"Crown agents", anglez (ose "Agjentët e kurorës" mbretërore) janë një institucion i krijuar në fund të vitit 1833 dhe në të cilin aderojnë ekspertë të sektorit financiar ose doganierë britanikë kur dalin në pension.

Shoqëria, e ndërtuar në formën e një OJF-je, vepron në 100 vende të botës dhe lidh kontrata me qeveri të cilave iu ofron asistencë jo vetëm në sektorin e doganave, por edhe në fushën e reformave shëndetësore dhe çdo emergjencë tjetër financiare. Në rajon, janë aktivë në Kosovë (ku kanë një kontratë për reformën në dogana) dhe në Maqedoni, ndërsa në vitin 1997 kanë vepruar në Shqipëri me Bankën Botërore.

Impenjimi i agjentëve të kurorës në Shqipëri do të jetë ai i kontrollit të punës së doganierëve shqiptarë. Agjentët e kurorës mbretërore në bazë të kontratës prej 3 vitesh e gjysëm të firmosur nga qeveria shqiptare (ku ende nuk njihet shuma që do të paguhet), do të kenë të drejtë të kryejnë kontrolle në kampione edhe në terren për të verifikuar nëse sjellja e doganierëve shqiptarë është korrekte. Ata nuk do të mund të ndërhyjnë direjtpërdrejt me sanksione apo masa disiplinore, por kanë të drejtë të japin sygjerime dhe rekomandime kryeministrit dhe ministrit të financave duke sinjalizuar anomali dhe shkeljet e zbuluara.

Objektivi i pranisë së agjentëve të kurorës mbretërore në Shqipëri është ai i rritjes së të ardhurave doganore, të paktën me 35 përqind.