Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Tregtarëve për pezullimin e taksave të reja vendore që hynë në fuqi në fillim të këtij viti. Ajo vendosi që ato të mbeten në fuqi deri në vendimmarrjen përfundimtare mbi kushtetutshmërinë e tyre.

Ligji i ri i taksave vendore u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut dhe nga Dhoma e Tregtisë, por gjatë ditës së sotme kjo e fundit u tërhoq nga padia.

Kreu i Shoqatës së Tregtarëve Nikollaq Neranxi, argumentoi para gjykatësve se shumëfishimi i disa taksave dhe shtimi i disa të rejave ka vënë në vështirësi biznesin.

Ai përmendi taksën e truallit, të ndërtesës, të arsimit, të ndikimit në insfrastrukturë apo të hapësirave publike, të vendosura në mënyra arbitrare dhe në dëm të interesave të biznesit.

Pas refuzimit të pezullimit të taksave të reja, Neranxi u shpreh optimist për vendimin përfundimtar të Kushtetueses, ndërkohë që u shpreh se tërheqja nga padia e Dhomës së Tregtisë erdhi për interesa personale.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com