Kush ishte Trifon Xhagjika?

Kush ishte Trifon Xhagjika?

Një pasdite të ftohtë dhjetori, në kapërcyellin e vitit 1963, në Tiranë u hap  lajmi se kishin pushkatuar poetin, Trifon Xhagjika

Ajo që kishte ndodhur ishte mbështjellë me mister dhe çdo interesim për më tej mund të kushtonte rëndë. Gjithsesi, poeti nuk do të rikthehej më te lagjja e vjetër, te kolegët e gazetës “Luftëtari” dhe as te blloqet, ku kishte lënë me mijëra vargje në dorëshkrime. Vonë, shumë vonë, të tjerët do ta merrnin vesh atë që kishte ndodhur…

Motra e poetit të martirizuar, e cila sot nuk jeton më, ka rrëfyer në një intervistë të mëhershme për gazetën “Tema” për qëndrimin dinjitoz të Trifon Xhagjikës në sallën e gjyqit , “ku shpërtheu i rebeluar “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” Kjo ishte dëshira e fundit e Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve.” Edhe pse kanë kaluar 61 vjet nga ekzekutimi i tij, edne nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij dhe dorëshkrimet e blloqet me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit…

Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në repartin 3700 në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë.

Në këtë kohë bëri një kurs për Gazetari e Histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë. Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”.

Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Në vitin 1959, botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, e cila do të kristalizohej më vonë në një disidencë të hapur. Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua.

Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”. Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij. Ndërkaq, familjarët dhe miqtë e poetit të martirizuar, ende nuk kanë rënë në gjurmët e krijimeve që i rrëmbeu Sigurimi në kohën e arrestimit.

 Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me këtë motivacion: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”.


Lajmi kryesor:

Ekskluzive/ Zbulohen dorëshkrimet e panjohura të Dritëro Agollit pas vdekjes


  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë