Nuk është hera e parë që emri i Kastriot Ismailajt përmendet publikisht. Ai ka qenë në 2010, nën hetim ndërkombëtar për pastrim parash, pasi kishte marrë me koncesion shfrytëzimin e një miniere zinku në Kongo, duke u paraqitur si kompani zvicerane, ndërkohë që ishte e regjistruar në Tiranë, në shtëpinë e tij.Një shkrim investigativ i gazetës së njohur “Neue Zurcher Zeitung” theksonte se minierat në Kongo merren nga firma fantazëm, që më pas i shesin.

Kështu kishte ndodhur edhe me Kastriot Ismailajn. Fjala ishte për një minierë zinku në Kipushi të Kongos. Në mesin e ofertuesve ndërkombëtarë që ishin ofruar për ta marrë me koncesion aktivitetin, ishte edhe një firmë, që e paraqiste veten si një firmë e fuqishme. Ajo kishte një seli në Zvicër, në shtëpinë e Edëin Rüegg, konsull nderi i Shqipërisë, zbuloi gazeta. 98% e aksioneve ishin në pronësi të Kastriot Ismailajt. “Neue Zurcher Zeitung” zbuloi se miniera iu shit nga Kastriot Ismailaj një kompanie të madhe në fushën e mineraleve, me emrin Xstrata. Këtu u mbyll kapitulli i investimeve afrikane të Ismailajt.

Për të dalë në skenë si një biznesmen, që i ofroi CEZ-it, të mblidhte borxhet e këqia. Në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 mln USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management” me administrator Kastriot Ismailaj: 649 milionë lekë, ose gati 6.5 milionë dollarë


Shkrimi u publikua sot (14.05.2015) nw Shqiptarja.com versioni print
 
Redaksia online
(k.b/shqiptarja.com)
.