapat. Do t’i nxjerrë me emër të gjithë ata që kanë mashtruar jo thjesht gazetën. Do ta bëj për dinjitetin e postit që përfaqësoj. Siç kemi fituar gjyqe në Itali, do ta fitoj dhe në Austri”, deklaroi Meta.

Por asnjë padi nuk u bë dhe asnjë gjyq nuk u zhvillua.

Vojsava Ismailaj, ndër tre dëshmitë kryesorë të SPAK ndaj Metës

SPAK ka administruar tre dëshmi shumë të rëndësishme që implikojnë Ilir Metën në aferën CEZ-DIA, të cilën e ka hetuar vetë Dumani. Kreu i SPAK ka shkuar personalisht në burgun e Fierit për ti marrë dëshminë Kastriot Ismailajt, ish-mik dhe bashkëpunëtor i Metës, më pas akuzatori kryesor i tij, bashkë me gruan, që tashmë është larguar nga Shqipëria, pasi ka deklaruar se është kërcënuar nga Meta.

Sipas medias, tre dëshmitë kryesore kundër janë të Elvis Matës, drejtor ekzekutiv e kompanisë DIA, me pronar Kastriot Ismailaj, një nga ish-njerëzit më të besuar të Ilir Metës. Dëshmia tjetër është Vojsava Ismailajt, gruaja e Kastriot Ismailaj, e cila ka rrëfyer se pas kësaj afere fshihet Meta dhe Kryemadhi. Dëshmia tjetër është e Jozef Hisekut, ish shef i CEZ në Pragë për Shqipërinë.

Këto dëshmi implikojnë Ilir Metën dhe tek këto është bazuar një urdhër arresti i pritshëm ndaj Ilir Metës. (DITA)

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë