1765467466_joridatabaku.jpg

Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë Belinda Ballukun deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se vendimi i Kushtetueses i dha kohë qeverisë, por nuk i heq vulën e korrupsionit këtij rasti. Më tej Tabaku shprehet se një zv.kryeministre që përballet me akuza penale nuk mund të qëndrojë në detyrë.

“Me apo pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese, Shqipëria nuk mund të ketë një zëvendëskryeministre të pandehur.  Debati sot nuk është vendimi i GJK-së dhe as procedura. Debati i vërtetë është standardi moral i një qeverie normale.

Si mund të qëndrojë në detyrë një zyrtare e lartë që ndan para publike me mesazhe nga shtëpia? Si mund të qëndrojë në detyrë një zëvendëskryeministre që përballet me akuza penale?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dha kohë qeverisë, por nuk i heq dot vulën e korrupsionit këtij rasti. Shqiptarët meritojnë një qeveri që sillet si europiane në standarde dhe moral, jo një qeveri që përdor integrimin si mburojë për të mbrojtur të korruptuarit.

Europa nuk është slogan. Europa është standard. Dhe standardi i parë është morali në qeverisje”, shkruan Tabaku.


Lajmi kryesor:

Kushtetuesja riktheu Ballukun në detyrë, Bardhi: Asnjë surprizë, iu nënshtrua presionit të Ramës