Kush është Soros-i, ky ‘përbindësh i pandëshkuar’ që financon Partinë Demokratike dhe lufton komunizmin

Kush është Soros-i, ky ‘përbindësh i pandëshkuar’ që financon Partinë Demokratike dhe lufton komunizmin

George Soros

Ata që kishin në duar fatet e vendit, sipas logjikës, për përfitime personale të momentit vendosën dikur të shesin diploma dhe grada shkencore për “studentë” që nuk e panë asnjë ditë derën e universitetit, kriminelin e shpallën model të shoqërisë dhe zyrtarit të  korruptuar i dhanë titullin e lartë fisnik. Sot, modeli i tyre në sytë e publikut dhe të botës, qartësisht rezulton i dështuar, prandaj, si përpjekje e fundit duket se iu ka mbetur të gjejnë mes kaosit që krijuan vetë  “armiq imagjinarë”.

Ka vend për debat kudo në botë, në oborre të larta akademike dhe intelektuale, politike, në SHBA dhe kudo tjetër, në vende dhe qytetërime të zhvilluara, por “Soros” nuk mund të jetë kurrsesi sot debat që kërkon zgjidhje nga shqiptarët. Sepse shqiptarët jo vetëm që nuk mund të ndryshojnë asgjë mbi fatin e tij, por përtej kufirit, shumica e tyre e kuptojnë se nuk i dëgjon askush.

Modeli i tij nuk shfaqet si një kërcënim global i demokracisë, veçse si i tillë është prezantuar rëndom në Shqipërinë tonë.  “Çfarë të mbjellësh, e sigurt që atë do të korrësh”, – thotë një shprehje.

Ndryshe nga mjegullnaja e ngritur në vendin tonë, Soros nuk është kriminel, as terrorist, as injorant që ka blerë dhe ka shitur diploma, as ”gogol” që tremb fëmijë, as autokrat që mban shtypur ndonjë popull, as ndonjë përdhunues, dhe si i pasur, nuk akuzohet as si trafikant, as si i korruptuar dhe as për pastrim parash. Të paktën nuk ka asnjë akuzë të tillë ndaj tij nga drejtësia e vendeve, që besohet se kanë drejtësi dhe nuk falin askënd. Përkundrazi, ka sa të duash, të pandëshkuar në vendin tonë, të këtij modeli, që kanë mbajtur dhe mbajnë edhe poste të lartë shtetërore.

Soros është veçse një filantrop, i cili respekton ligjet në SHBA dhe kudo tjetër ku vepron në botë, përderisa asgjëkund nuk rezulton të kenë qenë nën akuzë penale.

Ai njihet për pikëpamjet e tij, duke mbështetur hapur të majtën Amerikane, pra, Partinë Demokratike. E financon hapur këtë parti dhe bën të njëjtën gjë edhe në vendet e tjera të botës me demokraci të cunguar, kryesisht në Europën Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë.

Kush është George Soros, aq shumë i përfolur për sabotimin e demokracisë sonë!

Rreth dy vite më parë bëri jo pak zhurmë në mediat amerikane lajmi se Chelsea Clinton, vajza e Bill dhe Hillary, ishte martuar me nipin e George Soros. Në një reagim që pasoi debatet, vajza e Klinton iu përgjigj kritikave, duke lavdëruar punën filantropike të Sorosit me Fondacionet e tij të njohura të Shoqërisë së Hapur. Në të djathtën radikale Amerikane,  Soros është po aq i urryer sa edhe Klintonët.  Megjithatë, ndryshe nga shumica e anëtarëve të klasës së miliarderëve amerikanë, të cilët flasin me lakmi dhe mbeten të tërhequr nga angazhimi serioz me jetën qytetare, Soros është po ashtu edhe një intelektual. Figura e tij del qartë nga libra dhe shumë artikuj që ai ka shkuar. Ai nuk është një plutokrat i paqartë, por një mendimtar provokues dhe i qëndrueshëm, i angazhuar për të orientuar botën në një drejtim kozmopolit, në të cilin racizmi, pabarazia, perandoria Amerikane dhe tjetërsimet e kapitalizmit bashkëkohor, kërkon që të mbeten pjesë të së kaluarës.

Që në fillim të karrierës së tij si bankier në Londrën e pasluftës, Soros besonte në një lidhje të domosdoshme midis kapitalizmit dhe kozmopolitizmit, ashtu siç beson shumica e anëtarëve të lobit të tij dhe shumica e udhëheqjes së partisë Demokratike, në SHBA: Një shoqëri e lirë varet nga tregjet e lira (të rregulluara nga shteti). Biografia e Sorosit është e njohur, në të gjithë botën. Lindur nga prindër hebrenj të klasës së mesme në Budapest, në vitin 1930, György Schëartz, Soros – babai i tij ndryshoi mbiemrin e familjes në vitin 1936, për të shmangur diskriminimin antisemitik – kishte një fëmijëri të qetë deri në luftën e dytë botërore, kur pas pushtimit nazist të Hungarisë ai dhe familja e tij u detyruan të jetonin nën emra të rremë. Për mrekulli, Soros dhe familja e tij i mbijetuan luftës, duke i shpëtuar fatit që patën më shumë se dy të tretat e hebrenjve të Hungarisë. Për  të shmangur Hungarinë komuniste, më 1947 Soros emigroi në Mbretërinë e Bashkuar, ku studioi në Shkollën Ekonomike të Londrës. Atje ai njohu dhe krijoi miqësi me filozofin madh Austriak, Karl Popper.

Në vitin 1956, Soros u transferua në NewYork për të ndjekur karrierën, në financë. Pasi kaloi mbi një dekadë duke punuar në pozicione të ndryshme në Wall Street, në fund të viteve 1960 ai themeloi Fondin “Quantum”, i cili u bë një nga fondet më të suksesshme të të gjitha kohërave. Ndërsa fondi i tij grumbulloi fitime marramendëse, Soros personalisht po shfaqej si një bankier dhe tregtar legjendar; më e bujshmja, në nëntor 1992 ai fitoi për pak ditë më shumë se 1 miliard dollarë kur “theu Bankën e Anglisë”, duke spekuluar mjeshtërisht mes paundit britanik dhe markës gjermane.

Sot, Soros është një nga njerëzit më të pasur në botë dhe, së bashku me Bill Gates dhe Mark Zuckerberg, një nga filantropët më me ndikim politik, në SHBA. Por ndryshe nga Gates dhe Zuckerberg, Soros prej kohësh mbështet filozofinë akademike si burimin e tij kryesor të frymëzimit. Mendimi dhe karriera filantropike e Sorosit janë të organizuara rreth idesë së “shoqërisë së hapur”, një term i zhvilluar dhe popullarizuar nga Popper, në veprën e tij klasike,  “Shoqëria e Hapur dhe Armiqtë e saj”. Sipas Popper, shoqëritë e hapura garantojnë dhe mbrojnë shkëmbime racionale, ndërsa shoqëritë e mbyllura i detyrojnë njerëzit t’i nënshtrohen autoritetit, pavarësisht nëse ai autoritet është fetar, politik apo ekonomik.

Që nga viti 1987, Soros ka botuar 14 libra dhe një numër të shumtë artikujsh që janë botuar në “New York Review of Books”, “New York Times” dhe në media të tjera. Si shumë autorë të tjerë të së majtës së qendrës që patën ndikim në vitet 1990, parimi intelektual i Sorosit është internacionalizmi. Pra Soros beson se, qëllimi i ekzistencës bashkëkohore është krijimi i një bote të përcaktuar jo nga shtetet sovrane, por nga një komunitet global, anëtarët e të cilit janë të interesuar për liri, barazi dhe prosperitet. Sipas mendimit të tij, krijimi i një shoqërie të hapur globale  është mënyra e vetme, që njerëzimi të kapërcejë sfidat ekzistenciale të ndryshimit të klimës apo edhe të çështjeve bërthamore.

Ndryshe nga Gates, filantropia e të cilit përqendrohet kryesisht në projekte përmirësuese të tilla si çrrënjosja e malaries, Soros synon të transformojë politikën dhe shoqërinë kombëtare amerikane dhe atë ndërkombëtare. Nëse vizioni i tij do të mbijetojë apo jo nga vala e nacionalizmit antisemitik, islamofobik dhe ksenofobik ashendent në të djathtën e SHBA-së dhe Evropës, kjo është një përplasje idesh që nuk ka nisur tani dhe mbetet për t‘u parë si do të përparojë në të ardhmen.

Aktivitetet filantropike të Soros, pse kaq shumë shqetësim për Shqipërinë

Soros e filloi aktivitetin e tij filantropik në vitin 1979, kur themeloi Fondacionin “Shoqëria e Hapur”. Megjithëse bëri fillimisht përpjekje në financimin e bursave akademike për studentët me ngjyrë në Afrikën e Jugut, shqetësimi kryesor i Sorosit ishte blloku komunist i Evropës Lindore; nga fundi i viteve 80, ai hapi zyrat e fondacionit të tij në Hungari, Poloni, Çekosllovaki, Bullgari dhe pothuajse në të gjitha vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Më vonë hapi zyra edhe në Ballkan, përfshirë edhe Shqipërinë. Ashtu si Popper, Soros i konsideronte vendet e Evropës Lindore që dolën nga komunizmi, si modele që duhet t’i japin fund shoqërive të mbyllura. Ai besonte se duke financuar në arsim dhe dije, ato do të mund ta kapërcenin paqësisht nga shtypja pa kërkuar ndërhyrje ushtarake ose përmbysje të dhunshme politike, mjetet më të preferuara të udhëheqësve të luftës së ftohtë.

Soros dha fillimisht bursa për intelektualët hungarezë, duke i çuar ata në SHBA, dhe më pas veproi njësoj edhe në vende të tjera të Europës Lindore ku ushtronte aktivitet fondacion i tij. Po ashtu ai dha mbështetje për bibliotekat dhe universitetet; ofroi grante për teatrot, intelektualët, artistët dhe shkollat eksperimentale. Në librin e tij të vitit 1990 Hapja e Sistemit Sovjetik, Soros shkroi se ai besonte se fondacioni i tij kishte ndihmuar, në rrëzimin paqësor të komunizmit.

Që nga viti 2010, filantropi i njohur ka qenë vazhdimisht në konflikt me Viktor Orban, kryeministrin autoritar hungarez, i njohur me tezën e tij kundër emigrantëve në BE. Soros e ka akuzuar Orban mbi “përpjekjet e tij për të rivendosur një lloj demokracie të rreme, që mbizotëroi [në Hungari] në periudhën midis luftës së parë dhe të dytë botërore”.  Ndërsa Orban kërcënonte shoqërinë e hapur të Hungarisë, Donald Trump kur ishte President në SHBA, e kërcënonte shoqërinë e tij të hapur, në një rang shumë më të gjerë. Në një artikull të Dhjetorit 2016, Soros argumentonte se Amerikanët votuan për Trump, “një artist i dashur dhe diktator i ardhshëm”, duke e lidhur me një eksperiment, nisur nga dështimi i disa prej politikave të majta për të qëndruar më pranë nevojave të njerëzve.

Udhëtimi i Soros, megjithatë, sipas analizave ndërkombëtare, mbetet ende i mbushur me paqartësi. Soros ka mbajtur gjithnjë një drejtim të majtë, duke vepruar edhe në fushat e reformës së drejtësisë penale si dhe të ndihmës për refugjatët. Ai kohët e fundit krijoi një fond, për të ndihmuar Filadelfian dhe Kaliforninë, në reformimin e prokurorive të dy shteteve amerikane. Soros gjithashtu ka investuar mbi 500 milion dollarë, për të lehtësuar krizën globale të refugjatëve. Ai mbetet i përkushtuar ndaj të njëjtës parti, asaj tradicionale Demokratike në SHBA. Gjatë garës së 2016-ës, ai ishte një mbështetës i hapur i fushatës së Hillary Clinton.  Mbi idetë që mbron, ai ka kundërshtarë dhe armiq të shumtë në SHBA, dhe kudo në botë. Aktualisht, ëndrrat kozmopolite të Sorosit, mbeten ende të tilla, të paralizuara. Shoqëria e hapur është e mundur vetëm në një botë ku askush – qoftë Soros, apo Gates, ose DeVos, Zuckerberg,  Buffett,  Musk, ose Bezos – nuk mund të bëhen të pasur, sikurse ai.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Xhorxh Floriri: 08/06/2021 01:53

    Do promovohesh edhe ti. Ke ndonje dijeni me florin shqiptar the vender te tjera te linges qe mori nga in diktatoret die ju a fui ne pune?! lexo se do behest

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona