Mbi 10.400 maturantë kanë plotësuar formularin e aplikimit për universitet vetëm një ditë pas hapjes së portalit UAlbania. Sipas Drejtorit të Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, në portal janë regjistruar 21.700 maturantë, ndërsa pritshmëria është që pjesa më e madhe e tyre të aplikojë në raundin e parë.
"Aktualisht ne jemi në 24 orëshin e parë dhe ka një ecuri të mirë. Po afrohemi tek 50%. Dëshirën për të vijuar studimet në këtë raund të parë e kanë shprehur 21,700 maturantë që kanë bërë regjistrimin në portal. Mbi 10,400 maturantë e kanë plotësuar formularin aty. Portali u hap dje në orën 10 në e-albania dhe deri tani kemi një trend në rritje të maturantëve që duan të kryejnë studimet në universitetet publike shqiptare. Pritshmëritë tona janë që këta 21.700 do të regjistrohen. Nga të gjithë maturantët që regjistrohen në raundin e parë mbi 95% aplikojnë", tha Xhelaj në një intervistë për emisionin "Sot Live në Shqipëri" në Report TV
Edhe këtë vit, mjekësia vijon të jetë ndër zgjedhjet kryesore të maturantëve. Xhelaj tha se, krahas mjekësisë së përgjithshme, më shumë preferohen edhe stomatologjia, infermieria dhe fizioterapia, ndërsa në listën e degëve më të kërkuara janë edhe inxhinieria, teknologjia e informacionit, ekonomiku, juridiku, bujqësia dhe mësuesia.
Ai u kërkoi maturantëve të mos kufizohen vetëm te një ose dy programe studimi, por të përdorin të gjitha 10 preferencat që lejon sistemi, pasi degët si mjekësia, stomatologjia dhe arkitektura kanë kuota të kufizuara.
"Maturantët të hedhin 10 preferenca qoftë edhe degë që nuk i rendisin në vendet e para, që nëse nuk fitojnë në degët e dëshiruara për shkak të rezultateve mund të zgjedhin një program tjetër. Në varësi të programit mund të përzgjedhin degë të ngjashme që në cikjlin e dytë mastër të vijojnë në atë program. I këshilloj maturantët që të shfrytëzojnë në maksimum të drejtën e tyre për të aplikuar” tha ai.", u shpreh ai.
Xhelaj ndaloi edhe te një nga gabimet që, sipas tij, duhet shmangur gjatë aplikimit. Ai sqaroi se preferencat mund të ndryshohen vetëm deri në momentin e konfirmimit të formularit.
"Këtu duhet të bëjnë kujdes . Edhe nëse plotësojnë formularin dhe hedhin vetëm një degë, duhet të mos konfirmojnë se konfirmimi bëhet në fund kur ke hedhur të gjitha preferencat. Portali i kërkon të konfirmojë aplikimin duke futur kodin unik. Nëse bëhet kjo nuk ka më kthim mbrapa se të dhënat hidhen në databazë dhe u shpërndahen universiteteve. Në 1 gusht mbyllet aplikimi dhe në 3-4 shkarkohen të dhënat dhe brenda datës 6-7 dalin listat.", tha ai.
Aplikimet për raundin e parë do të qëndrojnë të hapura deri më 1 gusht. Pas mbylljes së tyre do të përpunohen të dhënat, ndërsa më pas do të publikohen listat e fituesve dhe do të nisë procesi i regjistrimeve.
Komente







