Ai ishte një djalë i thjeshtë nga fshatrat e Meksikës  që mblidhte avokado për të ndihmuar familjen, por përfundoi si njeriu më i kërkuar në Meksikë dhe në gjithë Amerikën e Veriut. Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho” apo “Zoti i Gjelave”, u vra të dielën në moshën 59-vjeçare gjatë një operacioni në Tapalpa, në Sierra Madre të shtetit Jalisco.

Ai kishte themeluar dhe drejtonte Kartelin Jalisco Nueva Generación (CJNG), një organizatë që në pak vite u kthye në makthin e Meksikës dhe në një nga rrjetet më të fuqishme të trafikut të drogës në botë.

I lindur më 17 korrik 1966 në Naranjo de Chila, në shtetin Michoacán, Nemesio la shkollën menjëherë pas fillores. Punonte në plantacionet e avokados. Në vitet ’80, ende adoleshent, emigroi në Shtetet e Bashkuara për të kërkuar një jetë më të mirë. Në Kaliforni u arrestua disa herë për krime të vogla. Në fillim të viteve ’90, bashkë me vëllanë e tij Abraham, nisi të shiste heroinë. U kapën teksa tentonin t’ia shisnin disa doza dy policëve të infiltruar. Përfunduan në pranga dhe më pas u deportuan në Meksikë.

Në vitin 1980 Oseguera Cervantes u kap në Kaliforni

Edhe pse emri i tij lidhej me drogën, disa vite pas kthimit arriti të futej në radhët e policisë në Tomatlán, në Jalisco. Por nuk qëndroi gjatë si pjesë e uniformës. Studioi sistemin nga brenda dhe kaloi në anën tjetër, duke hyrë në rrjetin e vrasësve me pagesë që mbronin një bos lokal, Armando Valencia Cornelio, i njohur si “El Maradona”.

Kështu hyri në kontakt me Kartelin Milenio, aleat i Ignacio Coronel Villarreal, pjesë e Kartelit të Sinaloas dhe krahu i djathtë i “El Chapo”. Ky grup merrej me trafik droge, menaxhonte financat dhe shërbente si krah i armatosur i Sinaloas në Jalisco dhe Colima.

Pas vrasjes së Coronel dhe arrestimit të liderit të Kartelit Milenio, Óscar Orlando Nava Valencia, i njohur si “El Lobo”, organizata u nda në dy fraksione: Los Torcidos dhe La Resistencia. Fitoi krahu i parë. Në atë kohë, “El Mencho” kishte forcuar pozitat e tij edhe përmes martesës me Rosalinda González Valencia, pjesë e një familjeje të fuqishme në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Së bashku me vëllezërit e saj, të njohur si “Los Cuinis”, ekspertë në pastrim parash, ai i dha grupit emrin e  Karteli Jalisco Nueva Generación. Shndërrimi nga polic në baronin më të madh të drogës mund të quhet një proces i përfunduar.

CJNG u zgjerua me shpejtësi marramendëse. Nga një bandë lokale në Jalisco dhe Colima, u kthye në një organizatë e pranishme në pothuajse gjysmën e territorit meksikan. Përfitoi nga arrestimet e rivalëve, rekrutoi ekspertë të financave ndërkombëtare dhe kimistë që prodhonin droga sintetike të reja. Dhuna u bë nënshkrimi i tyre: trupa të prerë, të copëtuar, të shpërfytyruar, të lënë si mesazh për armiqtë.

Administrata amerikane e antidrogës e cilësonte prej vitesh si një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të pamëshirshme në Meksikë. Biznesi kryesor ishte trafiku i metamfetaminës dhe fentanylit drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, me një zinxhir që shtrihej edhe drejt Azisë. Por karteli futi duart pothuajse kudo në ekonominë meksikane, nga blegtoria te ndërtimi.

Pas arrestimit të fundit të Joaquín “El Chapo” Guzmán në vitin 2016, “El Mencho” u konsiderua “kapoja” i ri. Që prej asaj kohe ishte arratisur dhe ishte njeriu më i kërkuar si në Meksikë, ashtu edhe në SHBA. Për kokën e tij ishte vënë një shpërblim prej 30 milionë pesos në Meksikë dhe 15 milionë dollarë në SHBA.

DEA vuri një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për kokën e tij

Në shkurt 2025, Departamenti amerikan i Shtetit e shpalli CJNG organizatë terroriste. Ai ishte preja që prej kohësh president Donald Trump i kërkonte presidentes Claudia Sheinbaum./CorrieredellaSera