Në mars të vitit 2023, udhëheqja ushtarake e Kinës doli para publikut si simbol i unitetit dhe besnikërisë ndaj Xi Jinping. Pas gati një dekade në pushtet, ai kishte vendosur në krye të ushtrisë njerëzit e tij, të zgjedhur për ta kthyer Ushtrinë Çlirimtare Popullore në një forcë globale.
Por as këta besnikë nuk i shpëtuan fushatës së spastrimeve. Gjatë tre viteve të fundit, Xi ka larguar ose vënë nën hetim dhjetëra zyrtarë të lartë ushtarakë, në një tronditje që nuk ka precedent në historinë moderne kineze. Zyrtarisht, goditjet justifikohen me luftën kundër korrupsionit, por ato kanë prekur drejtpërdrejt strukturën drejtuese të ushtrisë.
Sipas një analize të New York Times mbi njoftimet zyrtare dhe raportimet e mediave shtetërore kineze, në fillim të vitit 2023 Kina kishte të paktën 30 gjeneralë dhe admiralë në krye të departamenteve dhe komandave teatrore. Sot, pothuajse të gjithë janë përjashtuar, zëvendësuar ose nuk shfaqen më publikisht. Edhe shumë nga zëvendësimet e bëra gjatë kësaj kohe kanë humbur nga vëmendja publike. Vetëm shtatë gjeneralë duket se mbeten aktualisht në role aktive.

Gjeneralët e zhdukur të Kinës
Goditja më e fortë ka ardhur me largimin e gjeneralit Zhang Youxia dhe të një tjetër komandanti të lartë, Liu Zhenli. Me largimin e tyre, Komisioni Ushtarak Qendror ka mbetur pa drejtuesit kryesorë që përgatisnin forcat për operacione luftarake, duke krijuar një boshllëk të dukshëm në krye të ushtrisë.
I vetmi gjeneral që duket se ka mbetur në Komision është Zhang Shengmin, figurë kyçe në zbatimin e vetë spastrimeve. Ai ka ndërtuar karrierën kryesisht në strukturat e disiplinës dhe kontrollit politik, veçanërisht në Forcën e Raketave, që mbikëqyr programet bërthamore dhe raketore të Kinës. Vitin e kaluar, Xi e emëroi atë nënkryetar të Komisionit Ushtarak Qendror.
Ndryshimet kanë prekur pothuajse të gjitha degët e forcave të armatosura, përfshirë marinën dhe Forcën e Raketave. Edhe pesë komandat teatrore, të krijuara në vitin 2016 për të menaxhuar operacionet në terren, janë goditur rëndë. Mes tyre është edhe Komanda e Teatrit Lindor, përgjegjëse për zonën rreth Tajvanit, ku vetëm në fund të vitit të kaluar u emërua një komandant i ri.
Gazeta zyrtare e ushtrisë kineze u ka bërë thirrje oficerëve dhe trupave të mbështesin vendimet e marra dhe të rreshtohen pas Xi-së. Ajo ka pranuar se shkarkimet kanë sjellë “vështirësi dhe dhimbje afatshkurtra”, por ka theksuar se në fund procesi do të prodhojë një ushtri më të fortë.
Ndërkohë, Xi Jinping, tashmë 72 vjeç, po përgatitet për një mandat të katërt si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste nga viti 2027, në një moment kur maja e ushtrisë kineze mbetet më e zbrazët se kurrë më parë.
Komente









