Cilat janë 10 qytetet më të mëdha në botë, atraksionet dhe sfidat e tyre

Cilat janë 10 qytetet më të mëdha në botë, atraksionet dhe sfidat e tyre

Foto ilustruese

Pasi popullsia globale arriti në 8 miliardë më 15 nëntor 2022, janë bërë parashikime të ndryshme se kur do të arrijë kulmin numri i njerëzve në Tokë. Studimet ndryshojnë, me disa që sugjerojnë se popullsia e botës do të arrijë 8.8 miliardë njerëz nga mesi i këtij shekulli, përpara se të nisë të bjerë. Parashikime të tjera, si ato të OKB, vlerësojnë se popullsia e botës mund të arrijë më shumë se 10 miliardë deri në vitet 2080. Në çdo rast, rritja e konsiderueshme e popullsisë ka çuar në mbipopullim të konsiderueshëm në disa nga qytetet më të mëdha të botës, duke shkaktuar shqetësime madhore në lidhje me ndotjen dhe mbipopullimin. Ja cilat janë 10 qytetet më të populluara në botë, dhe si është të jetosh në to.

10. Osaka, Japoni: 19.2 milionë njerëz
Historikisht e rëndësishme si një qendër e tregtisë dhe industrisë, Osaka është ende një qendër financiare shtëpia e shumë kompanive të mëdha japoneze. Ajo është e famshme për kulturën e saj ushqimore dhe arkitekturën moderne, duke qenë shumë popullore për turistët. Falë një sistemi të mirë të transportit publik, metroja arrin të transportojë mbi 900 milionë pasagjerë në vit. Por ashtu si me çdo mega–qytet modern, trafiku mbetet një problem i madh për shkak të mbipopullimit. Problem është edhe strehimi.

9. Pekin, Kinë: 19.4 milionë njerëz
Qyteti i dytë më i madh i Kinës, është një nga më të vjetrit në botë. Këtu ndodhen shumica e bizneseve më të mëdha të vendit. Pekini ka aktualisht numrin më të madh të miliarderëve në botë. Por për shkak të ndotjes industriale, stuhive të shpeshta të rërës dhe gazrave të makinave, shumë banorëve u thuhet shpesh të qëndrojnë brenda për të shmangur rreziqet e mundshme shëndetësore.

8. Mumbai, Indi: 20.1 milionë njerëz
I ndërtuar mbi 7 ishuj, Mumbai është një qytet historik, plot me kulturë dhe art. Këtu ndodhet qendra e industrisë së filmit indian (Bollywood). Po ashtu është kryeqyteti tregtar dhe financiar i Indisë. Dhe po këtu e kanë selinë shumica e kompanive më të mëdha, gjë që ka sjellë një fluks të madh njerëzish që vijnë nga zonat rurale. Problemet kryesore janë higjiena e dobët dhe strehimi me cilësi të ulët. Mumbai ka rrugët më të mbingarkuara në botë, kryesisht për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe një sistemi transporti publik që nuk është në gjendje të përballojë fluksin.

7. Dhaka, Bangladesh: 20.2 milionë njerëz
Kryeqyteti i Bangladeshit po rritet me një ritëm të shpejtë, i nxitur nga një industri botuese e lulëzuar. Po ky qytet historik është qendra e kulturës bengaleze. Këtu organizohen festivale të panumërta të artit dhe ceremoni fetare gjatë gjithë vitit. Po për shkak të pozicionit të saj në deltën e Gangut, Dhaka është e prirur ndaj përmbytjeve të shpeshta gjatë sezonit të musonit dhe cikloneve.

6. Kajro, Egjipt: 20.4 milionë njerëz
Përveç arkitekturës së famshme historike, Kajro njihet si shtëpia e njërës prej mrekullive të lashta të botës; kompleksit të piramidave të Gizës së lashtë. Këtu banon 11 për qind të popullsisë së vendit. Aktualisht është në plan një projekt që do të ndihmojë në lehtësimin e problemeve të rëndësishme të trafikut.

5. Mexico City, Meksikë: 21.6 milionë njerëz
Ndodhet në pllajën e njohur si Lugina e Meksikës, 2240 m mbi nivelin e detit dhe është kryeqyteti më i vjetër në Amerikë. Zhvillimi i këtij metropoli është i jashtëzakonshëm. Në vitin 1900, popullsia e tij ishte vetëm 500.000 banorë. Por për shkak të një numri të madh njerëzish që erdhën nga zonat rurale në kërkim të punës, ky numër u rrit në 9 milionë deri në vitet 1970. Për shkak të mungesës së banesave, ky fluks detyroi një numër të madh njerëzish të ngrinin banesa pa leje. Sot Mexico City është tani një qendër e madhe biznesi dhe një atraksion turistik popullor, plot me muzeume dhe me vende të këndshme për të ngrënë.

4. Sao Paulo, Brazil: 21.8 milionë njerëz
Është një qytet i kontrasteve të mëdha. Varfëri ekstreme përballë një pasurie të madhe. Rrokaqiejt e mëdhenj të zonës financiare ngrihen mbi lagjet e varfra të qytetit, të njohura si favela. Problem i madh është furnizimi me ujë të pijshëm. Gjithsesi vitet e fundit ka pësuar një rënie të kriminalitetit, ndërsa është përmirësuar cilësia e ajrit.

3. Shanghai, Kinë: 26.3 milionë njerëz
Shumë vite më parë, ishte qenë një fshat i vogël peshkatarësh. Por falë vendndodhjes së tij pranë grykëderdhjes jugore të lumit Jance, u bë dalëngadalë qyteti më i madh në Kinë, dhe një nga më të mëdhenjtë në botë. Aty ndodhen disa qendra tregtare të mëdha moderne, por edhe restorante që ofrojnë ushqimin tradicional kinez.

2. Delhi, Indi: 29.3 milionë njerëz
Vetë qyteti ka ekzistuar prej më shumë se 2000 vjetësh, gjë që shkakton grupin e vet të problemeve. Infrastruktura është e vjetruar, edhe pse kohët e fundit ka pasur shumë projekte të ndërtimit të rrugëve, që kanë ndihmuar në lehtësimin e trafikut. Problem madhor është ndotja nga rrugët dhe industria, por edhe standardi i dobët i banesave, ku jeton 50 për qind e popullsisë.

1. Tokio, Japoni: 37.4 milionë njerëz
Metropoli i Tokios shtrihet në një sipërfaqe prej vetëm 13.452 km2, me një dendësi 2.642 njerëz në çdo km2. Kjo paraqet probleme për banorët e saj për sa i përket hapësirës së jetesës dhe udhëtimit. Mungesa e banesave të lira është një problem akut. Ndaj apartamentet e vogla me sipërfaqe vetëm 9 m2 po bëhen gjithnjë e më të preferuara në mesin e banorëve të rinj, që përpiqen të vendosen me banim pranë qendrës së qytetit për punë. Edhe shëtitja nëpër qytet është gjithashtu shumë problematike. Rrugët shpesh janë të tejmbushura. Edhe transporti publik është gjithashtu shpesh i mbipopulluar dhe i shtrenjtë, megjithëse është pothuajse gjithmonë në orar. / “Science Focus” – Bota.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja