Në një telefonatë me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, Vladimir Putin renditi saktësisht të gjitha kushtet e vendosura nga Rusia për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. BBC intervistoi një këshilltar të ngushtë të Erdoganit, i cili zbuloi shumë nga detajet e bisedës. Gjatë takimit u nënvizua roli i Turqisë si ndërmjetës në konflikt. Kjo është përforcuar edhe më shumë pas takimit të ministrit të jashtëm ukrainas dhe rus në Antalia.
Kërkesat ruse mund të ndahen në dy kategori sipas Ibrahim Kalin, këshilltarit të presidentit turk, i cili ishte i pranishëm gjatë bisedës telefonike mes dy krerëve të shtetit.
Katër kushtet e para nuk janë shumë të vështira për t'u përmbushur nga qeveria e Kievit, thotë Kalin. E para është që Ukraina të jetë neutrale, domethënë mos t'i bashkohet NATO-s. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se e ka pranuar këtë kusht, megjithëse mbetet e diskutueshme nëse Ukraina do të ishte e lirë të aplikonte për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe si mund të funksionojnë "garancitë e sigurisë" të kërkuara nga Kievi.
Tre të tjerat janë çarmatimi i Ukrainës, i cili megjithatë duket se nuk përjashton mundësinë për të pasur ushtrinë e vet ukrainase. Moska ndoshta po kërkon që të mos ketë baza ushtarake të huaja në Ukrainë dhe që Kievi të mos marrë më armatim nga jashtë.
Një tjetër kërkesë është një formë mbrojtjeje për gjuhën ruse, ndoshta duke e përfshirë atë në gjuhët kombëtare, por edhe kjo nuk duket e vështirë në një vend ku të gjithë flasin rusisht dhe rusët përbëjnë pothuajse 30 për qind të popullsisë. Për në fund “denazifikimi”. Kjo e fundit është një kërkesë qesharake, sepse nuk ka nazistë në qeverinë ukrainase. Zelensky është hebre dhe një pjesë e familjes së tij u zhduk në Holokaust. Por një ligj që ndalon partitë naziste dhe i dënon ato mund të mjaftojë. Aktualisht ekziston një parti e ekstremit të djathtë në parlamentin ukrainas, por ajo ka vetëm 1 për qind të vendeve.
Këto lloj kërkesash, duket se janë të destinuara t'i "shpëtojnë reputacionin e Putinit", duke e lejuar atë ta paraqesë luftën si një fitore për objektivat e Moskës.
Për kategorinë e dytë të kushteve, këshilltari i Erdogan flet më pak. Por BBC lë të kuptohet se ato kanë të bëjnë me statusin e Donbass dhe Krimesë. Më konkretisht lidhet me kërkesën që Kievi të pranojë se dy rajonet i përkasin Rusisë.
Këto janë zonat në të cilat prania e pakicës me origjinë ruse është më e madhe dhe Rusia i ka pushtuar gjithsesi që nga viti 2014, një fakt i kryer nga i cili Putini vështirë se do të ndërronte mendje.
Në bisedën telefonike, raporton këshilltari turk, Putin ka thënë shprehimisht se kjo kategori e dytë e kushteve mund të zgjidhet vetëm nga një samit ballë për ballë mes tij dhe Zelenskit. Një kërkesë të cilën presidenti ukrainas e ka kërkuar prej kohësh, ndaj dhe kjo është e pranuar.
Si dukej Putin në dialogun telefonik? A po tregonte shenja zemërimi? Apo çekuilibrimi? Këtyre pyetjeve të BBC-së, këshilltari i është përgjigjur duke thënë se Putin ia ka treguar Erdoganit gjithçka me një ton të qetë dhe serioz.
Mbetet për t'u parë nëse Putini është vërtet serioz në lidhje me negociatat apo do të ndodhë ajo që mendon SHBA dhe vëzhguesit e tjerë se ai po bën gjithçka vetëm për të fituar kohë dhe për të rifilluar sulmin për të pushtuar të gjithë Ukrainën.
Nuk e ndal luften Putini pa e kapur per zhelesh Zhelenskin
Përgjigju