Kush ishte Bujar Nishani, ish-ushtaraku që ngjiti të gjitha shkallët e karrierës deri në Presidencë

Kush ishte Bujar Nishani, ish-ushtaraku që ngjiti të gjitha shkallët e karrierës deri në Presidencë

Bujar Nishani ka lindur në Durrës më 29.09.1966.

Studimet e larta i kreu në vitin 1988 në Akademinë Ushtarake Skënderbej në Tiranë. Studimet e tij pasuniversitare në Menaxhimin e Burimeve të Mbrojtjes përfunduan në 1996 në Kaliforni, Shtetet e Bashkuara. Nishani ka studiuar edhe jurisprudencë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në Drejtësi në vitin 2004. Në vitin 2005, ai mori titullin Master për Studime Evropiane në Shkollën e Studimeve Evropiane të Universitetit të Tiranës.

Karriera e tij profesionale filloi në vitin 1988 si pedagog në Akademinë Ushtarake Skënderbej. Më pas, në vitin 1993 shërbeu si Drejtor i Punëve të Jashtme në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vazhduar në Departamentin e Marrëdhënieve me NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin 1994. Në vitin 1996 Nishani shërbeu në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997, ai u emërua dhe shërbeu si Kryetar i Forumit Ushtarak Euro-Atlantik për burra dhe gra.

Karriera politike e Nishani kaloi në këto faza: Ai u bë anëtar i Partisë Demokratike në vitin 1991; në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike Tiranë; në vitin 2003 u zgjodh nga lista e kandidatëve të Partisë Demokratike, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës; në vitin 2005 zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie politike.

Në korrik të vitit 2005, Nishani, kandidat për Partinë Demokratike, u zgjodh deputet në zonën zgjedhore 34 në Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, ai u zgjodh sërish deputet.

Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, z. Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm; nga shtatori 2009 deri në prill 2011 shërbeu si Ministër i Drejtësisë dhe më pas, në prill të 2011 z. Nishani u emërua sërish në postin e Ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012, kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Kreu i shtetit.

Më 24 korrik 2012 Bujar Nishani u betua si President i Republikës para Kuvendit të Shqipërisë.

Nishani u zgjodh president i Shqipërisë në 24 korrik të vitit 2012 dhe shërbeu në këtë pozitë përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017.

Nishani ishte njohës i mirë dhe i rrjedhshëm i gjuhës angleze. Bujar Nishani është i martuar me zonjën Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë: Ersi dhe Fjona Nishani.


Lajmi kryesor:

Ndahet nga jeta Bujar Nishani, Presidenti i 6-të i Shqipërisë post-komuniste, 3 herë ministër dhe deputet në 2 legjislatura


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion