Kushi thirrje akademikëve brenda e jashtë vendit: Kontribuoni për Arsimin e Lartë në Shqipëri (VIDEO)

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka ftuar të gjithë akademikët e nderuar, brenda dhe jashtë vendit, që të japin kontribut me vlerë për Arsimin e Lartë në Shqipëri, duke aplikuar për t'u bërë pjesë e “Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë” (ASCAL).

Kushi nëpërmjet një video-mesazhi ka bërë një thirrje të hapur për të gjithë përfaqësuesit e botës akademike që në kuadër të konsolidimit të mëtejshëm të ASCAL, të aplikojnë për pozicionet si “Drejtor i Përgjithshëm” apo si një prej 11 anëtarëve të Bordit të Akreditimit, nga të cilët minimalisht 3 dhe maksimalisht 5 duhet të jenë te huaj.

Ministrja nënvizon se rritja e cilësisë së Arsimit të Lartë dhe përafrimi me standardet më të mira evropiane, janë ndër objektivat më madhore të mandatit të ri qeverisës, mbështetur edhe në Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, e cila është në fazë konsultimi publik dhe pritet të miratohet së shpejti.

“Në funksion të këtij objektivi, ne synojmë të hapim dyert e universiteteve tona për bashkëpunim të ngushtë me universitetet më prestigjioze evropiane dhe të krijojmë kushtet e nevojshme që studentët tanë të mund të marrin në të ardhmen diploma evropiane, këtu, në Shqipëri”, shprehet ministrja Kushi.

Në këtë mënyrë, shton ajo, mund t’i pajisim ata me dije dhe aftësi të konkurrueshme me studentët e Bashkimit Evropian.

Për të arritur këto, Ministrja Kushi nënvizon domosdoshmërinë e angazhimit të njerëzve profesionistë, me integritet dhe të përkushtuar për të bërë më të mirën për sistemin arsimor, ku vend shumë të veçantë zë Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Më tej ajo thotë se ASCAL ka shënuar disa pika suksesi në veprimtarinë e saj, siç ishin bashkëpunimi me Agjencinë Britanike të Akreditimit për vlerësimin e universiteteve në vend me ekspertizë ndërkombëtare, apo menaxhimi i proceseve të vlerësimit të jashtëm nëpërmjet platformës ASCAL Management System nga viti 2014.

Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, ASCAL ka realizuar “Sondazhin Kombëtar të Studenteve”, ku u përfshinë studentët e të gjitha institucioneve të Arsimit të Lartë, publike dhe jopublike. Ky sondazh siguroi informacion me vlerë në lidhje me kurrikulat, mësimdhënien, organizimin e universiteteve dhe mbështetjen ndaj studenteve.

Kriteret e aplikimit për thirrjet e akademikëve të interesuar gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku kandidatët duhet të paraqesin letër motivimi dhe një CV në adresën tone zyrtare, deri më datë 30 Qershor, 2021.

 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal