Shkencëtari ushtarak iranian, Mohsen Fakhrizadeh, i vrarë gjatë një sulmi në periferi të Teheranit më 27 nëntor, nga inteligjenca perëndimore është parë gjerësisht si arkitekti i përpjekjeve klandestine të Iranit për të zhvilluar armë bërthamore. Fakhrizadeh u varros më 30 nëntor, në ceremoninë mortore të të cilit morën pjesë zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Amir Hatami.
Më 27 nëntor ai u vra në një pritë të stilit ushtarak, në periferi të Teheranit. Irani ka akuzuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara se qëndrojnë prapa vrasjes.
Pavarësisht se inteligjenca perëndimore thotë se shkencëtari iranian ishte i përfshirë në programin bërthamor, Irani mohon se Fakhrizadeh ishte i përfshirë në ndërmarrje të tillë dhe po ashtu mohon se ka pasur përpjekje për të përdorur uraniumin e pasuruar për energji bërthamore. Por, gjerësisht besohet se ai ka drejtuar atë që organizata e Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrje bërthamore dhe shërbimet e inteligjencës amerikane besojnë se ishte një program i koordinuar i armëve bërthamore që u ndërpre më 2003.
Çfarë dihet për të?
Zyrtarët dhe ekspertët perëndimorë besojnë se Fakhrizadeh ka luajtur një rol kyç në punën e kaluar të Iranit, për të zbuluar pajisjet për ndërtimin e kokës bërthamore, përpjekje këto që u fshehën pas një programi të pasurimit civil të uraniumit.
Irani mohon se ndonjëherë ka punuar për të zhvilluar kokë bërthamore.
Fakhrizadeh ka jetuar nën hijen e sigurisë së nivelit të lartë dhe ai kurrë nuk u takua me hetuesit bërthamorë të Kombeve të Bashkuara. Ai rrallë – pothuajse kurrë – nuk ka dalë në publik dhe shumë pak njerëz jashtë Iranit e dinin se si dukej, e lëre më ta kenë takuar, raporton Reuters.
Ai dallohej për faktin se ishte i vetmi shkencëtar iranian që ishte emëruar në “vlerësimin përfundimtar” të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore më 2015, për pyetjet lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe nëse Teherani kishte për qëllim zhvillimin e një bombe.
Kjo agjenci e OKB-së, në raportin e saj tha se Fakhrizadeh ka mbikëqyrur aktivitetet “në mbështetje të një dimensioni ushtarak të programit bërthamor të Iranit”, të ashtuquajtur Plani AMAD.
Në raportin e Agjencisë ai përshkruhej si “shefi ekzekutiv” i Planit AMAD dhe figurë qendrore e punës së dyshuar të Iranit për të zhvilluar teknologji dhe aftësitë e duhura për armët bërthamore. Kjo Agjenci ka sugjeruar se mund të ketë pasur rol në aktivitete të tilla.
Izraeli gjithashtu e ka përshkruar Planin AMAD si programin e fshehtë të Iranit për armët bërthamore, duke thënë ka konfiskuar një pjesë të madhe të “arkivit” bërthamor iranian, ku përshkruhet në detaje puna e tij.
Në prill të vitit 2018, gjatë një prezantimi televiziv lidhur me këtë arkiv, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Fakhrizadeh ishte një prej figurave udhëheqëse, në atë që ai e përshkroi si punë sekrete për armët bërthamore që po fshihej pas programit për qëllime civile.
Duke e cituar arkivin si dëshmi, Netanyahu tha se agjentët e Izraelit kanë arritur të marrin sasi të mëdha të dokumenteve nga Teherani. Atëbotë, Irani deklaroi se dokumentet ishin false.
“Mbajeni mend këtë emër, Fakhrizadeh”, deklaroi Netanyahu, duke e përshkruar Fakrizadehun si kreun e Planit AMAD. Kryeministri izraelit tha se pasi Plani AMAD ishte ndërprerë, Fakhrizadeh kishte vazhduar të punojë në një agjenci brenda Ministrisë iraniane të Mbrojtjes që merrej me “projekte speciale”.
Më 2018, transmetuesi izraelit Kan zhvilloi një intervistë me ish-kryeministri Ehud Olmert, në të cilën ai la të kuptohet se Fakhrizadeh mund të ishte në shënjestër. “E njoh Fahkrizadehun mirë. Ai nuk e di sesa mirë e njoh. Nëse do ta shihja në rrugë, me shumë gjasa do ta njihja”, tha ai.
“Ai nuk ka imunitet nuk ka pasur dhe nuk besoj se do të ketë imunitet”, tha ai.
Çfarë thotë Irani?
Të premten, Ministria e Mbrojtjes së Iranit e identifikoi Fakhrizadehun si shef të Organizatës për Kërkime dhe Inovacion brenda ministrisë. Ai po ashtu besohet se ka qenë zyrtar i lartë në Gardën Revolucionare, trupat elite iraniane.
Agjencia e OKB-së për Energji Bërthamore për një kohë të gjatë ka kërkuar që ta marrë në pyetje Fakhrizadeh si pjesë e një hetimi të mbrojtur lidhur me atë nëse Irani ka kryer kërkime të paligjshme të armëve bërthamore.
Irani kishte pranuar ekzistencën e Fakhizradehut vite më parë, por ka thënë se ai ishte një zyrtar ushtarak që nuk ishte i përfshirë në programin bërthamor, kanë thënë burimet diplomatike që kanë njohuri me këtë çështje.
Vrasja e katër shkencëtarëve iranianë, të lidhur me programin bërthamor, ndërmjet viteve 2010 dhe 2012, ka të ngjarë që ta ketë shtyrë Teheranin që të mos i jap qasje te Fakhrizadeh Agjencisë për Energji Bërthamore – nga frika se kjo do të mund të çonte në zbulimin e informatave për të dhe se informatat e vendndodhjes së tij do të mund të publikoheshin. Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se qëndrojnë prapa vrasjes së shkencëtarit iranian.
Fakhrizadeh po ashtu besohet se ka qenë i përfshirë në zhvillimin e raketave balistike të Iranit dhe një burim iranian, i tha agjencisë Reuters se ai është konsideruar “babai” i këtij programi.
Ai ishte përmendur në rezolutën e OKB-së më 2007 si personi në Iran që është i përfshirë në aktivitetet bërthamore apo të raketave balistike.
Çfarë dihet për të kaluarën e tij?
Në maj të vitit 2011, grupi opozitar në ekzil, Këshilli Kombëtar për Rezistencën e Iranit (NCRI) ka lëshuar një raport ku ishte një fotografi, që thuhej se ishte Fakhrizadeh. Ai aty paraqitej me flokë me ngjyrë të errët dhe me mjekër. Por kjo fotografi nuk mundi që të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Në këtë raport, NCRI tha se Fakhrizadeh u lind më 1958 në qytetin e shenjtë të myslimanëve shiitë, Qom dhe ishte zëvendësministri i Mbrojtjes dhe gjeneral-brigadier në Gardën Revolucionare. Ai thuhej se kishte doktoruar për inxhinieri dhe kishte dhënë mësim në Universitetin iranian të Imam Husseinit.
Një burim i lartë iranian, më 2014, e ka përshkruar Fakrizadehun për Reuters si “një aset dhe një ekspert”, që ishte i përkushtuar në progresin teknologjik të Iranit dhe ka gëzuar mbështetjen e plotë të liderit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei.
Ky burim ka shtuar se Fakhrizadeh tha se ai ka pasur tri pasaporta dhe se ka udhëtuar shumë, përfshirë në Azi, për të siguruar “informacionet e fundit” nga jashtë, por nuk ka elaboruar më shumë për këtë temë. Burimet e sigurisë në Perëndim thonë se Irani që një kohë të gjatë blen materiale bërthamore nga tregu i zi ndërkombëtar./ REL