Nëse po mendon të studiosh jashtë, renditja më e fundit e universiteteve në botë për vitin 2026 jep një ide të qartë se ku qëndrojnë më të mirët dhe cilat janë zgjedhjet më të forta sipas degëve.
Kështu, universitetet më të mira në botë për vitin 2026 vazhdojnë të dominohen nga emra të njohur si Harvard University, Massachusetts Institute of Technology (MIT), Stanford University, University of Cambridge dhe University College London (UCL), të cilat mbajnë vendet e para në shumë fusha studimi.
Sipas renditjes “QS Ranking by Subject”, që analizon mijëra programe studimi në mbarë botën, Harvard kryeson në ekonomi, biznes dhe marketing, ndërsa MIT dhe Stanford vijojnë si konkurrentët më të fortë në teknologji dhe shkenca. Në Europë, institucione si Cambridge, Oxford dhe UCL mbeten pika referimi për cilësinë akademike.
Megjithatë, renditja e këtij viti tregon se balanca globale po ndryshon. Universitetet kineze si Fudan University në Shangai dhe Peking University në Pekin janë ngjitur ndjeshëm, madje në disa fusha kanë lënë pas edhe universitete tradicionale si Oxford.
Një rast i veçantë është Universiteti “La Sapienza” në Romë, i cili mban vendin e parë në botë për “Letra klasike dhe histori antike” për të gjashtin vit radhazi. Ai renditet gjithashtu në vendin e shtatë në botë për histori arti dhe arkeologji, duke konfirmuar forcën e tij në shkencat humanistike.
Italia shfaqet fuqishëm edhe me Politecnico di Milano, i cili është ndër më të mirët në botë për arkitekturë dhe design, si dhe me Università Bocconi në Milano, që renditet në top 10 global për marketing dhe biznes. Po ashtu, Scuola Normale Superiore di Pisa mban një vend në elitën botërore për studimet klasike.
Edhe universitete të tjera europiane dhe amerikane vazhdojnë të dominojnë fusha specifike. Për shembull, Royal College of Art në Londër është numri një në botë për art dhe design, ndërsa University of Pennsylvania dhe The New School në New York janë ndër më të fortët në fushat kreative dhe të biznesit.
Në thelb, kjo renditje tregon se zgjedhja e universitetit nuk duhet bërë vetëm nga emri, por nga fusha ku ai është më i fortë. Ka universitete që nuk janë në vendin e parë global, por janë liderë absolutë në degë të caktuara.
Nëse je një student shqiptar që dëshiron të studion jashtë, këto të dhëna të ndihmojnë të bësh një zgjedhje më të zgjuar: të shohësh jo vetëm “brand-in”, por drejtimin që do të marrësh, sepse në fund të ditës, aty bëhet diferenca.
Ja si paraqitet elita botërore sipas disiplinave kryesore:
Arkitekturë
Në këtë fushë kryeson University College London (UCL) në Britani, e ndjekur nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) në SHBA dhe Delft University of Technology në Holandë. Në top renditen edhe Politecnico di Milano në vendin e gjashtë dhe Politecnico di Torino në vendin e 18.
Marketing
Harvard University mban vendin e parë në botë, me MIT dhe University of Pennsylvania pas tij. Università Bocconi në Milano renditet në vendin e nëntë global.
Biznes dhe Menaxhim
Sërish Harvard në krye, i ndjekur nga Stanford University dhe MIT. Bocconi mban vendin e 10 në botë.
Ekonomi dhe Ekonometria
Harvard kryeson edhe këtë fushë, me MIT dhe Stanford që plotësojnë treshen e parë. Bocconi renditet në vendin e 18.
Arte dhe Design
Royal College of Art në Londër është numri një në botë, i ndjekur nga University of the Arts London dhe The New School në New York. Politecnico di Milano është në vendin e shtatë.
Arkeologji
University of Cambridge mban vendin e parë, i ndjekur nga Oxford dhe UCL. Universiteti “La Sapienza” në Romë renditet i shtati, ndërsa Universiteti i Bolonjës në vendin e 19.
Histori Arti
Në krye qëndron Courtauld Institute në Londër, i ndjekur nga MIT dhe UCL. “La Sapienza” është sërish në vendin e shtatë, ndërsa IUAV i Venecias në vendin e 14.
Letra klasike dhe histori antike
Universiteti “La Sapienza” në Romë është numri një në botë, i ndjekur nga Fudan University në Shangai dhe Peking University në Pekin. Në top renditen edhe Scuola Normale di Pisa në vendin e 10, Universiteti i Pizës në vendin e 23 dhe Ca’ Foscari në Venecia në vendin e 24.
Komente










