Protestat që prej 25 ditësh po zhvillohen në Tiranë kundër investimit 4 miliardë dollarësh në Zvërnec dhe kundër qeverisë Rama ishin në qendër të debatit mes deputetes socialiste për Elbasanin dhe ish-ministres së Arsimit, Evis Kushi, dhe drejtuesit të emisionit "Repolitix", Denis Minga, në "Sot Live në Shqipëri". Përtej pesë kërkesave të protestuesve, diskutimi u përqendrua te legjitimiteti i mazhorancës, reforma e sistemit zgjedhor, roli i opozitës, integrimi europian dhe ndikimet e huaja në protestë.

Në leximin e mazhorancës, protesta nuk mund të kthehet në një mekanizëm që zëvendëson legjitimitetin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 majit. Duke komentuar pesë kërkesat e protestuesve, mes të cilave krijimi i një qeverie tranzitore 12-mujore, ndryshime rrënjësore kushtetuese dhe kufizimi në dy mandate i postit të kryeministrit, Kushi argumentoi se shqetësimet e qytetarëve duhen dëgjuar, por jo të zgjidhen duke anashkaluar votën.

“Protestat janë një instrument i demokracisë. i respektojmë kërkesat e tyre. Duhet të dëgjojmë e të reflektojmë, por vendi është në rrugën e integrimit në BE dhe kjo shumicë ka marrë mandatin nga mbi 856 mijë shqiptarë për të finalizuar këtë proces. Është e vërtetë që ka shumë qytetarë në shesh dhe kjo është prova që ia kemi arritur ditës që njerëzit nuk kanë frikë të dalin. Disa nga shqetësimet e tyre mund të jenë të drejta por ata nuk mund të përfaqësojnë 856 mijë qytetarë që duan PS-në dhe integrimin tonë madhor drejt integrimit në BE. Unë mendoj që duhet të ketë dialog dhe nuk e imagjinoj protestuesit që thonë nuk dialogojnë dhe vendosin ultimatume. Duket një lloj kaosi dhe nuk shoh që protesta të ketë një grup përfaqësuesish. Te kërkesat ka problematikë sepse kërkohet që një qeveri e ardhur nga vota të zëvendësohet me struktura të ardhura nga protesta. Kërkesat mund të jenë të drejta po rruga e zgjidhjes nuk është kjo. Nuk ka sens" tha ajo. 

Për Mingën, protesta ishte vetëm simptoma e një problemi më të madh. Gazetari argumentoi se reformat nuk i bën turma por problemi qëndron tek modeli politik i ndërtuar në vitin 2008 me bashkëpunimin PS-PD, që sipas tij ka humbur funksionin pas dobësimit të Partisë Demokratike.

“Ju s’mund ta mohoni që aty ka një frymë opozitare shumë më të madhe se opozita me të cilën ju keni bashkëpunuar deri më tani. Është frymë opozitare e vërtetë. Reformat e mëdha nuk i bën dot as turma dhe as rruga. PS nuk do ia linte vetes të linte reformën në rrugë, por aty ka një zë të fuqishëm. Ky sistem i cili daton në vitin 2008 ka rënë. U ngrit për 2 partitë kryesore që u ngrit për 2 kryetarët e tyre dhe do të funksiononte për sa kohë të dy partitë do kishin një afërsi me njëra tjetrën dhe do të këmbenin pushtetin. Një sistem me dy parti që të funksionojë ka kushtin që dy partitë të jenë aty aty. Rënia e PD e ka kolapsuar sistemin. Unë nuk pretendoj që Rama të jetë i kulluar demokratikisht, por kjo vjen për shkak të mungesës së opozitës. Siç është pasionant pas të bukurës, duhet të jetë pasionant pas demokracisë. Një demokraci pa opozitë nuk mund të funksionojë. Sot opozita nuk është më PD. PS duhet të ndryshojë sistemin. Rama e di shumë mirë se kjo është çështje reforme. Nëse ai do të mbajë pushtetin duke mbajtur zvarrë Berishën ne do e kemi protestën pas një viti sërish. Duhet hapur sistemi. Është kaq e thjeshtë.”

Një tjetër pikë përplasjeje mendimesh ishte mënyra se si mund të zgjidhet kjo situatë. Për Kushin, zgjidhja mbetet dialogu politik dhe institucional, ndërsa për Mingën mazhoranca nuk ka nevojë për dialog për të ndërmarrë reformën zgjedhore, pasi i ka votat e nevojshme në Kuvend.

“S’ka çfarë të zgjidhet me dialog. Kanë 84 vota, mund të ndryshojnë sistemin në proporcional kombëtar me një prag 1% e jo 4% siç e keni sot”, tha Minga.

Edhe integrimi europian u kthye në pjesë të debatit. Kushi e paraqiti atë si objektivin kryesor të mazhorancës dhe argumentoi se stabiliteti politik është i domosdoshëm për të përmbushur reformat që kërkon Bashkimi Europian.

“Misioni ynë është madhor, integrimi në BE. Shumica jonë është e konsoliduar na garanton që ligjet që kërkon BE bëhen shpejt.”

Minga e kundërshtoi këtë argument, duke thënë se procesi i integrimit nuk mund të zëvendësojë funksionimin normal të demokracisë.

“Nuk mjafton pra, sepse nuk kemi demokraci në Shqipëri. Këto janë ligje në letër.”

Diskutimi u ndal edhe te pretendimet për ndikime të huaja në protestë. Evis Kushi tha se mes protestuesve ka qytetarë me shqetësime reale, por paralajmëroi se ka edhe elementë që, sipas saj, lidhen me qarqe të huaja.

“Ka atje qytetarë të thjeshtë me shqetësime reale. Ne kemi rrezikun e sulmeve hibride. Ka prova, fakte dhe dokumenta që ka protesta brenda protestës që përfaqësojnë qarqe të ndryshme të huaja. Kam parë edhe reagimin e Ramush Haradinaj që tha se ndihej i turpëruar që qytetarë të Kosovës përfshihen në protesta me simbolet e UÇK.”

Minga e kundërshtoi këtë lexim, duke argumentuar se ndikimet e jashtme nuk janë thelbi i problemit dhe se shkaku kryesor mbetet mungesa e përfaqësimit politik dhe e ekuilibrit demokratik.

“Të gjitha elementët ekstremistë radikalë burojnë nga mungesa e përfaqësimit dhe demokracisë ndaj them që këto janë detaje të parëndësishme. Ku janë agjencitë ligjzbatuese të vendit? Problemi është që ne pamë një frymë të jashtëzakonshme që nuk mund të jenë vetëm agjentura të huaja. Unë them që protesta ka mbaruar. Ajo u shua, por fryma mbetet. Nuk besoj se turma do të reformojë Kushtetutën dhe madje nuk ka pasur as mbështetje të faktorit ndërkombëtar. Rama duhet të kuptojë që vendi është pa ekuilibër demokratik. Kryeministri duhet të lëshojë pak pushtet për të bërë shtet” tha Minga

Duke e lidhur reformën zgjedhore me mungesën e ekuilibrit politik, Minga argumentoi se sistemi aktual prodhon një shumicë parlamentare që nuk pasqyron proporcionalisht votën, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit të kuptojë që pushteti nuk mund të mbahet duke përfituar nga kalbësira politike e PD-së.

“Sot keni 83 mandate, me vota, duhet të kishit 74 vota dhe 9 i keni marrë nga sistemi që votuat me PD. Ky sistem ka rënë. Duhet të kaloni në një sistem të ri ku nëse merr 53% merr 74 mandate dhe jo 83. Kjo është kryesorja. Vendi nuk ka ekuilibër politik për shkak të Sali Berishës që ka masakruar demokracinë. Rama duhet ta kuptojë që nuk mund të rrijë më duke përfituar nga kalbësira politike e PD-së.”