KORÇË- Gjyqtarja Eglantina Milkani në datën 8 Mars 2023, mori vendim pranë Gjykatës së Korçës për ndryshim të masës së sigurisë për ish – zyrtaren e Bashkisë Tiranë Viola Sterjo, e cila u arrestua në dhjetor të vitit 2022, për “mashtrim” me shuma të mëdha. Arrestimi i saj erdhi pas kallëzimin që disa biznesmenë kryen kundrejt saj, të cilët pretenduan se i kishin dhënë Viola Sterjos shuma të mëdha parash për të përfituar grande të majme parash nga AZHBR.

Dy muaj pas arrestimin, pala mbrojtëse kërkoi zbutje të masës së sigurisë për Sterjon, pasi sipas avokatit, gjendja e fëmijëve të saj të mitur është përkeqësuar. Mësohet se në seancë nga përfaqësuesi i Viola Sterjos është deklaruar që fëmijët kanë patur tronditje psiko-emocionale, gjë të cilën e ka mbështetur dhe me një akt ekspertimin.

Ndërkohë prokuroria është shprehur se nuk kishte dijeni mbi rrethanat familjare të Viola Sterjos, gjë e cila do ta favorizonte që në krye të herës, përsa i përket masës së sigurisë. Mbi argumentet e mësipërme Gjyqtarja Milkani, arsyetoi në vendimin e ndërrimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie se shtetasja nën hetim nuk paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore ose rrezik për largim nga banesa ose prishje të provave dhe zëvendësimi i masës së saj minimizon dhe problemet e krijuara te fëmijët e saj.

Pretendimet e mbrojtjes janë mbështetur edhe nga organi i akuzës i cili pranoi mundësinë e zbutjes së masës së sigurisë për ish zyrtaren e lartë.